Altin Hazizaj: Shteti duhet të aplikojë llogaridhënien

Altin Hazizaj: Shteti duhet të aplikojë llogaridhënien
Flet posaçërisht për Albanian Free Press, Altin Hazizaj Drejtori i Përgjithshëm i “Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri”

 

Janë rreth 100 mijë fëmijë që jetojnë në varfëri ekstreme në vendin tonë, ose 1 në 6 fëmijë. Kjo është shifra shqetësuese që zbulon, për publikun, në Ditën Botërore të Fëmijëve, Altin Hazizaj, një ndër themeluesit e “Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri” (CRCA Shqipëri) në vitin 1997 dhe që nga viti 2002 është Drejtori i Përgjithshëm i organizatës, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe të të rinjve në Shqipëri. Në këtë ditë mbarëbotërore ku bëhet edhe një analizë e situatës në angazhimin institucionale për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, zoti Hazizaj ka kërkuar edhe një kontakt direkt të publikut me politikën, përmes një kërkese llogaridhënieje mbi përpjekjet e deputetëve dhe komisioneve përkatëse, në kuadër të varfërisë ekonomike që rëndon tejskajshëm edhe supet e njoma të fëmijëve shqiptarë. Pas komunikimet me të, për Albanian Free Press, zoti Hazizaj u shpreh se këto të dhëna alarmante janë pjesë e raporteve të INSTAT, të përpunuar dhe analizuara nga “Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri”.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Cila është sfida që ka një organizim me traditë si juaji, në vizionin e institucioneve shqiptare, në lidhje me problematikat e fëmijëve? A i gjeni dyert hapur?

Dyert nuk kanë qenë asnjëherë të mbyllura, sepse një organizatë që punon për fëmijët prej 21 vjetësh jo vetëm që ka krijuar karakterin e saj, por për më tepër puna e përbashkët me institucionet në një kohë-shtrirje prej 2 dekadash e ka kthyer këtë shkëmbim në një dialog të qëndrueshëm për të drejtat e fëmijëve. Kjo nuk do të thotë në asnjë moment që ne jemi të lumtur apo të kënaqur me gjendjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri. Vizioni ynë për fëmijët, si zotërues të të drejtave të tyre, që nuk duhet të shkelen nga askush, institucione apo familje, është tepër larg atij që kanë institucionet publike në Shqipëri. Por mendoj në një sens pozitiv, kjo është lufta jonë! Nuk do të ishte luftë nëse nuk do të kishte probleme serioze të shkeljes të të drejtave të fëmijëve. Në këtë përpjekje kemi mundësi që të ulemi së bashku, ndajmë problemet që kanë fëmijët, diskutojmë zgjidhjet, mendojmë modelet dhe politikat që duhen zbatuar dhe më pas t’i ekzekutojmë së bashku me institucionet. Ngadalësia e tyre në këtë drejtim sigurisht që bën që situate për shumë fëmijë dhe prindër të duket e pashpresë dhe ky është momenti kur ne çojmë zërin dhe protestojnë apo avokojmë për funksionim më të mirë të institucioneve, për stafe profesioniste për fëmijët, investime më shumë për fëmijët etj.

Kë shikoni si më emergjente për zgjidhje, ndër problemet që hasin fëmijët shqiptarë?

Ka disa çështje që ne i shikojmë si tepër urgjente që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Ato janë: varfëria, dhuna, shfrytëzimi, puna, arsimi dhe mirëqenia bazë e fëmijëve. Po i marr shkurtimisht në shqyrtim për të kuptuar gjendjen se ku jemi dhe pse duhet që ndërhyrja të bëhet menjëherë. Mbi 100,000 fëmijë jetojnë në varfëri absolute! Po të mos ishte ndihma ekonomike që jep shteti këta fëmijë do të vdisnin realisht për bukën e gojës. Por, nga ana tjetër, ndihma ekonomike që jep shteti është e pamjaftueshme. INSTAT na tregon nga analizat e të dhënave që ata ndajnë se shuma mesatare që një familje më 4 anëtarë përfiton nga shteti është përafërsisht 4211 lek në muaj, ose 1,052 lek për person në një muaj! Për shumë prej nesh kjo shumë është më e pakta që ne harxhojmë gjatë ditës për kafe dhe ujë më kolegët! Ndërsa një familjeje të varfër kjo shumë i mjafton vetëm për 13 ditë për të blerë bukën masive 80 lekëshe! Logjika të thotë që një familje me 4 persona do të paktën 2 bukë në ditë, pra thuajse e gjithë pagesa që ata marrin nga shteti del vetëm për të paguar bukën. Kush e paguan energjinë? Po ujin? Po ushqimet e freskëta? Po proteinat? Ky lloj qëndrimi ndaj fëmijëve sigurisht që çon shumë pikëpyetje në lidhje me faktin sesi i ka llogaritur qeveria kostot për fëmijë, para se të caktonte masën e ndihmës ekonomike.

Nga ana tjetër dhuna ndaj fëmijëve dhe bulizmi janë një shqetësim tepër i madh për vetë fëmijët, por edhe për shoqërinë. Të dhënat e shumë studimeve tashmë na tregojnë se të paktën 1 në 2 fëmijë janë viktima të dhunës në familje, në shkollë apo në komunitet. Fëmijët vazhdojnë të kenë probleme serioze të sigurisë dhe dhunës në internet, ku ngjarjet e dhunës seksuale ndaj fëmijëve gjatë jetës së tyre virtuale sa po vijnë e po shtohen! Çështja e arsimimit të fëmijëve është thelbësore për të ardhmen e tyre dhe për eliminimin e varfërisë. Ndonëse Shqipëria ka bërë përparime dhe ka arritje në këtë drejtim, përsëri fëmijët më të varfër mbeten shpesh të fundit në arritjet shkollore, pasi Qeveria nuk ka një program që t’ju garantojë atyre ushqim falas në shkollë dhe mësues apo edukatorë që mund të punojnë me ta pas mbarimit të shkollës për të bërë mësimet.

 Përveç institucioneve, sa angazhim social duhet të ketë nga qytetarët dhe familjet që gëzojnë një nivel ekonomik, në mbështetje të atyre që nuk e e gëzojnë atë, pra a mendoni se duhet edhe një ndërgjegjësim më i madh shoqëror?

Kjo është një pyetje shumë e bukur dhe me vlerë. Pa dashur të hingëlloj si disfatist, por ata që dhurojnë më pak janë ata që kanë më shumë! Është tepër ironike por e vërtete! Kompanitë dhe individët e pasur në Shqipëri janë shumë të varfër në mendime dhe qëndrime përkundrejt filantropisë, sidomos ndaj fëmijëve dhe zgjidhjes së problemeve me të cilat ata përballen. Ne kemi biseduar dhe vazhdojmë të bisedojmë me shumë individë të pasur, duke ju shpjeguar që fitimet e tyre rriten edhe më tepër nëse ata investojnë në filantropi, porpos faktit që shoqëria fuqizohet dhe bëhet më mbështetëse, më pak paragjykuese dhe përjashtuese. Ky concept është ende shumë i vështirë për t’u kuptuar. Ndërkohë që kur vjen çështja tek bashkëpunimi më shumë kompani, shikojmë një lloj refuzimi nga ana e tyre për të kapërcyer konceptet e “marrëdhënieve me publikun” dhe për t’i kthyer ato në mbështetje të kauzave sociale! Ç’ka më bën mua përshtypje është edhe një fakt i thjeshtë: po nuk investove në shoqëri, sidomos për ata që nuk kanë, si mund të presësh që shoqëria të investojë në biznesin tënd! Nisur nga kjo ne po mendojmë disa zgjidhje dhe shpresoj që t’ia dalim.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: