Studimi: Në Kamzë, fëmijë të kequshqyer, në Tiranë mbipeshë

Studimi:  Në Kamzë, fëmijë të kequshqyer, në Tiranë mbipeshë
Mbipesha krahas të rriturve, po rrezikon në masë edhe shëndetin e fëmijëve. Në një studim të kryer nga Autoriteti Shëndetësor Rajonal, hidhet alarmi se stili i jetesës që kanë përqafuar shqiptarët gjatë viteve të fundit, (ku po rendet drejt ushqimeve të konservuara, fast food-eve, teksa mungojnë dhe aktivitetet fizike, po mbart pasoje ta renda edhe tek fëmijët e vegjël

Sonila Isaku

Një studim i Autoritetit Shëndetësor Rajonal në Tiranë, ku janë pyetur 800 nxënës dhe 15 shkolla, evidenton problematika që lidhen me kequshqyerjen, shikimin dhe qëndrimin e tyre përpara televizionit pa praninë e prindërve. Nxënësit e klasave të dytë i janë përgjigjur një pyetësor që lidhet më këto çështje, dhe gjetjes janë shqetësuese përsa i takon ushqyerjes dhe shikimit.

Studimi

Studimi i bërë nga Autoriteti Rajonal Shëndetësor me fëmijë të klasave të dytë të moshës 8 vjeç ka nxjerrë në pah dy anët negative të rritjes së fëmijëve, ku në Kamëz gjen fëmijë të kequshqyer, nën peshë dhe të shkurtër. Ndërsa në Tiranë në këtë moshë gjen fëmijë obezë. “Rreth 4% e fëmijëve janë në peshë. Del e qartë se disa fëmijë ushqehen deri në një herë në ditë. Kryesisht këto ndodhi në Bashkinë e Kamzës, ndërsa pjesa tjetër ka më tepër probleme me obezitetin, mbipeshën. Një problem i madh tek fëmijët 7-8vjeç”, u shpreh Dritan Ulqinaku – drejtor i Autoritet Shëndetësor Rajonal.

Sipas raportit,  4% e fëmijëve janë nënpeshë, 13% e tyre mbipeshe, 9% janë obez dhe 74% e fëmijëve me peshë normale. 10% e fëmijëve i janë përgjigjur pyetësorit se konsumojnë 1 vakt në ditë, 11% e tyre konsumojnë 2 vakte, dhe 38% katër vakte në ditë, që evidenton në këtë mënyrë problematikat e kequshyerjes. Shifrat më të larta janë në Kamëz ku dhe zhvillimi fizik i 8 vjeçarëve është i mangët sepse fëmijët hanë vetëm njëherë në ditë.

Mosha

Me rritjen e moshës vërehet një lloj përmirësimi i parametrave sa i takon obezitetit. Konkretisht, tek fëmijët e moshave 7-8 vjeç, mbipesha e obeziteti janë në vlera më të larta, ndërsa me rritjen e kësaj moshe vihet re një lloj rënie. Po sipas raportit, obeziteti shihet më i lartë në grupmoshën e fëmijëve 8 dhe 9 vjeç, kategori për të cilën duhet treguar shumë kujdes, veçanërisht në drejtim të ushqimit. Sipas specialistëve, këto probleme shfaqen në raporte më të larta tek fëmijët që jetojnë në zonat urbane se sa në zonat rurale. Shkak për këtë gjë bëhet fakti se kontrolli i prindërve mbi format se si ushqehen fëmijët e tyre është shumë i pakët. Një tjetër faktor që ndikon në shfaqjen e shifrave të larta të obezitetit është edhe fakti se në shumë raste neglizhohet ngrënia e mëngjesit. Referuar këtyre të dhënave shqetësuese bluzat e bardha u bëjnë thirrje prindërve që të jenë të kujdesshëm në ushqimin që u servirin fëmijëve të tyre. Ndërkohë që rekomandojnë konsumin e mëngjesit me çdo kusht, në përmbajtje të cilit nuk duhet të mungojnë karbohidratet dhe proteinat që merren përmes qumështit, vezëve apo dhe frutave.

Duke qenë se fëmijët e këtyre moshave kalojnë një pjesë të madhe të kohës në shkolla dhe kopshte, kërkohet që pranë tyre të zbatohen programe të posaçme për ndjekjen e stilit të ushqyerjes së shëndetshme, pasi në të kundërt nëse një fëmijë preket nga obeziteti, ai mbetet i tillë edhe kur të rritet (duke lejuar të zhvillohen në organizmin e tij sëmundje nga më të rëndat, të cilat më pas çojnë në reduktimin e cilësisë dhe jetëgjatësisë”.

Mjeku okulist

Por studimi, i cili përveç matjes trupore kishte dhe qëllim shikueshmërinë ka nxjerrë në dukje një tjetër shqetësim madhor ku fëmijë të kësaj moshe kanë mangësi të theksuara në shikim. “Gjetëm fëmijë që nuk arrin të ndiqnin mësuesen, sepse nuk kishin bërë një vizitë tek okulisti. Kishin probleme me mësimet sepse nuk shikonin dot”, tha Ulqinaku. Sipas gjetjeve të studimit rezulton se 80% e fëmijëve janë përgjigjur përapra 1 viti, ndërsa 20% e tyre kanë deklaruar se asnjëherë. Gjetjet në kampionin e marrë në studim tregojnë se fëmijët kanë probleme me shikimin,  3% me syrin e djathte dhe 4% me syrin e majtë. Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë që prindërit të dërgojnë fëmijët e tyre tek okulisti çdo 6 muaj deri në moshën 10 vjeç.

Edhe përse i përkasin moshës 7-8 vjeç, bie në sy që fëmijët kalojnë 1 orë ose më shumë se një orë përpara televizorit, madje jashtë vëmenjes së prindërve.

Të dhëna mbi studimin e kryer

Pesha dhe ushqimi

4% e fëmijëve janë nënpeshe, 13% e tyre mbipeshë,

9% janë obez dhe 74% fëmije me peshë normale

74% e fëmijëve me peshë normale

10% e fëmijëve i janë përgjigjur pyetësorit se konsumojnë 1 vakt në ditë

11% e tyre konsumojnë 2 vakte,

38% katër vakte në ditë

Vizita te mjeku okulist

80% e fëmijëve janë përgjigjur se e kanë takuar mjekun okulist  përapra 1 viti,

20% e tyre kanë deklaruar se asnjëherë nuk kanë shkuar te mjeku okulist

3% e fëmijëve kanë deklaruar se kanë probleme me me syrin e djathte

4% e fëmijëve kanë deklaruar se kanë probleme me syrin e majtë.

Këshilla mbi ushqyerjen e fëmijëve

Mbipesha shoqërohet edhe me probleme të tjera fizike të tipit; probleme me frymëmarrjen, me tretjen, probleme motorike etj. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë edhe ndikimet psikologjike që mund të ketë si humbja e vetëvlerësimit, refuzimi i trupit, mbyllja në vetvete, ndjenja të pasigurisë etj. Por cilat janë disa nga këshillat kyçe mbi ushqyerjen e fëmijëve? E rëndësishme  është të ushqejmë  fëmijën me 3 vakte të rregullta në orare duke i shoqëruar në mes me një “vakt” të vogël paradite dhe pasdite por asnjëherë duke ngrënë jashtë orarit. Gatuani në mënyrë të thjeshtë, pa shumë asortimente, jepini shumë fruta dhe perime. Moderoni sasinë dhe mësoni fëmijën të ushqehet ngadalë. Zbrazni kuzhinën dhe frigoriferin nga ushqimet dhe pijet kalorike. Mos ndizni televizorin gjatë vakteve. Inkurajoni fëmijët për aktivitete të ndryshme sportive. Mos fajësoni fëmijën nëse tundohet duke ngrënë ndonjë ëmbëlsirë dhe çështja e peshës nuk duhet të kthehet në një obsesion.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: