“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Që të fitojë, shoku Lulëzim Basha duhet mos të buzëqeshë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Që të fitojë, shoku Lulëzim Basha duhet mos të buzëqeshë
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen me një lajm të mirë. Kemi zbuluar arsyen e buzëqeshjes së udhëheqësit të shquar të demokratikasve të mbetur, shokut Luli.

Zbulimi është bërë pas vëzhgimit dhe intervistimit të mijëra njerëzve, në vende të ndryshme të botës. Këto u realizuan nga një shkencëtaro-psikolog polak.

Ky zbulim ka nxjerrë se në vende të ndryshme si Rusia (madje, madje edhe Franca ku kanë studiuar udhëheqësit e shquar të vendit tonë, shokët Enver dhe Sali), njerëzit janë të prirur të mos buzëqeshin, pasi nëse e bëjnë një gjë të tillë, njerëzit e tjerë do mendojnë se këta buzëqeshësit, janë jo të denjë të drejtojnë.

Qëndrojmë te ky argument dhe e lidhim këtë situatë me shokun demokratikes, Lulëzim Basha.

Dihet vendërisht se shoku Luli është një buzëqeshës i kategorisë superiore.

Ky fakt, mendojmë ne, d.m.th. mendon studimi, ka bërë që njerëzit mos ta marrin seriozisht.

Ata mendojnë se shoku Luli nuk është i denjë për drejtim. (E kemi llafin për drejtimin e qeverisë, pasi për drejtimin e partisë, njerëzit nuk janë pyetur fare, përderisa për këtë vendosi shoku Sali).

Jetesa në një shoqëri të tillë ka ndikuar dhe mendojmë se do të ndikojë mjaft keq në zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme.

Nëse nuk ndryshon mentaliteti i popullit tonë, që edhe te dikush që buzëqesh, të shikojë një njeri të aftë për drejtim, shoku Lulëzim nuk do ketë gjë në trastë. Do harxhojë edhe ato lekë që bëri te Rruga e Kombit, pa patur rastin që të marrë qeverinë e të mbushë trasta të tjera.

Një gjë tjetër që nxori studimi, është përfundimi se njerëzit në vendet me demokraci jo të zhvilluar, kur shikojnë dikë që qesh, mendojnë se ai është më pak i ndershëm se dikush që rri pa qeshur. Ndoshta kjo është e vërtetë.

Unë vetë p.sh. njoh disa lexues pensionistë te pallati ku banoja, që midis Bashës që qesh dhe Ramës që rri serioz, por na bën për të qeshur, zgjedhin si më të pakorruptuar të dytin, pavarësisht se ky ka dhënë disa koncensione, ndërsa ai i pari vetëm te një rrugë pati mundësi të bënte ca lekë.

Si përfundim, apo siç i themi neve në gazetari, si konkluzion.

Shoku Luli, ky qeshës i Kategorisë Superiore, duhet ta shuajë me çdo kusht buzëqeshjen nga fytyra e vet. Nëse këtë gjë nuk mundet ta bëjë vetë, ne i sugjerojmë të konsultohet me shokun Enkelejd Alibeaj. Kjo figurë demokratikase falë mos buzëqeshjes së tij, jo vetëm është zgjedhur deputet dhe ministër, por ka arritur të zgjidhet deri edhe në komitetin ekzekutiv të FSHF-së.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: