“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Amaneti Rilindas...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Amaneti Rilindas...
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë, që tregon se në këtë vend nuk ka vend pushteti fisnor. Gjatë fjalimit të kryeministrit, ku tha se deputeti i Kurbinit duhet të përjashtohej, pasi donte që të afërmit e vet t'i vendoste drejtorë, pati duartrokitje nga gjithë deputetët. Kjo tregon se deri tani, asnjë prej tyre nuk i lë të afërmit e tij, drejtorë.

E meqë ra llafi te rilindasit. Rubrika jonë, në gjurmët e rubrikave të tjera gazetareske, ka menduar të sjellë sot, këtë pjesë nga libri i vetëm i autorit të këtyre radhëve. Ky tregim botohet për herë të parë në llojin gazetë, në respekt të pensionistëve te pallati me dy mijë banorë, aq sa kanë mbetur banorë gjithsej në Tepelenë.

***

Më tha gruaja të merrja librat e djalit në librari. "Ik o burrë, aman!,- foli, -se kanë dalë të reja. Janë tekste alternative". "Janë tekste që alternojnë mësimin me qejfin", -sqaroi ajo. "Unë alamet burri të shkoj të marr librat?!", - fola, duke bërë sikur nuk doja të shkoja. "Po shko o babi, -ia priti djali, se atje ka kallaballëk të madh dhe nuk i merr dot mami"."Për ty të keqen babi do shkoj", -i thashë djalit.

Në fakt do shkoja për vete, meqë ato tekste kishin qejfin brenda. Para se të nisesha për në librari, mora Arifin në telefon, shokun tim të armëve dhe e pyeta. "Arif, ku ka librari, se s'kam parë ndonjëherë?". "Aty mor burrë, ku kemi zënë tokën shtëpi për nipin e mbesës tënde ka një librari", -foli Arifi me ton bariu.

U nisa për në librari. Miting i madh. Njerëz që shtyheshin e kapeshin nga ç'të kapnin. Hipur mbi njëri-tjetrin. Shkonte niveli i hipjes, dy metra mbi nivelin e kokës time. Në xham të librarisë ishte një parullë e madhe ku shkruhej: "Ju lutem telefononi për shkeljet në nr. tonë të tel. të Ministrisë së Arsimit".

Si me kulturë që jam dhe dije të thella shkencore që kam, telefonova. "Alooo, jam një qytetar polic. Po marr t'ju lajmëroj për shkeljet që ka këtu në librari". Kur nga ana tjetër e telefonit, një vajzë call-centeriste u përgjigj: "Oooooo shoko, e ke shkel fare me këtë telefonate për shkeljet. Më lër e mos shkel në rehatinë time, se po ha për qejfin tim, bukë, djathë e presh!" dhe ma mbylli telefonin. M’u duk sikur më mbeti preshi i saj në vesh.

M’u ngritën nervat. "Hapuni!, -i bërtita turmës. Policia!".

U shpërndanë të gjithë. U afrova gjithë delikatesë te shitësja, e cila dridhej nga emocionet që do më shërbente mua dhe i thashë gjithë mirësjellje: "Shpeeeejt! Më jep këto libra që janë në listë!".

E pashë që ajo m'i dha me qejf të madh. Kur dola jashtë dyqanit, pashë që në vend të listës së librave, i kisha dhënë shitëses listën e grafikut të shërbimit, të neve policëve. Ia hodha shtetit. I mora librat pa pará...

U nisa në shtëpi dhe i hodha librat djalit dhe vetë u ula për 8 palë qejfe mbi qilim e po mendoja si ta luftoja krimin. Në fakt, kurrë nuk i siguroj vetes 7 palë qejfe, siç bëjnë shumica. Përherë i jap bakshish vetes, kur bëhet fjalë për qejf. Pas pak, më pyet djali:

"O babi! Këtu thotë që Lufta e Trojës mund të mos ketë ndodhur dhe është vetëm një gënjeshtër e Homerit. Ka ndodhur a s'ka ndodhur kjo "Lufta e Trojës"?!

"Ç'është kjo luftë, të keqen babi? Ne të repartit tonë, s'kemi bërë asnjë luftë. Vetëm luftojmë me njëri-tjetrin kush do bëjë turnin e tretë, se flemë rehat në punë dhe një herë në vit marrim ndonjëherë ndonjë shtesë rroge".

"Po ajo Helena e bukur, o babi, për të cilën u vranë shumë burra".

"Nuk e di babi këtë "Luftën e Trojës", ka ndodhur apo s'ka ndodhur, por baba di që për atë Helenën dhe gjithë gratë e bukura, ne meshkujt do lëmë përherë leshtë e kokës, madje edhe lëkurën”, -iu përgjigja.

"O babi, ke dëgjuar për Çajupin?".

"Po si jo, o të keqen babi. Çajupi është mal në Lushnjë. E di mirë babi, se kam ndjekur në bjeshkët e Çajupit një kriminel të rrezikshëm, që i vodhi dhinë Arifit. E kemi zënë, e kemi bërë që nuk njohu veten nga dhia. Ia nxorëm brinjët njëlloj si brirët e dhisë".

"Po jo o babi, jo!", - bërtiti djali. "Po them për Çajupin, poetin".

"Nuk kemi asnjë polic-poet me emrin Çajup në repartin tonë, -ia ktheva djalit duke ngritur edhe supet nga habia. Pyet mamin mos ka pasur ndonjë në kooperativë, me këtë emër!".

"Po jo, o jo!", -ia priti prapë djali. Çajupi, poeti, që ka shkruar vargjet "Dërgomë një gur dërgomë, ta vë jastëk ndënë krye!". Po pse nuk ia dërguat gurin Çajupit ju o babi, por e latë Çajupin pa gur?!", -shtoi djali. U shtanga.

"Si more i ka mbetur guri pa dërguar këtij?!.   "Për kokën tënde nuk e di, babi. Do ketë qenë posta mbyllur, -bërtita. Bobo, i paska mbetur guri Çajupit pa dërguar! Po shkoj t'i them Arifit dhe komandantit, se duhet vënë amaneti në vend", -ulërita.

Djali, herë shikonte librin dhe herë mua...

"Ikaaaa t'i dërgoj gurin Çajupit!, -sokëllita me sa fuqi kisha dhe dola me të shpejtë nga shtëpia...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: