“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Spiropali. Po u larguan parukieret për në Gjermani, morëm fund

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Spiropali. Po u larguan parukieret për në Gjermani, morëm fund
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë për ata që merren me leshtë e kokës. Gjermania kërkon parukierë. Ky lajm ka shkaktuar tronditje psikologjike te shumë te figura në ngritje të Rilindjes. Bëhet llaf për shoqen Spiropali, e cila së shpejti pritet të marrë postin e një ministrie. Këtë na e tha vetë ajo, teksa biseduam përpara kullave binjake.

E kemi llafin, na tha për tronditjen psikologjike, e jo për marrjen e postit më qeverinë që pritet të riformësohet.

Ja bashkëllafosja e shkurtër e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoqja Elisa!

Elisa Spiropali: Hë mo lalkë, mirë je bre?

Antena: Ju pashë që kishit përhumbur vështrimin. Mos ju kujtua koha doganore, apo ndoshta ajo studimore, meqë tani do fillojë shkolla?

Elisa Spiropali: ... Atë kohën e studimeve, e kam fshirë fare nga kujtesa. Nuk shtyhej jeta me bursë. Po shikoja ato çupkat dhe djemkat simpatikë, aty në qendër, afër Kryeministrisë.

Antena: Qendra afër Kryeministrisë?!

Elisa Spiropali: Të vjen çudi, ëëëë! E kush e ka matur të thotë, se qendra është në vend tjetër! Për mua qendra është ku është lidhur gomari im, tha njëherë Nastradini.

Antena: Po thoni indirekt që, shoku Edi është gomar?!

Elisa Spiropali: U larg qoftë! Sidomos tani që po përfliten emrat e rinj për pesë ministra, kjo që po aludon, është e rrezikshme.

Antena: Përse ju bënë përshtypje ato vajzat dhe djemtë?

Elisa Spiropali: Shiko sa i kanë mjekrat! Shiko si janë qethur ato çupkat.

Antena: Ka ridalë në modë lënia e mjekrës, në fakt. Ata djemtë më duken si bustet e vëllezërve Frashëri, por që ecin.

Elisa Spiropali: Pikërisht këtu qëndron problemi. Do ia them dhe "Skënderbeut" tonë. Duhen marrë masat për çdo të papritur të mundshme.

Antena: Do ia thoni Edi Ramës?! E ç'të keqe ka në mjekrat e tyre? Mesa di unë, ju jeni parti e distancuar nga PPSH-ja, që nuk i lejonte mjekrat, apo flokët e vajzave...

Elisa Spiropali: Se mos vetëm nga PPSH-ja. Ne jemi distancuar edhe nga PS-ja. Ta kisha llafnë, bre lalkë se do na gjejë belaja dhe do të ngrihen në protesta.

Antena: Kush të ngrihet në protesta?! Opozita...?!

Elisa Spiropali: A ti qenke fare aguridhe në çështjet politike, me karakter pak ekonomik që kam studiuar unë. Opozita është e plevitosur fare, bre. I ka mbyllur punët Edi me ta me paratë e pallatit në Vlorë. E kisha llafin për ngritjen në protesta të këtyre djemkave dhe çupkave.

Antena: Të këtyre në rrugë?! E ç'mund t'i bëjnë këta qeverisë?!

Elisa Spiropali: Ashtu thua ti, po një të shtyrë të vogël do qeveria. Si të duket ty që një qeveri të japë me koncension te një firmë pa garë, koncensionin për rrugë. As në Argjentinën e kohës së Videlës, nuk kishte kaq pabarazi sa tani. Po shyqyr që ka mbërdhifur opozita, se tani do kisha mbathur këpucët një mijë euro dhe kushedi ku do isha si refugjate. Ua kam frikën këtyre lloj djemkave dhe çupkave unë. Duhet folur me Edin dhe ai të flasë me Anxhelën e Gjermanisë sa më shpejt, se ndryshe e hëngrëm.

Antena: Komplimente që e përdorni kaq mirë dialektin korçar, si shoku Erion, atë tiranas! Po përse ua keni frikën?! Asgjë nuk kuptoj...

Elisa Spiropali: Nuk e more vesh ti, që Gjermania kërkon për të punësuar parukierë?

Antena: Po, e mora. E ç'lidhje ka kjo me...?!

Elisa Spiropali: Po na ikën në Perëndim ata, ku do t’i rregullojnë flokët të rinjtë? Po deputetet e PD-së?! E kisha pyetje, për të cilën nuk dua. përgjigje. Ua mamka, do na ndodhë hataja. Atëherë do çohen tamam kundër qeverisë të rinjtë, të udhëhequr nga Albana Vokshi me Monikën, se deri tani llafe kanë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: