“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Shoqja Ogerta Manastirliu: Për pensionet, pyesni shokun Erion!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Shoqja Ogerta Manastirliu: Për pensionet, pyesni shokun Erion!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Masivi shkëmbor, i cili kishte zënë një pjesë të rrugës për në Elbasan ka filluar të hiqet. Themi lajm i mirë, pasi kjo tregon se nuk ka shkëmb që na bllokon, pavarësisht stinës me shira që po afron, kuptohet, kur gjenden paratë. E për çudi, këto të shkreta përherë gjenden pak vonë. E meqë ra llafi te paratë. Shumë prej jush pensionistë dhe punonjës të administratës që na lexoni, vërejtët se këtë vit çmimi i domates pothuajse ia kaloi çmimit të kofshave të pulave argjentinase.

Kjo gjë e të tjera u diskutuan me analistin tonë të pavarur, që i ka bërë të keqen xhepit të tij.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku analist! Pa humbur kohë fillojmë me ngjarjet që juve ju dukën më pikante.

Analisti: Këtej e tutje nuk duhet thënë lajme pikante", por "lajme domate". Aq sa shkoi çmimi i domateve këtë verë, na përvëloi xhepin dhe grykën.

Antena: Meqë më kujtuat domatet. Shoku Erion Veliaj mori pjesë në Festën e Domates. A mendoni se...?

Analisti: Unë nuk do e quaja Festa e Domates, por Festë për Domaten.

Antena: Ku qëndron ndryshimi, përveçse në lakimin e emrit?

Analisti: Sepse të blije një kile domate këtë verë, ishte festë. Më kuptoni besoj...

Antena: Përderisa shkollën tetëvjeçare e kemi bërë në sistemin monist, ju kuptojmë.

Analisti: E di unë përse e rrisin çmimin e domates, këta.

Antena: A mund të na e shpjegoni edhe neve?

Analisti: Duan që njerëzit mos t'i qëllojnë me domate. Prit kur të rrisin edhe çmimin e vezëve. Jam i bindur që do rritet edhe i tyre. Ka për të shkuar veza e pulës, sa gjithë pula.

Antena: E rëndësishme është mos të rritet çmimi i sallatorit. Imagjino të hedh ndonjëri, sallator mbi makinën e  ndonjë ministri. Meqë ra llafi te makina. A e morët vesh se nuk do lejohen të futen makina më të vjetra se 10 vjet? Përse është marrë kjo masë?

Analisti: Epo kot nuk u ngushtuan rrugët në Tiranë. Është bërë me plan afatgjatë. Zvogëlohet numri i makinave të sjella nga jashtë, që të rritet numri i pasagjerëve në autobusët urbanë, që i kanë kompanitë private.

Antena: D.m.th. ju thoni që...

Analisti:  Kështu që këto kompani "do kolliten" duke dhënë ca lekë te drejtuesit e Bashkisë. Kuptohet, jo te shoku Erion, se ai e ka fushë me lule, e ka ku merr. Megjithatë, numri i pasagjerëve në urbanë do jetë shumë i vështirë që të rritet. Kjo gjë do përbëjë një sfidë.

Antena: Unë nuk mendoj aspak kështu.

Analisti: Sapo më erdhi lajmi që mbi 8 mijë vetë janë larguar nga vendi ynë dhe kanë kërkuar azil jashtë. Me se do mbushen urbanët, kur popullsia zvogëlohet?!

Antena: Nuk më kishte ardhur kjo shifër, ndaj thashë që...

Analisti: Mua një pyetje ka kohë që më mundon, por nuk kam kujt t'ia bëj. T'ia bëj vetes do thotë bota, që ky ka rrjedhur dhe flet me vete. A t'ua bëj juve si rubrikë pyetjen?

Antena: Bëjeni, posi! Po mundëm, do t'i përgjigjemi.

Analisti: Kam nënën në shtëpi që sa herë shkoj dhe i çoj pensionin e saj, më thotë: -Ore bir, mban mend ti që kur ishte ministër i Punës shoku Erion Veliaj, bëri një reformë për pensionet? Atëherë u mbushën televizionet me lajmet e mira se kjo ishte një arritje që vetëm shoku Erion mund ta bënte. Shoku Halim Kosova p.sh., nuk mund ta bënte atë gjë, se ishte i vjetër në moshë.

Antena: Po, po e mbaj mend edhe unë, megjithëse ka disa vite që ka ndodhur.

Analisti: Di gjë, kur do japë ndikim kjo reformë, në rritjen e pension...?

Antena: Po ku di unë, se mos marr pension vetë unë.

Analisti: Nuk të pyeta ty, jo. Thashë ato që më thotë nëna ime pensioniste.

Antena: Përse nuk pyesni ministren, shoqen O.Manastirliu? Ajo me siguri e di se kur do rriten pensionet.

Analisti: E kam pyetur. -Ku di gjë unë. Pyesni shokun E. Veliaj, se ai e bëri reformën e suksesshmë në pensione. Mua nuk më kanë dhënë votën, më tha...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: