“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Udhëtimi i fundjavës, Torino-Këlcyrë-Përmet-Pogradec

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Udhëtimi i fundjavës, Torino-Këlcyrë-Përmet-Pogradec
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen me një lajm të mirë. Para nja ca ditësh filloi lotaria amerikane. Nuk është e nevojshme se përse themi lajm i mirë, përderisa 1 milionë shqiptarë mblidhen përpara kompjuterit dhe aplikojnë. E meqë ra llafi te mbledhja. Sot kemi menduar të sjellim një (për)mbledhje të dy botimeve të bëra muajin e kaluar. Së pari, bashkëllafosjen e bërë midis shokut Edi, tifoz i Juves dhe njëkohësisht kryeministër, me Kristiano futbollistin.

Ishte kjo bashkëllafosje që u bë shkak i heqjes së shokut Shpëtim.

Ja bashkëllafosja e bërë mes tyre!

Rama: Ta jap unë me garanci që me emrin tënd o Kristiano, 200 mijë uniforma ka në Shqipëri. Edhe femra madje. Kur hipa dje në aeroplan, pashë nga lart disa femra me kazmë që po punonin tokën, që kishin veshur uniformë sportive, me emrin tënd.

Ronaldo sigurisht që tha llafet e tij, por që neve nuk duam t'i ribotojmë. Ndërkohë shoku Edi Rama ia mbylli gojën Kristianos, duke shtuar:

-Te Tregu Çam shiten. I shesin çamët dibranë të Shpëtim Idrizit. Nuk kemi çfarë t'u bëjmë, se shpeshherë bashkon votat e tij me mua.

Ja ç'i tha më tej shoku Edi Rama atij futbollistit.

-Tani po e marr në telefon e të qërohet nga unë. Më turpëroi para teje dhe mbarë opinionit sportiv ndërkombëtar. Do thonë bota, që në Shqipëri lulëzon pirateria.

Pjesa tjetër është histori. Pas telefonatës së kryeministrit, shoku Shpëtim u largua nga koalicioni.

Dhe për kënaqësinë e një lexuesi ish-farmacist nga Përmeti, që na lexon përditë dhe e ka mendjen te Vjosa, po risjellim shkurtimisht bisedën me analistin tonë, ku tregohet mbi baza muzikore, sesi mund të rritet ekonomia...

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Analisti na deklaroi: ...Të futet tradita, që i burgosuri të japë lule. Madje jo vetëm tek gardianët, por edhe tek të afërmit e personit që ka dëmtuar. Lulja është shprehje e paqes dhe kjo do tregojë që dëmtuesi ka ndryshuar sjellje. Kjo do rrisë numrin e luleve në Përmet. Rrjedhimisht, edhe të shitjeve të tyre. Ja pra që rritet ekonomia e këtij qyteti.

Antena jonë ndihet e gëzuar që u zgjidh problemi ekonomik për Përmetin, por mendja na shkoi menjëherë të vëlla Këlcyra. (Fakti që zihen shpesh me shoshoqin, tregon më së miri se janë vëllezër):

Ja ç'na tha analisti, pasi neve i bëmë këtë pyetje:

-Ekonominë e Përmetit e rritëm. Po të Këlcyrës p.sh., si mund ta rrisim? A keni ju një mendim të specializuar? Analisti u gjegj:

-Mjafton p.sh., që në burgjet e Jugut të vendoset traditë që të burgosurit të bëjnë aheng, disa minuta në ditë. Le të themi, t'i bien defit, meqë veglat e tjera muzikore janë të rrezikshme për t'u futur në qeli.

Antena e pyeti i habitur: -Defit?! Ju mendoni se defi do rrisë ekonominë e këlcyriotëve, që deri tani "i bien defit", duke qëndruar pa punë? Analisti na sqaroi: -Sigurisht që do e rrisë. Në pazar të Këlcyrës shiten bagëti. Lëkura e tyre mund të mblidhet nga burgjet, kundrejt një pagese. Le ta thajnë, e vetë të burgosurit të prodhojnë defa. Atyre t'i bien sipas një grafiku të mirëcaktuar. Blerja e lëkurës së bagëtive në Këlcyrë, rrjedhimisht do rrisë edhe ekonominë e këtij qyteti.

E pasi rritëm ekonominë e Përmetit dhe Këlcyrës, rishkojmë në Pogradec. Aty ne zbuluam letrën e poet Lasgushit, bërë vite më parë, drejtuar shokut Enver.

Ja letra: "Mora vesh që së shpejti do organizoni një udhëtim me aeroplan në Gjermaninë Lindore dhe për nderin tim, udhëtimit do t'i vendosni emrin që mbaj unë kur shkruaj. Shumë faleminderit për respektin pa kufi që keni për mua, kur doni të kaloni kufijtë, mirëpo nuk jam dakord. Jo për modesti, por për arsyen e arsyeshme se në listën e atyre që do udhëtojnë me aeroplan, pashë që kishte shumë poetë, gazetarë që i kanë kënduar dhe vazhdojnë t'i thurin lavde partisë që udhëheq. Kjo është punë e tyre. Unë i gjori nuk i kam lejuar vetes kurrë, që të bëja ndonjë vjershë për partinë. Prandaj me modesti e them se nuk e meritoj të kem emrin të lidhur me ta dhe aeroplanit që i hipin. Edhe qeni im, kur e mori vesh këtë gjë, nxori gjuhën, se e kuptoi që ishte tallje e juaja... Lasgushi".

*Sqarim i parëndësishëm: Kjo letër nuk do të thotë që ata që udhëtuan në avionin e paguar nga qeveria, nuk duhet të pranonin të udhëtonin...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: