Daniel Mustafa: Jam fanatik i këngëve të vjetra të tabanit

Daniel Mustafa: Jam fanatik i këngëve të vjetra të tabanit
Flet posaçërisht për Albanian Free Press, këngëtari dhe kitaristi i njohur i muzikës popullore, Daniel Mustafa: Besoj se çdo njeri, kur ka pranë gjysmën e tij më të mirë, në çdo drejtim është i plotësuar. Unë jam shumë i lumtur. Ç’mund të them për vajzën, ajo është drita e syve, është frymëzimi im, është gjithçka.

Në këtë intervistë ai shprehet se është i lumtur me në krah gjysmën e tij më të mirë dhe vajzën e vogël që erdhi nga kjo dashuri. Por përveç fatit në jetën familjare, Daniel Mustafa, prej vitesh ka qenë pjesë e jetës së natës së Tiranës, me kitarën e tij e më pas, i lidhur edhe me traditën familjare, u dedikua plotësisht me interpretimin dhe krijimin në këngën popullore të tabanit. Gjithmonë me në krah bashkëshorten, këngëtaren e njohur, Nertila Vreto, janë nga më të kërkuarit në dasme e gëzime familjare, por ndërkohë prodhimtarë edhe në hit-e popullore. Ky është rrëfimi i njërit prej kantautorëve më të suksesshëm të muzikës popullore të viteve të fundit, Danil Mustafa.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Si ka qenë fëmijëria juaj, mund të na rrëfeni mbi të?

Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur, siç do të rrëfenin shumë fëmijë. Kujtoj se kam qenë një fëmijë shumë çamarrok, nuk lija dy gurë bashkë ha ha ha.

 

Kur jeni dashuruar për herë të parë me muzikën?

Prindërit më tregojnë që pasioni për muzikën më ka lindur që kur isha 5 vjeç, pasi në çdo festë familjare mblidheshim të gjithë dhe këndonim, përveç kësaj, gjyshi im nga mamaja, por edhe mamaja, këndonin të dy në festivale folklorike.

 

Si lindi pasioni juaj për muzikën popullore?

Pasioni im ka lindur pikërisht nga mamaja ime sepse ajo këndon shumë bukur këngët popullore të tabanit, më pas hyra në kurs për kitarë dhe aty, përveç muzikës së lehtë, ushtroja dhe repertorin e muzikës popullore.

 

Prej shumë vitesh jeni, bashkë me bashkëshorten, shumë i kërkuar ne festa e gëzime familjare. Si e zgjidhni repertorin?

Dikur kam punuar nëpër klubet më të njohura në Tiranë, si kitarist dhe këngëtar dhe eksperienca më ka bërë që të zgjedh këngë që i përshtaten vokalit tim. Dhe tani që shkojmë kudo bashkë me Nertilën, e plotësojmë shumë mirë njëri-tjetrin dhe kemi një repertor të larmishëm.

 

Si e pasuroni atë?

Normalisht për pasurimin e repertorit na ndihmon shume kitara, pasi studiojmë shumë në shtëpi dhe përzgjedhim këngët që krijojnë atmosferë dhe që na përshtaten më së miri.

 

Si lind për ju një këngë e re?

Që të lindë një këngë e re, duhet të kesh një motiv, duhet të kesh frymëzim nga ka edhe diçka tjetër, p.sh, kënga “Sevdaja m’u shtua”, që kam realizuar me Nertilën, është një krijim i imi, gjithashtu dhe kënga “Bekuar me fëmijë”, të cilën ja kemi kushtuar zemrës tonë, Dailës, është po krijimi im.

 

Nga frymëzoheni më shumë?

Frymëzimi është çështje momenti dhe vjen spontanisht, por kur kam kitarën në dorë, gjithmonë më lind një melodi e re.

 

Sa i ka shtuar jetës tuaj dashuria me bashkëshorten? Po vajza?

Besoj se çdo njeri, kur ka pranë gjysmën e tij më të mirë, në çdo drejtim është i plotësuar. Unë jam shumë i lumtur. Ç’mund të them për vajzën, ajo është drita e syve, është frymëzimi im, është gjithçka.

 

Muzika popullore po reziston ndaj sulmeve të rrymave të ndryshme. Ju çfarë bëni për këtë?

Unë jam fanatik i këngëve të vjetra të tabanit, pasi ajo është muzika e vërtetë popullore. Rryma muzikore ka shumë, por muzika popullore është e pa vdekshme.

 

A do pushoni këtë verë?

Meqenëse ka filluar sezoni i dasmave dhe gëzimeve familjare, ne jemi të angazhuar dhe në momentin kur e gjejmë kohën, pushojmë, por pushime të mirëfillta shpresojmë të kemi pasi të mbarojmë sezonin.

 

Për çfarë do të luftonit më fort?

Për lumturinë e familjes time.

 

Keni kujdes me veshjen në performanca apo kujdeset bashkëshortja?

Për sa i përket veshjes, gjithmonë “gërricemi” me Nertilën, e megjithatë i marrim mendime njeri-tjetrit dhe në fund portofoli ngel bosh.

 

Në çfarë ju ngjan vajza juaj?

Këtu vlen shprehja "Bëmë baba të të ngjaj" (edhe pse Nertila ka pak inat) ha ha ha.

 

Jeta me bashkëshorten, dy artistë..si lindi kjo dashuri?

Bashkëshortja ime, Nertila është, ashtu siç ju e dini, këngëtare dhe ne ishim të ftuar bashkë, unë me grupin tim, ajo si këngëtare, në një gëzim familjar. Aty lindën shkëndijat e para besoj. Gjithmonë e kujtojmë atë moment. Mua më emocionoi zëri i saj ndërsa ajo më thotë se çdo  tel i kitarës time kishte një dridhje zemre...ehhh, i ka dashuria këto ha ha ha.

 

A është e lehtë jeta mes dy artistësh?

Kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe kuptohemi mjaft mirë, më e rëndësishmja është që respekti tek ne është reciprok.

 

Keni një mesazh për publikun dhe për të rinjtë që duan të jenë artistë?

Çdo i ri duhet të ketë vetëbesim dhe vullnet për të arritur aty ku dëshiron dhe mbi të gjitha, duhet të jetë njeri pastaj artist.

 

Mund të na rrëfeni ndonjë projekt të ri?

Jemi duke punuar dy materiale, por nuk mund të them një datë të caktuar, sepse do kohën e vet çdo gjë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: