ALBANA DHE JORIDA! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

ALBANA DHE JORIDA! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Mendoj thellësisht, e mendoj sepse kështu e ndjej, se ajo që i mungon më së tepërmi panoramës politike shqiptare, është ekuilibri që i jep opozita. Kjo jo e parë si një grupim politik me disa deputetë, as me dalje në konferenca për shtyp mbi tema të caktuara, as për aksione drastike. I mungon dukshëm apeli i ndërgjegjes, ai zëri që i thërret kombit dhe i kujton se çfarë ka më pak e më keq në jetën e përditshme. Ndoshta zë ka por është i mekur dhe i artikuluar jo bindshëm.

Gjithsesi mendimi im mbetet relativ, i diskutueshëm, i njëanshëm, këtë e di edhe vetë. Por kur hap portalet, gazetat dhe shikoj lajmet, e kam kapur veten shpesh që kam pasur një frymëmarrje çliruese kur kam lexuar ndërhyrjet profesionale të Albana Vokshit dhe Jorida Tabakut.

Nuk i kam shoqe, mikesha jo se jo, me to as një kafe nuk e kam pirë, nuk kam qenë pjesë e stafeve të tyre elektorale, nuk kam bërë pra me to fushatë. Kjo sa për sqarim për këdo që mund të dyshojë në këtë gjykim timin ose të mendojë se është mendim për qokë. Por thjesht dhe pastër sepse në të gjitha momentet kur vëmendja kolektive shkon pas një teme që opozita hedh në “tregun” mediatik dhe largon, me ose padashje vështrimin popullor nga tema që dhembin për xhepin, arsimin ose shëndetin e njerëzve, kur pushteti pompon nisma boshe veshur me skenografi moderne ose regji televizive, me qetësi dhe fakte, më del në skenë Jorida që këmbëngulëse flet me shifra ekonomike, e më del Albana që kap nga hunda kamerën dhe i rikujton se arsimi dhe shëndetësia e këtij vendi po kalojnë turpe të parrëfyeshme.

Dy zonjat në fjalë nuk rrinë aty e vrasin mendjen se si kanë dalë në fotografi dhe se si i kanë krehur flokët, por ngulmojnë të ma shpjegojnë për të njëmijtën herë se ajo që ka më shumë rëndësi në këtë jetë se tjetër nuk kemi, është se çfarë hamë, sa para na hyjnë në xhep, çfarë trukesh po përdoren që pikat e vjedhjes në faturat tona të bëhen në fund të vitit det.

Ndaloj e i lexoj ose shikoj sa herë që dalin në televizion ose shprehen në letër, sepse ndjej krenari për faktin se janë të vetmet, sot për sot, që bien ende aromë opozitarizëm, në një moment historik shëndetlig kur opozitë bën vetëm Sali Berisha.

Të them që më japin shpresë është pak shumë e madhe, sepse pavarësisht staturës dhe eksperiencës parlamentare, janë shumë pak në krahasim me nivelin e ulët përfaqësues në të gjithë parlamentin shqiptar. Por roli i tyre katërfishohet ose dallohet më shumë, që në momentin kur janë zonja në mision politik por me rrënjë ende të lidhura me votën, votuesin, lagjen, jetën e përditshme. Roli i tyre, në sytë e mi, katërfishohet edhe sepse janë një fakt se në politikë mundet edhe të ndërtosh një karrierë vit pas viti, duke qenë kompetente e temës që mbulon, pa bërë të diturin mbi çdo fushë të jetës, pavarësisht se ke rrezikun, në këtë skenar, që të jesh monotone ose e mërzitshme.

Është e ditur botërisht që ajo që fatkeqësisht publiku preferon të lexojë ose shohë janë skandalet, këto të të gjitha llojeve, armë, drogë, krim, moral etj etj. Por e dimë sa e vështirë është që fjali qytetare, veshur me fakte mbi tema ekonomike ose arsimi të tërheqin vëmendjen.

Aty është edhe rruga tjetër, ajo e goditjes frontale, të shpejtë, veshur me skandal.

Por zonjat në fjalë kanë ruajtur pozicionet e tyre, duke i mëshuar të njëjtave pika, të painfluencuara nga nivelet njerëzore e intelektuale partiake.

Sa mirë që ka një Albanë e një Joridë që kanë guximin të na shtrojnë në tavolinë për diskutim temat që na shkurtojnë jetën.

Në të kundërt asnjë intelektual i mesëm nuk do të merrte mundimin të hidhte sytë nga një qendër votimi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: