Vetmia në mes të turmës

Vetmia në mes të turmës
 

Nga Juela Meçani

Jeni ndjerë të vetmuar ndonjëherë, edhe pse në mes të turmës? A ju ka ndodhur që të keni një izolim mendor e shpirtëror, kur ndërkohë jeni në mes të njerëzve që ju flasin e ju që tundni kokën në shenjë pohimi mbi tema apo subjekte të cilat në fakt ose nuk doni t’i dëgjoni fare, ose nuk i konsideroni me rëndësi?

Secili nga ne ka vetminë e tij. Nuk e kam fjalën për të ndenjur vetëm, por të ndjerit vetëm. Është ajo pjesë e jetës që ndiqet papritur edhe pse je në mes të të ngjashmëve me ty. Secila vetmi ka kuptimin e saj e për këdo, ndjenja e vetmisë merr forma shumë të ndryshme.

Për disa nga ne është e ashpër vetmia, ka sens negativ, ka sensin e indiferencës për të tjerët dhe merr trajtat e mungesës së pikave të referimit. Për të tjerë është një pamundësi për të shprehur idetë që burojnë nga dija, e për të tjerë është një perceptim i thellë i një braktisjeje të jetuar ose reale. Ka dhe nga ata që e perceptojnë vetminë si një nevojë përballë këndvështrimeve të të tjerëve që nuk janë në linjë me të tyren, për shumë të tjerë perceptohet si brishtësi dhe dobësi.

Kur je i vetmuar, je një i huaj ndaj të tjerëve dhe ndaj vetvetes. Nuk është sens përkatësie dhe as sens ndarjesh eksperience. Por a është një rritje e autonomisë? A është një mburojë, qoftë edhe e përkohshme nga presioni social? Po. Dhe kjo e bën të nevojshme atë. Vetmia është njëkohësisht një vuajtje e madhe dhe një risorsë e madhe.

Por a vuhet nga vetmia edhe pse je në mes të njerëzve në punë, jetë shoqërore, arsim etj? Po. Dhe pothuajse të gjithë e provojmë këtë herë pas here. Madje në momentin që kërkojmë socializim me ngulm, jemi më të vetmuar se kurrë. Gati të gjithë jemi të bindur se për “të mundur” vetminë është e nevojshme të rrimë me të tjerët, të jemi në çift (kjo me patjetër), të kemi shumë miq, të dalësh në jetë nate, të rrish mes njerëzve gjithë kohës. Por askush nuk mendon se pikërisht aty jemi të vetmuar, sepse është problem emotiviteti e jo numrash, është një realitet paradoksal i kërkimit tonë të vazhdueshëm nga bota e jashtme që të na japë sinjale, impulse nevoje.

Jetojmë në një botë kur ka një tjetër paradoks të madh, një nga të shumtët, jemi gjithmonë në kontakt me të tjerët, e mund të jemi në çdo vend e në shumë mënyra.

Por përse atëherë pranojmë të rrimë mes të tjerëve edhe kur nuk duam, apo me mendje jemi diku tjetër. Për obligim “shoqëror”, për obligim “moral”, për forcë zakoni, për ‘frikë” nga vetvetja, për hipokrizi të induktuar nga rrethi.

Vetmia është e shëndetshme kur shërben për rigjenerim. Është një detox për trurin ndaj sinjaleve shkatërruese nga lajmet e rënda, rrjetet sociale, streset e metropolit, streset që të hyjnë në jetë nga tregimtarë të zellshëm historish që nuk të përkasin.

Vetmia në mes të turmës është një sinjal se presioni shoqëror është bërë për ty mbytës e se duhet t’i kanalizosh energjitë e tua në drejtim krijues, si psh. të shkruash, të kompozosh, të pikturosh, të ecësh buzë detit, të eksperimentosh në gatim, ose edhe vetëm të rrish në meditim brenda oazit të identitetit tënd. Ndaj mos u druani nga vetmia. Brenda limitit me kut personal, ajo është shërim i vërtetë i kohëve që jetojmë.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: