“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Zbulohet procesverbali: Shoku Erion Veliaj takon pensionistët për "7 xhuxhat"

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Zbulohet procesverbali: Shoku Erion Veliaj takon pensionistët për "7 xhuxhat"
Satirë

Parantezë

Ne, si rubrikë, propozojmë që, në anën e përparme të ndërtesës së lartë që do ketë hartën e Shqipërisë, duhet të jenë vetëm wc-të, apo siç i thotë populli, haletë.

Kjo, për të treguar që, Shqipërinë po e bëjmë hale ...

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me një lajm të mirë, ekskluzivisht yni. Rubrika jonë, ka mundur të sigurojë procesverbalin e bashkëllafosjes së kryetarit të bashkisë, me një grup pensionistësh. (Në takim, nuk pranuan të vinin të rinj, se ata e kishin mendjen të niseshin me kamionë, për në Britani.)

Ja ç'shkruhet në këtë dokument.

Tema: Prishja e Këndit të Lojërave, "7 xhuxhat"

Ora 22:30 minuta, janar 2017 (ora e vonë tregon se, shoku Erion punon edhe natën, për të mirën e komunitetit).

Procesverbali vazhdon: Fjalën e merr Kryebashkiaku.

Ai thotë:

Erion Veliaj: Jam takuar së bashku me Kryeministrin ,edhe në ditën e ndërrimit të viteve. Gjumë në sy nuk kemi vënë, derisa ramë me Ramën dakord që, ai palo park për fëmijë, të prishet. (Duartrokitje) Nuk është normale, madje është fyese për kryeqytetin tonë, të ketë në qendër të saj, diçka që ka lidhje me emrin e disa xhuxhëve.

Përse e them këtë, që do e thoshit edhe ju?

E para.

Në emrin "7 xhuxhat", ka diskriminim. Në kohën që "babi" im shpirtëror, Xhorxh Sorros, po lufton për të drejtat e martesave brenda gjinisë, ne jemi ende në kohën e përrallave, duke i etiketuar njerëzit, xhuxhë, apo gjigantë, etj. Kjo nuk është e drejtë, do thoshit edhe ju.

Është si të quash dikë të zi apo të bardhë, qorr, apo topall, ndërkohë që për ne, ish-99-shët, të gjithë njerëzit janë njëlloj, pavarësisht ndryshimeve fizike. (Dëgjohen thirrje "Rroftë Sorros! Poshtë ata që nuk e duan!")

E dyta.

Vetë emri "7 xhuxhat", e shtyn fantazinë e njerëzve të mendojnë se, midis atyre burrave, me komunitetin përreth, ka patur një marrëdhënie jo normale. Edhe ju e mendoni.

Ç'deshën, ç'bënin ata xhuxhë aty në pyll, të vetmuar?! Dhe pyetjet tuaja do të vazhdojnë:

Përse rrinin të veçuar, e nuk merrnin pjesë në aktivitetet që organizonte mbreti, apo për më tepër kryetari i bashkisë së tyre?

Sjellja joshoqërore, e aspak bashkëpunuese e këtyre xhuxhëve të veçuar, përbën një shembull mjaft të keq për banorët e qytetit që unë drejtoj. (Duartrokitje. Disa gra pensioniste pa dhëmbë, bërtasin: Të rrojë Partia!", "Lavdi Enverit dhe punës së palodhur të shokut Erion, në vijëzimin e rrugëve!)

(Shoku Erion, falënderon pensionistët për mbështetjen, e pastaj vazhdon)

Imagjinoni, për një çast, sikur nën shembullin e këtyre xhuxhëve, qytetarët e kryeqytetit tonë, që po pëson ndryshime cilësore falë punës së të gjithëve ne, të jetojnë të veçuar.

Të mos të paguajnë asnjë taksë apo tarifë vendore. E si mund të ndërtohen kështu shkolla, biblioteka për fëmijëvet tanë, do thoshit ju.

Ndërkohë që sot në Tiranë, ne po sigurojmë që çdo pallat, të ketë administratorin e tij, xhuxhët s'kishin asnjë drejtues për mbarëvajtjen e punëve. Kujt i shërben një shembull i tillë? Asnjërit, do thoshit ju! (Dëgjohet thirrja: "Parti-Ramiz! Uniteti nuk lëviz!")

(Shoku Erion falënderon përsëri dhe thotë)

Po nevojat personale, ku i kryenin këta xhuxhë? Ku shkonte produkti që ata nxirrnin?

Sigurisht që, në ndonjë prrua apo lumë afër shtëpisë së tyre, do thoshit ju.

A është logjike që, neve të mbanim parkun e lojërave, me emrin e disa njerëzve pisanjosë që ndotnin mjedisin, ndërkohë që po pastrojmë Lanën nga jashtëqitjet?

(Ndërhyn shoqja Nafije, e cila thotë:

- Ju lumtë, shoku Erion! Edhe fëmijët e mi që jetojnë në Amerikë, kur morën vesh që do prishej ky park me atë palo emër, ishin dakord. Të rrojë partia, - më thanë, me lot në sy" ...)

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: