Shashkat e mërisë

Shashkat e mërisë
Nga Juela Meçani

Përsëri, si çdo fundvit, i hapëm telashe vetes pa nevojë fare, u grindëm  e bëmë zhurmë, sa i gjithë Ballkani i mbledhur bashkë. Tmerri i netëve përpara festave e madje edhe pas tyre janë dhe mbeten shashkat me kërcitjet e pëlcitjet e tyre të thata, që na risjellin në mendje famëkeqin vit 1997 e që na ushqejnë ankthe të harruara ose të reja, a thua se jeta ka qenë gjithmonë bujare me ne. Asnjëherë nuk kam arritur t’i kuptoj këto gjeste paraushtarake të shqiptarëve të mitur dhe jo vetëm. Një dëshirë e zjarrtë për luftë e beteja, si ato imagjinaret dikur, kur ndërtoheshin bunkerë për të na mbrojtur nga ushtri që nuk na e varën kurrë. Si shpjegohet kjo sjellje që lind sapo hyn dhjetori, me blerje absurde, pra bëhet pazar për stomak e për të trazuar stomakun më pas. Një idiotësi kolektive që nuk kam dijeni nëse ka simotra në vende të tjera. Njoh vetëm këtë uri për flakë e zjarr në jug të Italisë, ku çdo fundvit është një kasaphanë me të vrarë e të plagosur, me krahë të prerë e sy të dalë, nga fishekzjarrët e leshur nga njerëz të papërgjegjshëm. Por edhe në ato vise të mafias e paligjshmërisë si kult, kjo dukuri ka ardhur në ulje të përvitshme. Këtu tek ne jo, madje ka ardhur në rritje. Tufa me fëmijë lëshohen oborreve të pallateve, sheshpushimeve, tarracave e kanë të vetmin argëtim, të plasin shashka e të gajasen si budallenj, teksa pranë tyre ose nëpër shtëpi, ti ndoshta je duke shijuar një kafe në qetësi, pas një viti të lodhshëm, ose je në shtëpinë tënde duke u përhumbur nën tingujt e magjisë së Koncerteve të Vjenës!? Befas kërcen përpjetë, sepse bijtë e shqipes, me dhunën në gjak e sytë për gjak, nuk gjejnë paqe as në fundvit. Shashkat e kësaj mërie kolektive janë refreni i vërtetë i fundvitit dhe arsyeja se përse çdo vit betohem se nuk do e festoj më në këtë vend, por përsëri harroj ose edhe nuk kam rrugë tjetër, ndoshta. Por ç’taksirat kemi ne që prindërit nuk na kanë edukuar me dhunë e zhurmë, të durojmë këta rebelë të vegjël e injorantë, të cilët prindërit jo vetëm që nuk i kanë edukuar me paqe, por madje edhe u blejnë vetë gjithë qejf, këto “lodra” të rrezikshme? Sa kulminante është papërgjegjshmëria prindërore kur i lejon fëmijët që të rrezikojnë veten dhe t’u nxijnë jetën të tjerëve? Një brez djemsh me mllef, mëri, inat, frustracion të pakonsumuar, që zien tërë vitin, e që ka si valvul shpërthimi plasje e shashkave për fundvit. Por sa të sigurt janë këta prindër që këta fëmijë që kërkojnë këto imitime krisjesh pistoletash, nuk do kërkojnë, me rritjen, që nga lodrat të kalojnë në “lodra” prej vërteti? Qofsha ekstremiste, por mendoj se shprehimisht duhen ndaluar që në shitje e deri në përdorim. Sepse ky vend të cilin dhuna e ka mbuluar shumë shekuj, qoftë ajo me barut ose ajo psikologjike, më shumë se shumë vende të tjera, ka nevojë për paqe e festa me muzikë e jo me batare nga meshkuj të vegjël që plasin shashka e më pas ikin nga sytë këmbët. Nuk mund të jesh edhe rebel, edhe frikacak. Zgjidhni, sa nuk është vonë!

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: