Shëndeti mendor në punë, kushtet që duhet të plotësohen nga palët

Shëndeti mendor në punë, kushtet që duhet të plotësohen nga palët
Një mjedis pune negativ, mund të shkaktojë probleme fizike dhe psikologjike, përdorim të dëmshëm të substancave dhe të alkoolit, tërheqje dhe rënie të produktivitetit. Në ditën botërore të shëndetit mendor, këtë vit, fokusi shkon në mjediset e punës, në mënyrë që punëmarrësi të jetë në kushte të përshtatshme për të punuar

Sonila Isaku

Në jetë, çdo individ i rritur e kalon në punë, një pjesë të madhe të kohës. Eksperienca e secilit në punë, përbën faktor vendimtar në mirëqenien e përgjithshme. Punëdhënësit dhe menaxherët duhet t’u japin jetë nismave të cilat mbështesin shëndetin mendor në punë dhe të mbështesin punonjësit të cilët kanë probleme të shëndetit mendor, duke i ndihmuar ata, jo vetëm të përmirësojnë shëndetin, por njëkohësisht të rritin produktivitetin në punë. Një mjedis pune negativ, nga ana tjetër, mund të shkaktojë probleme fizike dhe psikologjike, përdorim të dëmshëm të substancave dhe të alkoolit, tërheqje dhe rënie të produktivitetit. Çfarë këshillojnë ekspertët e shëndetit publik. Mjekja, Lumturi Mërkuri, tregon këshillat që duhet të ndiqen në rastet e stresit në mjediset e punës.

Depresioni

Depresioni dhe çrregullimet e ankthit, janë problemet më të zakonshme të shëndetit mendor, të cilat kanë ndikim në mundësinë e secilit për të punuar, dhe vlerësohet se ulin 5 herë produktivitetin në punë. Në rang global, më shumë se 300 milionë njerëz, vuajnë nga depresioni, shkak që i çon në paaftësi. Më shumë se 260 milionë, jetojnë me çrregullime të ankthit. Shumë prej tyre jetojnë me të dyja problemet së bashku. Një studim i kohëve të fundit i OBSH-së, vlerëson se depresioni dhe çrregullimet e ankthit, i kushtojnë ekonomisë globale 1 trilion dollar amerikanë çdo vit, si humbje e prodhimtarisë. Në Europë vlerësohet se kosto vjetore e depresionit në raport me vendin e punës është 617 bilionë euro në vit, të cilat llogaritin mungesat, rënien e prodhimtarisë, koston e kujdesit shëndetësor dhe koston e kujdesit shoqëror (në formën e përfitimeve, për shkak të paaftësisë).  Dita Botërore e Shëndetit Mendor organizohet çdo 10 tetor, me objektiv të përgjithshëm rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me problemet e shëndetit mendor dhe mobilizimin e përpjekjeve, në mbështetje të një shëndeti mendor më të mirë. Slogani i këtij viti është shëndeti mendor në punë.

Stresi dhe puna

Lidhja ndërmjet stresit në vendin e punës dhe problemeve në shëndetin mendor, është e mirëstabilizuar. Nga studimet e ILO-së (Organizata Ndërkombëtare e Punës), rezulton se stresi i lidhur me punën ka një kosto të madhe, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejtë. Proceset konkurruese në nivel global, i kanë transformuar organizatat e punës, marrëdhëniet e punës dhe modelet e punësimit, duke kontribuar në rritjen e stresit të lidhur me punën, si dhe problemet e tjera të shëndetit mendor. Punët që kërkojnë komunikim të vazhdueshëm dhe nivele të larta të konkurrencës, kanë bërë që vija ndarëse jetë-punë, të jetë gjithmonë e më vështirë për t’u identifikuar. Shpesh-herë, në ditët e sotme, është shumë e vështirë të arrihet një balancë e përshtatshme, ndërmjet punës dhe jetës private. Në shumë vende, si pasojë e krizës ekonomike, shumë sipërmarrës reduktojnë aktivitetin në mënyrë që t’i mbijetojnë konkurrencës. Kjo përfshin shtim të ristrukturimit, largim të punonjësve, papunësi, varfëri dhe përjashtim social. Këto praktika në punë, njihen edhe si “rreziqe psikosociale”. Në vendin e punës, ato shkaktojnë rritjen e konkurrencës, pritshmëri më të larta të përformancës, punë më intensive, orë më të gjata dhe të parregullta në punë, kërkesa më të larta të lidhura me punën, pasiguri në punë dhe zvogëlim të mundësive të punësimit. Duke shtuar, në disa raste, frikën e humbjes së punës, rënien e motivimit në staf, rënien e kreativitetit dhe stabilitetit financiar, të gjitha këto mund të rezultojnë me pasoja serioze për shëndetin mendor dhe mirëqenien e punonjësve.

Rastet

Është vlerësuar se, një në katër individë do të përballet me probleme të shëndetit mendor, paragjykim e diskriminim, të cilat janë barriera domethënëse të individit drejt zhvillimit të dinjitetit. Të respektosh dinjitetin e secilit, do të thotë që çdo individ të konsiderohet si i tillë edhe në punë. Në shumë vende, në fakt, mungojnë vizione të qarta lidhur me shëndetin mendor në punë. Kështu që është koha të nisë diskutimi lidhur me përkufizimin e praktikave më të mira, në promovimin e shëndetit mendor në punë, dhe krijimin e një bashkëpunimi për promovimin e shëndetit mendor dhe dinjitetit për të gjithë. Nga ana tjetër, shumica e individëve me probleme të shëndetit mendor janë të papunë, dhe pjesa më e madhe e tyre shprehin gatishmërinë për t’u punësuar.

Masat

Për uljen stresit në punë këshillohet fokusi i vazhdueshëm. Vihet re se ka rritje të sensibilizimit, lidhur me çështje të tilla. Në shumë vende, politikëbërësit dhe partnerët socialë janë përfshirë në ndërhyrje konkrete për trajtimin e rreziqeve psikosociale, të cilat shkaktojnë edhe stresin në punë. Është e rëndësishme të ketë energji në fushatat për rritjen e ndërgjegjësimit dhe në përfshirjen e rrjeteve të profesionistëve në këto fushata.

Parandalimi. Mbrojtja e shëndetit mendor të punonjësve ka ndikim më të madh, nëse përqendrohet në strategjitë e parandalimit. Është shumë e rëndësishme të menaxhohen pasojat e stresit në punë, duke kombinuar masat kolektive dhe individuale.

Përfshirja. Mundësi më të mëdha për përfshirjen në vendimmarrje, lidhet me një kënaqësi më të madhe dhe zhvillim të vetëvlerësimit. Në terma afatgjata, sadopak autonomi në kryerjen e detyrave, është shumë e dobishme për kënaqësinë në punë dhe rritjen e produktivitetit. Pjesëmarrja në vendimmarrje në punë, moderon efektet e rreziqeve psikosociale.

Menaxhimi. Një sistem menaxhimi i përshtatshëm do të siguronte përfshirjen e praktikave të promovimit të shëndetit mendor.

Kultura organizative. ILO vlerëson rëndësinë e mjedisit social në formimin e sjelljeve në punë dhe në vlerësimin e tyre; programet e burimeve njerëzore, luajnë rol të rëndësishëm në vendosjen e marrëdhënieve të bazuara në besim, vërtetësi dhe partneritet. Sot, në shumë vende, punonjësit po përballen me presion të shtuar, për t’iu përgjigjur kërkesave të punës në kohët moderne.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: