“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Letra e një fëmije drejtuar Erionit: Ti që ua heq lotët fëmijëve...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Letra e një fëmije drejtuar Erionit: Ti që ua heq lotët fëmijëve...
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Së shpejti, siç edhe tha shoqja Lindita në cilësinë e ministres së Arsimit, gjuha rome do të mësohet në sistemin tonë shkollor.

Themi lajm i mirë, pasi pas disa vitesh do bëhet e mundur që shumë drejtuese shoqatash që ndihmojnë romët me projekte sociale, të kenë mundësinë të mësojnë në shkollë romanisht. Kjo do bëjë që këto drejtuese shoqatash, duke folur në gjuhën rome me anëtarët e komunitetit rom, t'ua kuptojnë hallet më mirë. Jo se deri më tani nuk u kanë kuptuar dhe qarë hallet. Na vret Zoti ta themi këtë gjë. Mirëpo nuk është njëlloj si të flasësh me romët në gjuhën shqipe dhe në gjuhën e tyre. Ndodhte që i gjori rom t'i thoshte shoqatagjeshës në gjuhën e tij që kishte nevojë në shtëpi, për pesë copë kërrcu, që t'i digjte për dimër.

Drejtuesja e shoqatës kujtonte sikur romi i thoshte që ajo duhet të ndërtonte në shtëpinë e saj, një oxhak pesë mijë euro.

E meqë nuk ra llafi te kryetari i Bashkisë së Tiranës. Fëmijët e shkollave të kryeqytetit patën rastin mbrëmë që të mallëngjeheshin, siç thoshin shumë media të pavarura, nga letra e ndjerë e shokut Erion, drejtuar nxënësve. Ne si rubrikë kemi mundur të kapim me anë të “Antenës” sonë, një letër përgjigje që një fëmijë i drejton Erionit.

“Xhaxhi Erion! E lexova me lot në sy letrën tënde. Doja të qaja, por kisha tekstet mësimore përpara e nuk guxova t'i bëja me lot, se pastaj do t’i duhet babit që t'i paguaj si të reja. Babi më tha që me këto tekste të falura me kusht, xhaxhi Edi, u ka hequr lotët fëmijëve...

Më bëri përshtypje fjalia jote, e ngrohtë sigurisht, ku thua "Ju inkurajoj që pas mësimit, të merrni pjesë në aktivitetet e organizuara në hapësirat e shkollave...".

Sigurisht që unë do marr pjesë në to, se nuk kam se ku të shkoj. Përveç hapësirave të shkollave, edhe ato çerekshe, nuk kam vend ku të luaj tjetër. Para pallatit tim po ngrihet madhështor një pallat me 400 apartamente. Ai xhaxhi që po ndërton pallatin thotë që në mes të pallatit do ketë mbi tre mijë metra katrorë gjelbërim. Mirëpo unë veç beton shikoj me sy.

Ndoshta kam nevojë për syze, xhaxhi Erion. Ti mbase e di më mirë, se më do për neve dhe na i di problemet. Mbase duhet që t'i them babit që të më vizitojë sa më parë te okulisti.

E di që do më thuash se duhet të shkoj te Liqeni, te këndi 500 metra katror me beton që nuk donte opozita, mbuluar me bar artificial. Po unë ç'punë kam unë, apo prindërit e mi me opozitën.

Unë shtëpinë e kam në Kombinat. Do më duhet e pakta 1 orë rrugë vajtje dhe ardhje derisa të shkoj atje.

Xhaxhi Erioni! Në letrën tënde përmend hapjen e shkollës së re me emrin “Kosova”. Shumë mirë, të lumtë! Pastaj thua "nëpërmjet kësaj letre, doja t'u kërkoja ndjesë të gjithëve juve, të cilët do të duhet të prisni edhe fare pak kohë, derisa të vijojmë me ndërtimin e 17 shkollave të reja në vitet e ardhshme". Dua të të pyes, kuptohet nëse mund ta dish përgjigjen e duhur.

Për sa vite mbaron ndërtimi i këtyre 17 shkollave, përderisa gjatë një viti u ndërtua 1 shkollë? E dashura ime, d.m.th. ajo vajza që unë pëlqej dhe shpesh herë kemi pirë cigare së bashku, më tha që, kjo zgjidhet me Rregullin e Treshit, të cilën ne nuk kemi nevojë që ta mësojmë, pasi këtë rregull nuk e dinë ¾-tat e deputetëve dhe 4/5-tat e pasanikëve të këtij vendi. Babi im që ka tre vjet që paguan taksën e arsimit, nuk ka kohë të më përgjigjet se vjen i lodhur nga puna në ndërtim, kur gjen punë me matrapik. Mami kthehet më shpejt në shtëpi, se nuk e lënë të shesin ca xhaxha policë. Mami është dobësuar nga vrapimi, pasi shikon ata xhaxhat. Vetëm këtë javë ka rënë dy kile.

Ke përmendur në letrën që më ke dërguar edhe hapjen e shkollës me emrin e një publicisti. Nuk e di, a e di ti xhaxhi Erion që ai publicisti ka thënë shumë gjera të tjera nga ato që mësojmë në shkollë për Skënderbeun, vitin e të cilit ne jemi. Ai xhaxhi ka thënë që Skënderbeu ishte veç një cub malesh. Madje që luftoi jo për liri.

Ai xhaxhi që i është vënë emri një shkolle, ka qenë i mendimit se shqiptarët i shkuan nga pas xhaxhi Skënderbeut, jo se donin të ishin të lirë nga osmanët, por sepse Skënderbeut i kishin vrarë babin. E nejse...!”.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: