Strakosha-Kluivert ose Holandë-Shqipëri, ëndrrat afër dhe larg Botërorit

Strakosha-Kluivert ose Holandë-Shqipëri, ëndrrat afër dhe larg Botërorit
Justin Kluivert kërkon suksesin e të atit Patrick, sikurse Thomas i cili po ndjek hapat e Fotos.

Ndryshimi mes tyre është kombëtarja dhe ëndrra botëror që mund të realizojë secili në të ardhmen

Aranit Muraçi

Thomas Strakosha, portieri i Kombëtares shqiptare i cili gjatë këtij sezoni po shkëlqen në Seria A me Lazio, në mars të këtij viti mbush 23-vjeç. Ai vlerësohet si një ndër premtimet e mëdha të kombëtares sonë për të pasur edhe më shumë sukses në kualifikueset e ardhshme të Europianit e Botërorit. Aktualisht ndonëse po shkëlqen në Itali Thomas është portier i dytë, për faktin se Kombëtarja shqiptare ka një portier tjetër po aq të talentuar, Etrit Berisha. Portieri i Atalantas mban postin e titullarit për faktin se ka më shumë eksperiencë. Thomas është djali i ish-portierit dhe kapitenit të kombëtares kuqezi, Foto Strakosha, dhe si i tillë ka pranuar me krenari se kërkon të ndjekë fillimisht hapat e babait. Por me ecurinë e deritanishme Thomas premton që të ketë një sukses edhe më të madh në karrierën personale, madje edhe në kombëtare se i ati. Thomas nuk është i vetmi, në botën e futbollit që ndjek hapin e babait.

Shembulli

Justin Kluivert, futbollist i Ajaksit të Amsterdamit, nuk ka mbushur ende 19-vjeç. Ai ka dy ëndrra për të realizuar në karrierë.  Të ndjekë rrugën e babait dhe të shkëlqejë me Holandën në botërorin e katër viteve të ardhshme.  - “Dua ta mbaj emrin e Kluivert lart. Të gjithë e njohin këtë emër. Emër që i motivon të gjithë. Dua të arrij majat, si babai im. Ndoshta nuk do të arrij apo ndoshta do të kem një karrierë më të mirë. Ai më bën krenar dhe është nder të kem një baba si ai. Ai është për mua një udhërrëfyes.” Janë fjalët e të birit të legjendarit holandez, Patrick Kluivert, i cili pas dështimit të Holandës për t’u kualifikuar në finalet e Kupës së Botës Rusi 2018, ëndërron të shkëlqejë në botërorin “Katar 2022”. Ai e ka dhënë prononcimin e tij në sajtin zyrtar të FIFA-s.  Patrick Kluivert ishte autori i një goli të shkëlqyer në barazimin e Holandës ndaj Brazilit, Francë ’98, duke i dhënë shpresë Holandës që pas 120 minutave lojë humbi mundësinë të prekte finalen e madhe.

E shkuara

Pas shkëlqimit në botërorin e kaluar, Brazil 2014, nën drejtimin e Louis van Gaal, Holanda nuk ka mundur dot të kualifikohet në Euro 2016 dhe në Rusi 2018. Kjo ishte arsyeja që Guus Hiddink e Danny Blind u shkarkuan pa u mbyllur ende kualifikueset e fundit, ndërsa trajneri aktual Dick Advocaat ka bërë një punë të shkëlqyer, duke fituar katër nga pesë ndeshjet e fundit kualifikuese. Por nga ecuria e ndeshjeve të para kualifikuese, Holanda nuk ia doli të kualifikohej në Rusi, ndërsa  Advocaat është 70-vjeç, moshë që nuk premton që Holanda të ketë pritshmëritë e saj të larta në botërorin e ardhshëm. Kandidat kryesor për stolin e tulipanëve para Euro 2020 shihet Giovanni van Bronckhorst, ish-futbollist i kombëtares holandeze. Megjhithatë, sido që jetë, e ardhmja e Holandës nuk shihet e zymtë, sepse atje talenti nuk mungon asnjëherë. Holanda U-19 shkoi në gjysmëfinale të Kampionatit Europian 2017, duke shpalosur një futboll spektakolar.  Pothuajse të gjithë lojtarët e talentuar të Holandës janë produkt i akademive të klubeve të këtij vendi.

Shqipëria

Kombëtarja shqiptare ka gjithashtu lojtarë të spikatur e me të ardhme. Por shumica e tyre vijnë nga klube të huaja, ose nga vende të tjera ku kanë lindur e janë rritur. Ka pak produkt cilësor në klubet brenda vendit tonë, çka nxjerr në pah funksionimin e dobët të organizimit të akademive të futbollit në Shqipëri dhe mungesën e perspektivës për talentin. Me shpresë se lojtarë si Thomas Strakosha, që karrierën e kanë nisur jashtë dhe po shkëlqejnë në liga të rëndësishme si Seria A, Kombëtarja e Shqipërisë kërkon të kualifikohet në finalet e Euro 2020, pa pasur asnjë objektiv afatgjatë për botërorin, nisur edhe nga fakti se nuk ka arritur kurrë të kualifikohet në një event të tillë. Edhe pse ëndrra e madhe e tifozëve kuqezi mbetet kualifikimi i Kombëtares së Shqipërisë në finalet e një Botërori, e sigurisht kjo është edhe ëndrra e lojtarëve të saj, duket se tradita, historia dhe mungesa e produktit vendas, nuk i lejon lojtarë të talentuar si Thomas Strakosha që të ëndërrojnë për të shkëlqyer edhe ata në një botëror.

Seria A

Shkëlqimi i Thomas, i ati në ndjekje të birit

Talentë të së ardhmes që shpreson të ringrihet Holanda kanë lindur dhe janë  rritur në vendin e tyre. Shumica e futbollistëve të talentuar që ka sot Shqipëria, siç është rasti i Thomas, kanë lindur e zhvillojnë karrierën jashtë. “Kur mbushi 15-vjeç kuptova se Thomas kishte cilësi për të qenë një portier i mirë,” – thotë babai i tij Foto, i cili talentin e tij e zhvilloi në Shqipëri. Dhe si të mos mjaftojë ky fakt, edhe Foto është larguar me familjen në Romë ku po qëndron pranë të birit. Prej korrikut Thomas ka edhe familjen pranë shton ish-kapiteni kuqezi, çka do të thotë se të talentuarit e kombëtares sonë përveç se zhvillohen jashtë vendit të tyre, marrin më pas edhe familjet me vete. “Familja është bashkuar me Thomas e kështu jetojmë të gjithë së bashku.”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: