Marin Orhanasi: Teatri legjendar jo nga ndërtesa por nga emrat e mëdhenj

Marin Orhanasi: Teatri legjendar jo nga ndërtesa por nga emrat e mëdhenj
Flet posaçërisht për Albanian Free Press aktori Marin Orhanasi: “Për mua duhet teatër i ri dhe dinjitoz. Se kush e bën nuk është kompetenca ime dhe nuk mendoj se artisti duhet të merret me këtë. Pse të mos e lë edhe unë emrin në një teatër të ri e modern? Ai teatër legjendar që është i tillë nuk u bë nga ndërtesa, është bërë nga emrat e aktorëve. Unë nisem nga logjika që do të jetë një sallë dinjitoze dhe që duhet një teatër i ri, kjo është e sigurt. E dua një teatër me sa më shumë salla dhe ambiente, pa ju prekur asnjë centimetër, siç dhe kanë rënë dakord.”

E takova Marin Orhanasin aty ku ndihet më komod, si në shtëpinë e tij, në “Myslym Shyri”, ku është lindur e rritur e ku njerëzit e takonin dhe përshëndesnin si ta kishin njeri të shtëpisë. Biseda u shkëput disa herë sepse korçari simpatik i lagjes, që thotë batuta, i kërkon cigare, shoku i vjetër e takon pas pushimeve, zonja e luleve e pyet se kur do të nisë përsëri sezoni i “Portokallisë”. Në mendjen tonë ai është Marini i qindra personazheve në spektaklin e humorit por përpos kësaj, ai shënon mbi tre premiera teatrale në vit. Besnik i humorit televiziv prej 15 vitesh, Marin Orhanasi ishte i pari që u përzgjodh për risinë e atëhershme në ekran e deri më sot lidhjet e tij me të kanë qenë të çelikta. Bir i një babai jurist me origjinë kolonjare dhe i një nëne nga Podgorica. Që rridhte nga dyer të larta vezirësh, një prej spikereve dhe kameramaneve të para të RTSH-së, Marini, i cili i humbi shpejt prindërit e tij të shtrenjtë, sot shtrëngon fort familjen e tij që është shtuar përpara pak muajsh edhe me një djalë. Rrëfimi i tij është biseda e lirë e një artisti që ka ndërtuar, me shumë punë, vendin e tij të spikatur në artin shqiptar.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Je tashmë një aktor me përvojë, por pak dihen fillimet e tua, më tregon diçka më shumë për to?

Do të qeshësh me arsyen se përse u bëra aktor. Unë kam qenë një djalë shumë harrakat në shkollë të mesme, kam studiuar në shkollën “Partizani”. Unë shoqërohesha shumë me djem nga jashtë shkollës, ha ha ha ruanim shkollën nga jashtë. Kur vinte policia, më kapnin vetëm mua. Nona ime ka qenë nëndrejtoreshë e shkollës e duke qenë se ishte nëndrejtoreshë, unë i kisha të gjitha dyert e hapura. Kjo sipas meje e jo sipas saj, unë e kisha tepruar në mungesa, në vit të parë e të dytë unë dija të bëja vetëm dy gjëra, hartimet në letërsi, që i qaja me lot, dhe matematikë e anglisht. Veçanërisht në matematikë shkëlqeja. Duke qenë se unë bëja vetëm këto e të tjerat nuk më interesonin por i interesonin nonës time për mesataren e diplomës, ajo, për të justifikuar disi mungesat, më vinte të merresha me teatrin e shkollës. Dhe them shyqyr që u futa në teatër sepse jo  vetëm që kaluam shumë mirë aty por unë mora edhe një drejtim jete. Përveç kësaj, na shkoi aq mirë sa që fituam çmim të parë në festivalet teatrore të asaj kohe, mes shkollave. Unë isha në rolin kryesor, me “Shërbëtori i dy zotërinjve” të Goldonit. Ishte një rol brenda llojit tim, një harrakat, një njeri që bënte skema. Paralelisht me këtë nisa të përgatitesha me aktoren Drita Pelingu, një mikesha e familjes. Kam hyrë në shkollë të lartë në kohë të keqe, në vitin 1997.

Si e kujtoni sot akademinë?

Shkolla, për mendimin tim nuk të jep talent, por ka për detyrë të të orientojë dhe të të japë drejtim për talentin që ke. Unë pata shumë fat që pata pedagogë shumë të mirë, Mario Ashikun dhe Altin Bashën. Binomi më perfekt i akademisë ishin këta të dy, të mblidheshin katër a pesë pedagogë të tjerë, krahasimisht me këta të dy, në mënyrën se si e zhvillonin procesin mësimor e artistik, nuk e bënin dot. Kemi qenë nga të parët studentë aktorë që hapëm të parën kompani private teatrore, në vit të dytë të akademisë. Bëmë një turne të suksesshëm në një kohë kur sapo nisi një i ashtuquajtur konflikt i të rinjve me të vjetrit. Them “i ashtuquajtur” sepse mes të rinjve dhe të vjetërve nuk ka konflikt. Roland Trebicka, aktori i madh me të cilin kam qenë shumë i lidhur, kujtoj që thoshte: “S’ka luftë mes brezave, ka talent. Je dhe s’je.” Kjo kompani ishte shumë e mirë, kompania “Oaz” bashkë me Altin Bashën, duke qenë dhe studentët e tij. Morëm pjesë në festivale prestigjioze botërore në Itali, Gjermani e deri në festivalin e Kajros në Egjipt, ku përfaqësuam me dinjitet teatrin alternativ të cilin aplikonim. Gjatë periudhës së akademisë nuk vuajta as për role të mira. Në një farë mënyre, ne thyem edhe disa rregulla aty sepse p.sh zgjatëm oraret e laboratorëve, pra punohej edhe në mesnatë. I kthyem, si kurs, lavdinë e dikurshme akademisë. Kujtoj se shumë pedagogë shpreheshin se si kurs i kishim kthyer akademisë lavdinë e 20 viteve të fundit, e ndërkohë akademia kishte 40 vite. Kam studiuar me Olta Dakun, Lulëzim Zeqen, Ervin Bejlerin, Gent Zenelin, Erjona Kacelin etj pra të gjithë njerëz që edhe sot punojnë. Pra thuhej në atë kohë që nga një kurs, po të dilte një aktor ishte mirë, por të dilnin dy, ishte mrekulli. Nga ne që ishim 12 kursantë, sot 11 punojnë në aktivitet të plotë. Nga kjo anë jam ndjerë i privilegjuar por kemi punuar fort. Me bukë me vete tërë ditën në akademi, pa u kthyer fare në shtëpi.

Por pse mendon se nuk ecën në Shqipëri kompanitë teatrore private, siç ndodh në botë?

Kompanitë private, nëse ishin të afta e të mira, siç ishim ne dhe një tjetër kompani, duhet të kishin mbështetej, subvencionim nga shteti. Ne bënim laborator tërë kohës, eksperimentonim. Prodhonim shfaqje sipas punës tonë, është punuar kryesisht me teatrin e lëvizjes, teatrin alternativ por kemi vënë edhe shfaqje klasike të risjella në kohë, si p.sh “Nata e 12-të”, një mrekulli, vetëm me femra, edhe Elvis Pupa luante rol femre, një revolucion për kohën. Ose pjesë të autorëve që në thelb ishin tek absurdi si pjesa plotësisht alternative “Keq e më keq”, e Samuel Beket, ku regjia superonte dhe aktrimin, një pjesë që të bënte të dridheshe. Pra menaxhimi nuk çalonte sepse ne nuk ishim të mbështetur financiarisht nga shteti. Në kompanitë e tjera luhej kryesisht komedi, me idenë se e do spektatori, ndërsa kompania jonë sillte në skenë një mori tipologjish pjesësh. Kompanitë private u shkatërruan sepse nuk kishin ku të mbaheshin, në atë kohë u bënë rreth 15 kompani që nuk mbaheshin dot në këmbë. Kishte para në qarkullim, por njerëzve që kishin para nuk u binte në mend teatri. Sot është rritur numri i spektatorëve por duhet të rritet edhe cilësia, paralelisht. Duhet të rritet edhe shpërblimi për aktorët. Dikur aktori e merrte një shpërblim por u hoqën nga Ministria e Kulturës, në kohën kur qeveriste e djathta. Artisti merr një pagë për rolet e tija, premierat, por më pas këto role i përsërit me dhjetëra e qindra herë, pasi mbaron prodhimi i shfaqjes. Ndaj duhet shpërblimi për aktorin. U hoq dhe tani ka një buxhet qesharak që ka kaluar dorë pas dore nga pushtetet që ndërruan. Trajtimi për aktorët është qesharak e nuk mund të kesh rendiment kur paguhesh keq. Ndaj aktorët janë të detyruar të bëjnë punë të dyta e të treta. I pari jam vetë unë. Unë primare kam “Portokalli-në”, teatrin e kam për pasion e kam shumë shfaqje për të cilat edhe sot nuk jam paguar. E si unë ka shumë aktorë.

Pra aktori nuk duhet të luftojë për mbijetesë...

Ah Juela, në të gjithë botën aktorët vdesin nga droga, këtu vdesin për bukë. Me dhimbje të madhe e them këtë. Është tmerr që një aktor i mirë të përpëlitet për një rol. Ne i kemi kapacitetet, kemi aktorë shumë të mirë, vajza e djem, të rinj e të vjetër. Luan ende Robert Ndrenika, është me i puth këmbët e duart. Luan Luftar Paja. Artistët shqiptarë janë heronj, për atë Zot. Kam komunikuar me shumë aktorë nga jashtë dhe kam parë vlerësimet e tyre. P.sh erdhi disa producentë nga Italia dhe shikonin se çfarë pune bënim ne në spektaklin “Portokalli”. Atje panë një maratonë pa ndalesë, se po ndalove ngele në fund, hap kahun. U shokuan nga habia kur mësuan se ajo punë bëhej për aq pak ditë. “Të hënën bisedohet në tavolinë shfaqja, të martën hidhet një draft, të mërkurën Altin Basha jep një mendje ose variant tjetër, i ngacmuar nga materiali dhe të enjten kur ke provën gjenerale, ti ndoshta mund të jesh edhe pa material e kështu deri të dielën. Ky është proces me vrap dhe shumica e aktorëve nuk e përballojnë dot.”-i thashë producentëve të huaj. Pra në këtë aspekt, aktorët janë heronj, sepse e parë nga jashtë duket thjesht humor, por qajmë ne që të qeshë publiku. Po të tregoj një histori që ma ka treguar aktori Romir Zalla por që më ka ndodhur edhe mua. E pyet një taksist: “Çfarë pune bën ti përveç asaj gallatës”. “Atë gallatën bëj! Po ti çfarë pune bën?”-reagoi Romiri. “Unë taksist!”-“Lëre atë që vjen vërdallë nëpër Tiranë por çfarë pune bën?”. Thelbi i të gjithë kësaj është që ka një sforcim të paparë pas punës në “Portokalli”, mjafton të shikosh thinjat e mia ha ha ha, ndërkohë që im atë vdiq pa thinja.

Nuk dua një pozicionim tëndin mbi problematikat e Teatrit Kombëtar por një mendim e dua...

Teatri u dhëmb të gjithëve dhe kam bindjet e mia për ata që nuk u dhëmb. Dikur u arrit një marrëveshje dhe unë kam qenë nga të parët që firmosa të mos prishej teatri si institucion. Në momentin kur dalin shumë ekspertë e thonë që nuk qëndron më në këmbë dhe në momentin kur unë vetë kam shumë shfaqje atje dhe nuk kam lënë mur e hekur pa shtrembëruar me kokë atje, mendoj e them me vete se dinjiteti ynë mirë që përdhoset nga ana monetare por pse duhet të përdhoset edhe nga ana ambientale? Pse duhet një aktor të jetë në siklet sepse rri e gjëmon dritën? Nuk ka aktor në botë që rri e gjëmon dritën, e gjëmon drita aktorin. Por në Teatrin Kombëtar është e pamundur se ka logjistikë të vjetruar prej disa dekadash. Edhe më përpara askush nuk u kujdes, të gjithë kanë gënjyer. Shyqyr o Zot që nuk ka rënë ende ai teatër e faleminderit që rezistoi deri tani. Por për mua duhet teatër i ri dhe dinjitoz. Se kush e bën nuk është kompetenca ime dhe nuk mendoj se artisti duhet të merret me këtë. Pse të mos e lë edhe unë emrin në një teatër të ri e modern? Ai teatër legjendar që është i tillë nuk u bë nga ndërtesa, është bërë nga emrat e aktorëve. Unë nisem nga logjika që do të jetë një sallë dinjitoze dhe që duhet një teatër i ri, kjo është e sigurt. Njerëzit mund të jenë ndarë në komunistë e demokratë, por për mendimin tim, ka nga ata që s’kanë e ata që kanë, ndarjet politike as i pranoj e as i dua. Në fillim, kur unë isha dakort, ka qenë një mendim shumë i mirë ku u kërkua me zë që të mos politizohej çështja. Kur shkoi një përfaqësi tek Kryetari i Bashkisë, Veliaj, ku u duk se pati një dakordësi, unë bëra një postim në FB ku u shpreha i lumtur që do të kemi një teatër të ri, ko për të gjithë, edhe për ne, edhe për spektatorët. Duhet të kuptoni, heronj nuk janë vetëm aktorët, janë edhe spektatorët, sepse ajo sallë as nuk ngrohet dot e as nuk ftohet dot. Ja pse sezoni i shfaqjeve është me ndërprerje, që nuk duhet të jetë kështu. Në verë teatri nuk duhet të ndalet, por kjo kërkon kushte. E kam seriozisht, për të gjithë ne duhet një teatër i ri, unë si Marin dua një të ri, sepse e di si është i vjetri dhe i njoh kushtet mjerane të tija. E respektoj mendimin e atyre që thonë të kundërtën, por kjo duhet argumentuar. E dua një teatër me sa më shumë salla dhe ambiente, pa ju prekur asnjë centimetër, siç dhe kanë rënë dakort. Kjo është logjika ime për këtë temë.

Këtë vit ke ndonjë të re mbi pjesëmarrjen në teatër?

Kam dy projekte në duar. Kemi në duar një pjesë, bashkë me ish pedagogun tim, Mario Ashiku. Është një komedi, një bashkim nga tregimet e Gi De Mopasan, në qendër është marrëdhënia në çift. Gjashtë pjesëza që na japin pamje të ndryshme të burrit dhe gruas në situata të ndryshme. Mendoj se do të jetë një shfaqje e mirë. Kam edhe një projekt tjetër, por për të cilin duhet të jap pëlqimin sepse duhet të llogaris kohën time, impenjimet.

Si ja del, të tolerojnë tek “Portokalli”?

Dua ta theksoj madje tolerancën tek “Portokalli”, sigurisht duke ma njohur pasionin për teatrin. Realisht e kemi punën të ngarkuar. Altin Basha ma ka bërë të qartë që nëse ja dal ta bëj mirë “Portokallinë”, pse jo mos angazhohem edhe në teatër.

Dashuria jote e jetës kur ka ardhur?

Kam që në moshën 19 vjeçare që jam me time shoqe. Që atëherë jemi bashkë, them shpesh se e kam “gocë garipe, gangstere”, ha ha ha. E kam pasur gjithmonë në krah, edhe kur kam qenë në kriza krijimtarie, jemi rritur bashkë, ajo e di se çfarë dua unë. Ajo është mësuese anglishteje. Në Shqipëri jeta është aq e ngjeshur sa ka pasur raste që nuk i shof fëmijët. Me humor më thotë se me djalin e parë kam qenë shumë prezent, por me të dytin, këtë të voglin jo. Dhe është e vërtetë sepse kur kalojnë vitet, rriten edhe vështirësitë por edhe ajo që ti pret nga vetja në profesion. Ai do më ngjajë nga të dy është djali i madh, e kam me frikë këtë punë ha ha ha. E them këtë sepse e di se çfarë kam hequr vetë. Në përballje me këtë kodosh vendi, jemi në një realitet ku njeriu nuk vlerësohet si duhet për atë që bën. Vlerësimin e kam si duhet vetëm në “Portokalli” se në teatër ta harroj këtë. Emocionalisht e publikisht vlerësohesh, por ekonomikisht jo. Sa vjen e bëhet edhe më e vështirë. Ja që brezi ynë zuri vend, po më vonë? Unë e shoh më në vështirësi këtë profesion. Për momentin djali mëson në një shkollë shtetërore, kjo e bërë me vetëdije nga ne, për të bërë që ai të mësohet me të gjitha tipologjitë dhe situatat, që të jetë më “grip” për veten e tij. Ky djali im po bëhet më grip seç duhet ha ha ha, ndaj them që kam frikë se po më ngjan mua.

Je shumë i njohur për imitimet e personazheve të njohur, i zgjedh nga ngjashmëria fizike apo nga ngjarje e aktualitetit? Do të kesh të reja këtë sezon?

Të rejat mbeten surprizë por do të ketë. Siç e thashë edhe më lart, ne ditën e hënë përcaktojmë se çfarë do të bëjmë të dielën. Por e sigurt është që do të jetë edhe këtë sezon personazhi i Lulzim Bashës. Është nga figurat kryesore të politikës tonë, është shefi i opozitës. E dua shumë për tipologjinë e pamjes dhe staturën. Do të doja shumë të isha edhe me ndonjë personazh tjetër, publik por jo në politikë. P.sh unë e dua shumë personazhin e gazetarit Ylli Rakipi, natyrë interesante. Do kisha shumë dëshirë që nga ana tjetër dua të vazhdoj të dal si qytetar i këtij vendi, me tema të prekshme. Unë e kam me dëshirë të fus tema sociale në personazhet e mia. Sigurisht që njerëzve edhe u vjen mirë, edhe jo, kur përballen me problemet, por unë kam për detyrë tua them me humor. Pra të jetë kjo logjika që në fakt e ka “Portokallia”, nuk bëjmë humor për të bërë humor, flasim për ide e mbi këtë ide ndërtojmë humorin. Unë ngul këmbë që të paktën në personazhet e mia të ketë gjuhë qytetare. Jam kënaqur shumë kur një ditë interpretoja një rol kur mes dy personazheve hyja unë. Personazhi tjetër, duke e ditur qqë unë flas me gjuhë letrare i tha shoqes: “Doli ky që flet sikur ta ka me t’futme!”, ha ha ha. Mua më kapi e qeshura. Pra fakti që flet në gjuhë letrare i konfondon ca njerëz. Por fundja janë personazhe që janë pjesë e jetës tonë të përditshme, pjesa dërrmuese e shoqërisë. Ideja është që në thelb, unë përpiqem që ta kem humorin më fin. Nëse bëhet ndryshe, nuk ka asnjë problem, por mua më pëlqen humori me finesë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: