Sonja Caliner: Asgjë s’është e pamundur për një femër, ajo nuk njeh moshë

Sonja Caliner: Asgjë s’është e pamundur për një femër, ajo nuk njeh moshë
Flet Sonja Caliner, profesionistja në fushën e trajtimeve estetike joinvazive, e cila, prej disa vitesh, operon me sukses në trajtimet estetike dhe kujdesin për trupin dhe fytyrën

Jemi në stinën e pranverës, gjaku ndryshon vërshimin, hormonet zgjohen më shumë, shija bëhet më e hapur ndaj ushqimeve, dëshira për të qenë më dinamikë e më në kontakt me natyrën, rritet. Por, veçanërisht për femrat, rritet edhe sfida me veten dhe mjedisin ku jeton. Ato duan të duken bukur, teksa veshjet ulen në numër e linjat bëhen më të dukshme. Por edhe pse në një vend të vogël si Shqipëria, përballemi nëpërmjet mediave ose qendrave estetike, me një numër të madh variantesh që na këshillojnë dieta strikte, të shpejta, që kërkojnë shumë sakrifica e që na detyrojnë të mos shikojmë me sy, deri në vjeshtë, shumë ushqime ose gatime që adhurojmë. Një sfidë kjo, që vë në vështirësi jo pak femra të cilat duan të jenë të paraqitshme, në çdo kohë. Përpara se të hyjmë plotësisht në sezonin e nxehtë e të përballemi me provën e plazhit, kërkuam këshillën edhe të një zonje nga Tirana, e cila prej disa vitesh, është në kontakt të vazhdueshëm me qindra zonja dhe vajza, të cilat kërkojnë të ruajnë ose rigjejnë linjat dhe të jenë e duken më të shëndetshme. Ajo është Sonja Caliner të cilën, sapo e takon, të ngroh, më së pari me pamjen e saj. Sepse, siç më tregon, çdo gjë ka ardhur nga vetë ajo.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju keni qenë një juriste dhe, për shumë vjet, keni punuar në fushën e gjyqësorit. Si erdhi ky pasion për të bukurën dhe estetikën?

Nuk ndodhi asgjë rastësisht. E kam pasur gjithmonë pasion mjekësinë, madje dëshiroja të vazhdoja studimet në këtë degë. Por kur më doli e drejta e studimit për jurisprudencë, babai më qetësoi, duke më thënë se të dyja degët merren me njerëzit, pra qëllimi është i ngjashëm. Për shumë vite kam qenë edhe e angazhuar pranë gjyqësorit, por ja që fati, jeta, më bashkuan përsëri me pasionin tim të dikurshëm, kujdesin për shëndetin e njerëzve që më rrethojnë. Por as kjo nuk erdhi papritur. Lindi nga kujdesi për veten, nga dëshira që kisha për të rigjetur peshën dhe formën time fizike, përpjekjeve të mia për t’u ndjerë komode me trupin dhe portretin. Unë jam nënë e dy fëmijëve, tashmë të rritur. Por nuk më mungonte dëshira për t’u dukur bukur. Duke frekuentuar kështu qendra të specializuara jashtë Shqipërisë, pata edhe rastin të shpreh pasiguritë e mia, rezervat dhe mosbesimin që kisha, se edhe pa dieta strikte dhe sakrifica që dëmtojnë shëndetin, mund të gjesh peshën dhe linjat e duhura. Kur pashë rezultatet te vetja, atëherë vendosa që, këtë eksperiencë, ta transmetoj te femrat e tjera. Dhe mjekja që më kaloi dijet e saj, trashëgiminë e eksperiencës së saj, gjeti tek unë një femër kureshtare, por edhe me shpresë se asgjë nuk është e pamundur.

Jemi në pranverë. Për mendimin tuaj, a jemi në kohë për t’u dukur bukur në plazh?

Asgjë nuk është e pamundur për një femër e cila do të duket bukur, duke ruajtur origjinalitetin e saj. Unë nuk do të këshilloja asnjëherë dieta të frikshme, me mungesa të mëdha në vlerat ushqimore më të rëndësishme, por sigurisht nuk mund të them se të ushqehesh kryesisht me dieta me bazë makaronash ose picash, është e shëndetshme. Sigurisht që aktiviteti, ecja, sporti i lehtë, është i shëndetshëm dhe sigurisht, ajo që rekomandoj gjithmonë është që të pihen 2 deri në tre litra ujë në ditë. Trajtimet estetike joinvazive, pra pa kirurgji e kam fjalën, kërkojnë me domosdoshmëri respektimin e këtij parimi.

Pra, ju i këshilloni trajtimet që shkenca, së fundmi, ka sjellë si risi?

Ndjehet shumë diferenca pasi produktet, kur janë me përbërje kolagjeni, menjëherë lëkura e fytyrës përthith atë çfarë i duhet dhe sigurisht rezultatet shikohen me sy të lirë. Maskat dhe serumet, kur janë cilësore, bëjnë diferencën, pasi ato janë të përbëra me të gjitha elementët e duhur që i nevojiten çdo tipologjie lëkure. Lifting-u që unë këshilloj, ka efekt të menjëhershëm dhe realizohet me aparaturë. Pa injeksione dhe pa bisturi, duke i thënë stop bërjes së botox-it. Për një lëkurë të rinuar, pa rrudha, për tipare të konturuara dhe në harmoni me njëra-tjetrën. Lifting fytyre është një trajtim antimoshë dhe nuk kanë të bëjnë vitet. Aplikohet në fytyrë, qafë dhe dekolte. Ul vitet dhe fytyra merr pamje të re. Edhe vajzat e reja e aplikojnë, pasi i dhuron shkëlqim lëkurës, duke e bërë atë të jetë e bukur edhe pa make-up.

Ju thoni se, nuk ka të bëjë mosha?

Sigurisht që, me moshën, lëkura ndryshon, por nëse kujdesesh, ajo reagon në çdo moshë. Ju tregoj disa detaje interesante. Unë kam disa femra që ndjek, të cilat janë mbi të shtatëdhjetat, njëra madje 80-vjeçare. Janë zonja tepër aktive të cilat, duke u kujdesur për pamjen, kanë arritur dy qëllime: Të ndihem mirë me veten, por edhe të luftojnë depresionin apo ankthin. Ky është një nga rezultatet që më gëzon më shumë. Asgjë s’është e pamundur për një femër, ajo nuk njeh moshë.

Por a nuk është pak si i pamundur misioni që të arrihen linjat pa dietë?

Kur flas për dietë, e kam fjalën që njeriu ka nevojë për të gjitha ushqimet, por sigurisht me masë. Por po, unë mendoj se nuk është e pamundur, kërkon vetëm dëshirën për ta arritur si qëllim. Nuk mund të jem dakord me mënyra që sjellin dhimbje, probleme me shëndetin, si me tensionin ose sheqerin në gjak. Edhe tiparet e fytyrës, duhet të ruajnë harmoninë, format, konturet, pa ekzagjerime. Unë këshilloj të kihet më shumë besim te metodat e fundit, që nuk përkrahin rrezatime, dieta të forta ose elektroda, pa efekte afatgjata. Aparaturat si ai i Liposucionit ose i Limfo Drenazhit sjellin tonifikim, drenazh, pra largim të ujërave të tepërta, por pa dhimbje, pa efekte anësore. Po ashtu edhe aparaturat për lipomasazh, të cilat luftojnë me shumë sukses dukurinë aq të padëshiruar të celulitit tek femrat.

Pra, shkenca ka arritur nivele të tilla?

Por, por kur bëhet bashkë me vullnetin dhe forcën e një femre, për t’u ndjerë mirë me veten dhe të tjerët.

Keni menduar ta kaloni më tej këtë pasion për të bukurën?

Më vjen mirë që, vajza ime ndan me mua këtë pasion! Ajo së shpejti nis studimet për mjekësi, ndaj uroj dhe shpresoj që, një ditë, të jetë ajo që të vazhdojë më tej misionin tim!

Një mesazh për femrat?

Mos besoni të gjitha ato që lexoni ose shikoni! Informohuni thellë, shpresoni te ndryshimi dhe vlerësoni faktet, pra ndryshimet te vetja juaj! Vetëm atëherë, çdo trajtim e ka arritur qëllimin e tij!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: