Rritet sërish borxhi publik, qeveria mori miliardat e radhës nga publiku

Rritet sërish borxhi publik, qeveria mori miliardat e radhës nga publiku
Borxhi publik ka shënuar një rritje të re të tij në vigjilje të këtij viti të ri. Dhe kjo, falë marrjes së plot 3.5 miliardë lekëve nga ana e qeverisë prej publikut të gjerë. Fjala është konkretisht për realizimin e ankandit të fundit, të paralajmëruar prej saj për shitjen e një obligacioni, me vlerën e lartpërmendur. Ndërkohë që sipas të dhënave të ankandit, ka rezultuar se oferta e bankave për ta blerë këtë  obligacion ka qenë madje edhe më e lartë se shuma që ka kërkuar qeveria të financojë. Konkretisht, raportohet se bankat kanë kërkuar që të blejnë 4.48 miliardë lekë, teksa qeveria ka pranuar vetëm 3.5 miliardë lekë prej tyre. E duke treguar në këtë mënyrë, se sistemi bankar në vendin tonë, vazhdon që të jetë një burim potencial për të financiar borxhin publik të krijuar nga qeveria. Sikundër, po të njëjtat të dhëna tregojnë se norma e interesit e realizuar në këtë ankand ka qenë në vlerën prej 7%, një kuotë e konsiderueshme kjo, po të mendojmë se format e tjera të kursimit pranë bankave kanë nivele akoma edhe më të ulëta të tyre. Mjafton të kujtojmë se vlera më e lartë e tyre është rreth 3%. Dhe mesa duket, ka qenë pikërisht oferta e lartë e bankave drejtuar ndaj qeverisë, ajo që ka bërë që interesat edhe në ankandin e radhës për obligacionin 10-vjeçar të mbeten ende të larta dhe të mos bien poshtë atij të mëparshmit. Ndërkaq, obligacioni 10-vjeçar është emetuar për herë të parë në tetor të vitit 2013 me një interes që arriti deri në nivelin prej 9.25%, teksa Ministria e Financave në dy vitet e fundit ka emetuar letrat borxhi me afat shlyerje 10 vjet rreth katër herë në vit më shuma maksimale që nuk i kanë kaluar të 3.5 miliardë lekët për ankand.

 

7%

Arriti norma mesatare e interesit për obligacionin e ofruara prej qeverisë në ankandin që u zhvillua  për atë më afat maturimi 10-vjeçar, për një vlerë prej 3.5 miliardë lekësh

9.25%

Ka qenë norma mesatare e interesit e ofruar prej qeverisë për obligacionin e saj të parë me afat maturimi 10-vjeçar, i cili është emetuar për herë të parë në tetor të vitit 2013

Borxhi i brendshëm me obligacione, 30% e totalit të borxhit të brendshëm

Sipas ekspertëve të ekonomisë, borxhi i brendshëm i emetuar në obligacione pritet të arrijë në 30% të totalit të borxhit të brendshëm në fund të këtij viti. Duke treguar në këtë mënyrë se kjo mënyrë e zgjedhur prej saj, pra pikërisht duke ofruar letra me vlerë me afat të gjatë maturimi, do të ketë një ndikim në rritje në sigurimin e të ardhurave që asaj i duhen për të financuar nevoja të brendshme. Gjithmonë sipas ekspertëve të ekonomisë, ndikimin më të lartë ka nisur që ta ketë obligacioni me afat maturimi 10-vjeçar, i ndjekur nga obligacioni 7 dhe 5-vjeçar. Ku i pari, kujtojmë se ka vetëm tre vjet që po aplikohet nga qeveria. Ndërkaq, vlerësohet se financimi nëpërmjet titujve afatgjatë me afat të shkurtër maturimi, nuk është shoqëruar me kosto shtesë në buxhetin e shtetit pasi normat e interesit për këtë kategori titujsh kanë qenë në nivele relativisht të ulëta. E pikërisht se janë të tilla, ato kanë zënë deri tani 70% të totalit të borxhit të brendshëm të qeverisë.

 

 

 

Tregu valutor,

euro po tregohet

e qëndrueshme

 

Monedha evropiane, euro, po tregohet e qëndrueshme në tregun e brendshëm valutor. Këtë e tregojnë të dhënat më të fundit të tij, sipas të cilëve rezulton se një euro është këmbyer dje me 133.43 lekë, duke mos shënuar aspak ndryshim ndaj ditëve të para të këtij viti. Dhe duke treguar kësisoj, se ajo ka një ecuri më të mirë se ajo e fundviti të kaluar, kur për shkak të efekteve sezonale shënoi një rënie të radhës. Kujtojmë se gjatë festave të fundvitit, emigrantët që vijnë në vend sjellin gjithmonë me vete teksa vijnë për të pushuar këtu, një ofertë të madhe me valutë të huaj, kryesisht euro. Dhe është kjo pikërisht arsyeja që ajo bie në këtë pjesë të vitit, në kuotimin e saj kundrejt lekut në tregun e brendshëm valutor.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: