Eranda Libohova: Çfarë është vërtet e bukur, është jetëgjatë!

Eranda Libohova: Çfarë është vërtet e bukur, është jetëgjatë!
Flet ekskluzivisht për "Albanian Free Press", këngëtarja e mirënjohur Eranda Libohova: Jam përpjekur ta ndjek e ta ruaj nga pak traditën. Kjo edhe në muzikën e lehtë, jam përpjekur ta alternoj muzikën moderne me tinguj ose pjesë nga muzika e tabanit. Është vlerë e madhe që ne t’i ruajmë këngët tona të traditës, kostumet e bukura popullore, sepse kemi folklor kaq të pasur. Ndjej keqardhje kur, ky folklor nuk shfrytëzohet si e sa duhet!

Me Erandën, motrën e vogël Libohova, njihem prej vitesh, por hendeku mes dy intervistave është 20-vjeçar. Edhe atëherë për RTSH-në, takimi u bë ngrohtësisht në vilën e familjes, përpara një çaji te shtëpia e Irmës e ku unë u habita kur pashë dhomën e fitnesit që motrat Libohova kishin qysh në ato vite. Por si atëherë, edhe sot, Eranda, këngëtarja e shumë viteve karrierë, është po ajo, në fizik dhe elegancë, buzëqeshje dhe pozitivitet. Në mes tonë janë me dhjetëra hite e një sukses absolut, i pavarur nga e madhja Irma dhe i përqafuar nga publiku i të gjithë brezave! Kafja jonë miqësore u la pranë Radio-Tiranës e duhet të kuptoni se, Eranda ndalej e përshëndeste të gjithë, edhe kompozitorë të njohur, edhe gruan që lypte cigare në rrugë e që këndonte me pak zë këngët e saj. Ndoshta, ky është edhe sekreti i freskisë së saj të pashterur. Ky është rrëfimi i saj për ne!

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Juela Mecani

Jam kureshtare, mbiemri juaj tregon edhe origjinën tuaj?

Ne kemi lindur në Tiranë, tre motra dhe dy vëllezër. Babai im i cili ka qenë gjeometër, ka lindur në Lushnjë, por origjinat tona janë nga Libohova dhe datojnë shumë vite më parë, në vitet ’20. Gjyshi dhe gjyshja jonë, kanë lindur në Libohovë, gjyshi ka qenë arsimtar. Por mbiemri i tyre ka qenë Ismailati. Kur u largua nga Libohova dhe shkoi në Lushnjë si arsimtar, mori mbiemrin e vendit të origjinës, pra Libohova, atë që ne kemi nderin të gëzojmë sot.

Skena e madhe me spektatorë, kur e ka njohur Erandën?

E mbaj mend shumë mirë këtë, ka qenë në vitet ’80. Ka qenë përpara se unë të dilja në skenën e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Motra ime, Irma, ka qenë pjesë e trupës së Estradës së Tiranës dhe më mori me vete të këndoja. Në ato vite, unë isha në vitin e parë në shkollë të mesme. Ajo më shoqëroi tek kompozitori i madh, Aleksandër Lalo. Mjeshtri Lalo më ka ndihmuar shumë! Ai më dëgjoi vokalin dhe interpretimin me kujdes. Këndova një këngë popullore, pikërisht atë këndova edhe në daljen time të parë në skenën e Estradës së Tiranës. Isha vetëm 15 vjeç.

Në ato vite, ishin “në modë” zërat e fuqishëm”, të plotë. Ti kishe një vibrato karakteristike, zë të ëmbël... po pate sukses...

E vërtetë është që unë kisha dhe kam një vokal të butë e të ngrohtë. Kompozitori Aleksandër Lalo, natyrë delikate dhe tepër i ndjeshëm si natyrë dhe si artist, po ta dallosh edhe në muzikën dhe këngët e tij, dallohet qartë ndjenja, butësia. Prandaj, mendoj se edhe vokali im, iu përshtat mjaft mirë shijes së tij. Më ka çmuar gjithmonë shumë dhe kjo gjë ka qenë mbështetje e madhe për fillimet e mia!

E nise me një sukses të madh. Kjo jo gjithmonë i vlen një artisti në vazhdim. Por ti ia dole, pse?

Pata mbështetje të dyanshme, tepër të madhe. Isha e përkrahur nga motra ime Irma dhe nga artistët më të mirë të brezit - kompozitorët më të mirë të kohës me të cilët kam punuar. E nisa shumë mirë, vërtet! Por ka këtu një veçanti. Menjëherë më pas, erdhi ndërrimi i sistemeve dhe detyrimisht arti, skena, detyroi që artistë të shumtë të ndaleshin. Kështu edhe unë, bëra një shkëputje nga skena shqiptare, por që më shërbeu mjaft.

Çfarë do të thotë që të shërbeu?

Sepse e shfrytëzova të pasurohesha vokalisht dhe shpirtërisht. Në ato vite dhe për shumë vite, pata një eksperiencë shumë të bukur jashtë Shqipërisë, në diasporë, ku performova në vende të shumta. Kjo eksperiencë më rriti edhe profesionalisht.

Unë e kam parë nga afër këtë eksperiencë, kam hyrë në një sallë të madhe ku motrat Libohova këndonin me sukses...

Po, do ketë qenë në Zvicër, por ne kemi kënduar në shumë vende, deri në SHBA. Ka qenë një stazh pune për mua në ato vite, deri në vitin 1998.

Njihen motrat Libohova, sepse jeni tre motra, por vëllezërit jo...

Ata jetojnë jashtë Shqipërisë, njëri në Gjermani dhe tjetri në SHBA, por nuk njihen pasi nuk janë persona publikë.

Ajo që më bëri përshtypje është se, ju këndonit këngë origjinale, burimore...

Po, atëherë vetëm ato këngë ekzistonin Juela, nuk kishin filluar këto prurjet e rrymat e reja muzikore, që duken si copy-paste. Unë e kam shumë të pasur repertorin e këngëve popullore me këngë të traditës, nga atë të legjendave të këngës: Hafsa Zyberi, Fitnete Rexha, Naile Hoxha etj., të gjithë këngëtare të muzikës popullore. Do jenë të preferuarat e mia gjithmonë!

Edhe në përfaqësimet e tua në festivale, ke shpesh detaje etnike. Pse?

Po, i kam përdorur shumë. Në fakt nuk ka qenë e qëllimshme, por ke parë ti që më kanë ardhur nga brenda që t’i zgjedh! Kur kam kënduar këngën “Dashuria” p.sh., vesha një xhubletë të malësisë së mbi Shkodrës, të cilën e kishte ruajtur një koleksioniste, zonjë e mrekullueshme, Linda Spahiu! Ja, kështu jam përpjekur ta ndjek e ta ruaj nga pak traditën. Kjo edhe në muzikën e lehtë, jam përpjekur ta alternoj muzikën moderne me tinguj ose pjesë nga muzika e tabanit. Është një vlerë e madhe, që ne t’i ruajmë këngët e traditës sonë, kostumet e bukura popullore, sepse kemi një folklor kaq të pasur! Ndjej keqardhje kur, ky folklor nuk shfrytëzohet si e sa duhet!

Veçon ndonjë bashkëpunëtor, nga ata me të cilët punon?

Kam pasur fatin e madh të kem në krah bashkëpunëtorë mjaft të zotë, por sigurisht që veçoj të madhin Agim Krajka, i cili më ka lançuar në këngën e parë, Gazmend Mullain i cili më dha suksesin si Erand e jo si motra e Irmës, poeten Zhuljana Jorganxhi me tekstin e ndjerë të këngës “Kthehu për vete e jo për mua”, e cila ka qenë ndër pikat e forta që shënoi karrierën time. Vlerësoj shumë Genti Lakon e Flor Mumajezin, që i përkasin karrierës time pas viteve 2000, plejada më e re - tjetër dritare e muzikës kur ajo filloi të bëhej më bashkëkohore.

Mendon se ka një rikthim të dashurisë për muzikën e lehtë? U mbingop tregu me ritme ballkanike?

E vuaj mjaft këtë pjesë! Nuk është e lehtë për të gjetur një kompozitor që të shkruajë muzikë të lehtë, atë që unë kam kënduar në vitet ’90, ashtu siç e ka ruajtur traditën vendi ynë fqinjë, Italia - i cili, prej disa dekadash, e ruan ritmin dhe trendin e këngëve të lehta. Ata janë besnikë të muzikës së tyre, kanë identitet e mua kjo më mungon. Kam bërë disa bashkëpunime të muzikës së lehtë, me kompozitorin Gent Myftaraj, një baladë, e cila është për mua shumë e bukur! Por ke parë ti që, nuk arriti aty ku unë doja! S’di pse, por druhem se janë prishur edhe shijet muzikore.

Por a nuk e kanë artistët këtë mision, të edukojnë shijen e publikut?

Sigurisht, por janë aq pak ata që prodhojnë. Nuk ka shumë artistë që prodhojnë muzikë të mirë të lehtë.

Po festivalet, a ndikojnë në këtë aspekt?

Ndikojnë Juela, por ka kaq prurje të shumta, sa që nuk mbetet asgjë! Atëherë kishte vetëm një festival kombëtar dhe çdo gjë e bukur mbetej.

Por këngët e tua, vit pas viti, mbeten, i kap veshi; është zgjedhje e jotja kjo?

Kënga është fat! Të të vijë në duar një këngë e bukur, është fat i madh! Ka pasur edhe raste që më kanë ardhur këngë të cilat nuk kanë qenë për mua. Por përgjithësisht, më kanë rastisur këngë të bukura e me kualitet të lartë. Është e vërtetë që, janë shumë këngë të miat që kanë mbetur edhe sot në “veshin” dhe buzët e publikut. Ja p.sh., sot kam postuar këngën “Buzët më ishin tharë”, që e kam kënduar përpara 14 vjetësh. Një sukses i paparë, komente të shumta – pra, një këngë që ka mbetur thellë te publiku.

Sepse me atë këngë, kanë lotuar e janë dashuruar mijëra vetë...

E ja pra, çfarë i duhet më shumë artistit! Këtë do, në fund të fundit, një artist, që vepra e tij, kënga, melodia, poezia, të mbeten të pashlyera në mendjen e publikut!

Je kaq shumë vite në karrierë, kaq shumë sukses dhe je po kaq shumë modeste, kaq e thjeshtë dhe e dashur me njerëzit...

Çfarë duhet të bëjmë ndryshe? Mos duhet vallë të jemi arrogantë? Të “ulërijmë” për vlerat që kemi? Jo, unë nuk jam ashtu e nuk do të bëhem dot kurrë e tillë! Me sa duket qartë, vij nga një “old school”, nga një shkollë e hershme e thjeshtësisë dhe dashurisë për njerëzit. Ndoshta, ashtu siç kanë ardhur kohët, mund të ishte mirë të isha më e zonja ose e prirur të reklamoja veten ose punën time, por ja që nuk ndryshoj dot më. Gjërat e bukura mbeten në treg, sipas konceptit tim. Sot ndoshta, ky koncept ka ndryshuar për të tjerët, por jo për mua. Vazhdoj të mendoj se, çfarë është e bukur vërtet, mbetet dhe është jetëgjatë!

Po mirë, si ia bën që ke mbetur një çupëlinë e vogël, në pamje e kam fjalën!

Faleminderit, por i kemi mbi supe e dashur Juela, vitet! Nuk kam nerva të merrem me palestër, siç ndoshta mendohet, do përqendrim e unë s’e kam. Unë bëj zumba, më mban në formë e më argëton. Nuk shquhem për një aktivitet të madh fizik, por mendoj se jam me fat, sepse kam trashëgimi të mirë!

Po veshja, stili, postamenti yt, pse pëlqehen kaq shumë, i lindur edhe ky?

Po, sepse edhe shija, pavarësisht se mund të përmirësohet ose edukohet, lind me njeriun. Unë qysh e vogël, kam pasur dëshirë të vishem ndryshe nga të tjerët. Kujtoj se, kishte dalë në treg një kadife, në ato vite, me viza të trasha, e unë që e bleva dhe e qepa fund. Kam pasur dëshirën të isha jashtë masës së gjerë. Më ka mbetur edhe sot, kërkoj gjëra të rralla.

Kjo tek ti dallohet edhe në skenë, stili yt është unik...

Ka pasur edhe raste që i mendoj tani, se mund edhe të isha veshur ndryshe, por në përgjithësi jam munduar të sjell detaje interesante e të përshtatem edhe me këngën. Në gjithë këto vite karrierë, nuk mund të shpëtosh pa ndonjë gabim, por...

Mos je gjë ti vallë, që je shumë perfeksioniste?

Po normal, se jam shenja e Virgjëreshës ha ha ha.

Duhet ta kisha kuptuar më parë, jeni perfeksionistë...

Poooo, jemi detajistë dhe i japim rëndësi çdo situate deri në maksimum.

Le të ndalemi pak te kënga më e re, që sapo ka parë dritën, më trego si lindi ajo...

Kjo këngë nuk ishte fare në programet e mia. Kam bashkëpunuar shpesh me Gent Myftarajn; thjesht i dërgova një tekst të një mikeshës time dhe i thashë ta shikonte e ta vlerësonte për një baladë të mundshme. Ai më shprehu rezervat e tij mbi faktin se teksti, metrika, nuk i thoshte gjë. Por më bëri me dije se kishte një material tjetër, pa tekst. Ishte dashuri me dëgjim të parë! Realizuam një demo dhe brenda dy ditësh, ia çuam Pandi Laços për tekstin. Kënga është realizuar në më pak se 24 orë. Pra, kam kuptuar edhe këtë herë se, gjërat kur vijnë, vijnë, kur duan të bëhen, bëhen! Me sforcim nuk bëhet asgjë! Edhe kjo këngë erdhi kur duhej të vinte!

Ka një shijë verore, flet për dashurinë, është këngë edhe sociale...

Po, shumë e vërtetë! Ka mjaft çifte që jetojnë të ndarë, shumë shqiptarë që jetojnë larg, që punojnë, por që zemrën e kanë pranë asaj ose atij. Të shumtë janë njerëzit që kanë gjetur veten në këtë këngë. Komentet kanë qenë të shumta e tepër pozitive. Jam habitur me komentet në You Tube! Janë shumë për aq klikime sa kënga ka!

Por këngës i ka shtuar shumë bukuri edhe videoklipi... një film romancë...

Ideja dhe realizimi i videoklipit, është nga një miku ynë i vjetër, Ernis Çili, i cili ka kohë që merret me këtë fushë. Mendimi i tij ishte që videoklipi të merrte një fabul nga ideja e një minifilmi.

I beson shumë këtyre klikimeve?

Unë jo, nuk i besoj shumë këtyre klikimeve që shpesh janë fiktive. Nuk mendoj se nga to varet dëgjueshmëria e këngëve. Janë dëgjuar shumë këngët e mia, edhe kur nuk kishte klikime.

Kjo verë ku do të të gjejë?

Tepër të ngarkuar, si gjithmonë. Me koncerte, dasma dhe aktivitete të ndryshme. Për ne është pasion, por edhe punë, profesion. Vera është stina kryesore e aktivitetit tonë. Shpejt, pas mbarimit të kampionatit Botëror të Futbollit, nis “Maratona e këngës” dhe kam një këngë të bukur trio bashkë me Majën dhe Irmën; një duet tradicional me Irmën, si dhe një këngë moderne.

Ka shumë vite maratona, një takim juaji direkt me publikun...

Po, ka shumë vite që maratona e këngës na përqafon me publikun në shumë rrethe të Shqipërisë, por aty janë edhe pushuesit dhe bashkëkombësit tanë, që kanë ardhur me pushime. Ky kontakt direkt me njerëzit, është i mrekullueshëm e na pasuron shumë shpirtërisht!

Ke momente lodhjeje nga muzika?

Ndodh edhe të lodhem ose ezaurohem, veçanërisht në verë, kur jam shumë e ngarkuar, por zgjat fare pak.

Çfarë do të ishe, po të mos ishe bërë këngëtare?

Them shpesh se, po të mos isha bërë artiste, do të isha bërë një veterinere e mirë, pasi i dua shumë kafshët. Por më pëlqen edhe moda. Ndoshta - ha ha ha - do isha bërë asistente e Rrezarta Skifterit.

Jashtë shakasë, ju jeni mikesha të mira...

Po, që kur ishte studente në Akademinë e Arteve. Ajo më ka ndihmuar shumë, jo vetëm më ka stiluar veshje, por edhe gjërat e saj personale mi ka huazuar për shfaqje ose koncerte.

Po këngët “i qepin sipas” shijes tënde?

Po, më kanë ndenjur shumë mirë vokalisht, si një fustan i qepur sipas trupit. Disa këngë janë shkruar enkas për vokalin tim, si kënga e fundit ose kënga “Buzët më ishin tharë”.

Je ulur edhe të shkruash ndonjëherë vetë këngë?

Jo, asnjëherë. Improvizoj vetëm nëpër shtëpi kur jam në humor të mirë dhe këndoj shpenguar. Nuk dua të rrezikoj; mos i ngatërrojmë detyrat, çdokush duhet të bëjë atë që bën më mirë!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: