Rritja e çmimit të ujit, sa do të paguajnë familjarët nga ky muaj

Rritja e çmimit të ujit, sa do të paguajnë familjarët nga ky muaj
Me tarifat e reja të cilat kanë hyrë në fuqi në datën 1 janar 2018, uji i pijshëm rritet nga 45 lekë për m3, në 65 lekë/m3. Mbetet i pandryshuar çmimi për furrat e bukës, ndërkohë që për të gjitha kategoritë, pagesa fikse mujore do të dyfishohet

Sonila Isaku

Kryeqytetasit, duke filluar nga fatura e muajit janar, do të paguajnë 20 lekë më shumë për ujin e pijshëm ose 65 lekë për çdo metër kub. Tashmë, Enti Rregullator i Ujit ka miratuar vendimin e propozuar nga Këshilli Bashkiak në korrik 2017, për rritjen e çmimit të ujit në Tiranë, megjithëse jo në nivelin e kërkuar nga bashkia për të gjitha kategoritë e bizneseve apo institucioneve shtetërore. Ndryshimi më i madh i çmimeve është bërë për familjarët, të cilët përveç rritjes së çmimit me 20 lekë për çdo metër/kub, do t’u duhet të paguajnë edhe një tarifë më të lartë fikse, pikërisht 2-fishin e saj.

Pagesa           

Nëse do të marrim shembullin konkret të një fature uji në Tiranë të muajit dhjetor, rezulton se 30 metra/kub të konsumuar për një muaj, kushtojnë 2140 lekë. Këtu futet çmimi i ujit, tarifa e largimit, tarifa e shërbimit mujor dhe tatimi mbi vlerën e shtuar. Me tarifat e reja të miratuara tashmë nga Enti Rregullator i Ujit, pas propozimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, nga 1 janari i 2018, kjo faturë do të kushtojë rreth 3 mijë lekë. Pra, qytetari do të paguajë rreth 840 lekë më shumë.

Tarifa për ujin

Duke filluar nga janari i vitit 2018, konsumatorët familjarë, nga 45 lekë/m3 që ishte tarifa e ujit të pijshëm, do të paguajnë 65 lekë/m3. Ndërkohë, po të shtohet edhe pagesa prej 11 lekë për metër/kub e ujërave të ndotura, pagesa që do të kryejë një qytetar shkon në 76 lekë për metër/kub. Ky është vendimi më i fundit i marrë nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU), i cili ka miratuar çmimet e reja të ujit të pijshëm për bashkinë e Tiranës, pas miratimit të vendimit në këshillin bashkiak të kryeqytetit në muajin korrik. Po kështu, ndryshim të çmimit do të ketë edhe për bizneset, të cilat sot paguajnë135 lekë për metër/kub, ndërsa me tarifën e re, nga 1 janari 2018, do jetë 155 lekë/m3. Sa i takon këtyre subjekteve, në vendimin e Këshillit Bashkiak ishte propozuar që çmimi u ujit të shkonte 190 lekë. Edhe për institucionet publike do të ketë rritje në 20 lekë të çmimit të ujit. Nëse deri më sot, ato kanë paguar 120 lekë/m3, tashmë u duhet të paguajnë 140 lekë/m3, ndërkohë që propozimi i bashkisë së Tiranës ka qenë në 170 lekë/m3.

Nga ana tjetër, Enti Rregullator i Ujit duket se është solidarizuar me apelin e furrave të bukës dhe disa klientëve të tjerë të veçantë, të cilët kërkuan që çmimi i ujit për to, të mos rritej. Kështu, çmimi do të mbetet i pandryshuar për furrat e bukës të cilat do të vazhdojnë të paguajnë 95 lekë/m3, sikurse edhe klientët e veçantë të cilët kanë të bëjnë me prodhimin e pijeve freskuese, pijeve alkoolike dhe pishinave, që do paguajnë 170 lekë/m3. Për këta të fundit, Këshilli Bashkiak kishte propozuar një tarifë prej 235 lekë/m3.            

Tarifa fikse

Rritje nuk do të ketë vetëm për tarifën e ujit që shpenzojnë, por edhe atë fikse që vendoset në çdo faturë. Kështu, nëse deri më tani kemi paguar një tarifë fikse prej 100 lekësh, nga 1 janari  2018, çmimi i saj do të shkojë në 200 lekë në muaj. Ky ndryshim do të jetë për të gjitha kategoritë, duke përfshirë këtu abonentët familjarë, klientët publik, klientët privat, klientët e veçantë dhe furra e bukës.

 

TABELA

Tarifat e çmimit të ujit për m3

Kategoria                   Ishte                Propozimi i bashkisë             Miratimi ERU

Familjarë                     45 lekë/m3                   65 lekë/m3                   65 lekë/m3

Klientë publik             120 lekë/m3                       170 lekë/m3                       140 lekë/m3

Klientë privat              135 lekë/m3                       190 lekë/m3                       155 lekë/m3

Klientë të veçantë       170 lekë/m3                       235 lekë/m3                       170 lekë/m3

Furra Buke                  95 lekë/m3                          130 lekë/m3                       95 lekë/m3

Shitje uji më shumicë                                                                          12 lekë/m3

HEC Lanabregas         5 lekë/m3                            6 lekë/m3                            5 lekë/m3

 

Tarifat fikse

Kategoria                   Ishte                Propozimi i bashkisë             Miratimi ERU

Familjarë                     100 lekë                200 lekë                              200 lekë

Klientë publik             100 lekë                200 lekë                              200 lekë

Klientë privat              100 lekë                200 lekë                              200 lekë

Klientë të veçantë       100 lekë                200 lekë                              200 lekë

Furra buke                   100 lekë                200 lekë                              200 lekë

Shpërndajeni me miqtë tuaj: