Pa humbur kohë, e drejtojmë “Antenën” më në jug të vendit. Drejtojmë elementët e saj në qytetin e Sarandës, apo siç quhet ndryshe, qytetin e “një mbi një pallateve”.
Lidhemi me gazetarin tonë atje të mësojmë se çfarë ka ndodhur.
Gazetari në Sarandë: Përshëndetje, lexuesit tanë! Gjendja këtu është lesh arapi.
Antena: A mund të jeni më shterues, ju lutem!
Gazetari në Sarandë: Jahti që u furnizua me karburant para disa kohësh në qytetin tonë, ka mbetur në Korfuz. Për të na folur më shumë rreth këtij problemi, kemi pranë shokun Edi Rama i cili ka ardhur urgjentisht. Shoku Kryeministër! Ç'mund të na...?
Kryeministri: Po, po, endaksi! (Heq telefonin nga veshi). Sapo fola me Ciprasin. Nuk i digjet një pjesë e karburantit, jahtit që u mbush me karburant këtu te ne.
Antena: Nuk ecën jahti! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për ne.
Kryeministri: U thashë vetë atyre miqve të mi të karburanteve, që ta furnizonin me naftën që përdorin edhe makinat që ecin në rrugët tona.
Antena: Ju kuptova! Përse nuk kthehet jahti e ta derdhë karburantin në Sarandë, siç bëjnë shpesh anijet e huaja?!
Kryeministri: Në asnjë mënyrë! Ka disa kohë që nuk na lejojnë autoritetet greke, që anijet të cilat vijnë te ne, të derdhin akoma naftë në Sarandë.
Antena: Po ç'do bëhet atëherë?! A keni menduar ndonjë zgjidhje?
Kryeministri: Kujt i plasi se ç'do bëjë jahti! Unë në rregull jam me atë mikun tim të karburanteve, ku u furnizua jahti. Për jahtin e rusëve nuk ma ndjen fare.
Antena: Si nuk ua ndjen?! Ju jeni i pari i vendit dhe...
Kryeministri: Për rusët dhe miqtë e tyre, kam lënë që të përgjigjen Luli dhe Iliri, që janë të shitur kokë dhe këmbë te ata.
Antena: Faleminderit shoku Kryeministër për shpjegimin tuaj, që siç thoni vetë, është shterues!
Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj