Sherri i parë politik për ndalimet në kufi, Basha dhe Paloka akuzojnë policinë dhe Ramën

Sherri i parë politik për ndalimet në kufi, Basha dhe Paloka akuzojnë policinë dhe Ramën
Ndalimi në pikën kufitare të Morinës i një aktivisteje të Partisë Demokratike, ka ndezur sherrin e parë politik për vitin 2018.

Fiqirije Nezaj akuzohet për mosbindje ndaj policisë, gjatë protestës së 18 dhjetorit të vitit të kaluar.

Llogaritet të jenë disa persona të ndaluar në kufi në natën e Vitit të Ri me të njëjtën akuzë.

Policia e Shtetit ka sqaruar se bëhet fjalë për “persona të shpallur në kërkim, pasi kanë marrë pjesë në protestën e opozitës më 18 dhjetor”, por nuk ka dhënë detaje për numrin e tyre.

“Sistemi TIMS në Pikat Kufitare dhe çdo patrulle policie që bie në kontakt me këta shtetas, ka detyrimin t'i ndalojë ata dhe të njoftojë OPGJ që ndjek çështjen. Kjo ka ndodhur edhe ditët e fundit, kur janë evidentuar, ndaluar, ku u është marrë deklaratë dhe janë lënë të lirë, disa persona të shpallur në kërkim”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka deklaruar se aktivistët nuk janë ndaluar vetëm në kufi, por edhe në banesat e tyre. “Kjo nuk është rastësi por një kopjim i Ramës nga metodat e Sigurimit të Shtetit”, deklaroi Paloka.

Kryetari i Partisë Demokratike e ka cilësuar ndalimin e protestuesve si nje “reagim prej frikacaku i Edi Ramës nga zemërimi masiv i qytetarëve”.

“Me akte të tilla Edi Rama nuk bën gjë tjetër veçse po firmos me shpejtësi fundin e tij politik”, shkruan Basha. /a.a/ Albanian Free Press Online/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: