DEFTERI - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

DEFTERI - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Lëmë gjurmë të gjithë nëpër defterë, defterë qeverish, defterë Instat-i, defterë mjekësorë, defterë skolastikë, defterë gjendjesh civile, defterë zgjedhjesh, defterë aeroportesh e kufijsh. Të dhënat tona, në emër të dixhitalizimit pluskojnë nëpër atdhe, deri në karta supermarketesh, bankash, butilesh. Më të fshehta nuk ka. Por në emër të rregullit e civilizimit, është shtuar një defter i ri, administratori i pallatit. Dikur kryeplak, burri i lagjes ishte njeriu që dinte të mira e të këqija për çdo familje. Sot emri është zbukuruar dhe kemi një njeri që ndjek zbatimin e “ligjeve” të shkallës, ndjek rregullimin e poçave të kateve, defektet e ashensorit, pastrimin dhe lyerjen e ambienteve. Të paktën kështu i bie të jetë.

Por jemi shqiptarë e huqi ynë del me shpirtin. Ne mbajmë defterë me vete, metaforikë ose jo, ku “shënojmë” çdo lëvizje, sherr familjar, kush na hyn e kush na del, sa pimë alkool, nëse bëjmë jetë nate, nëse i bërtasim gruas ose fëmijës, e mbi të gjitha, me cilën parti politike jemi.

Teksa kthehesh nga dita e lodhshme, me ngrohtësinë në shpirt se më në fund do të prehesh, aty, në folenë tënde të shtëpisë, as mos e mendo që je i mbrojtur nga defteret. Sepse ke edhe një tjetër “big brother” mbi qafë, administratorin. Përpara disa javësh, në emër të rregullit e disiplinës, edhe një herë, pashë shumë lëvizje punonjësish me bllok shënimesh që bënin një kokë më kokë me administratorët e lagjes mbi saktësinë e adresave. Kjo më habiti sepse nuk i kisha parë kurrë. Por ajo që edhe më shumë më habiti ( ose jo ) ishte “lëshimi” në terren i përgjegjësve zonalë partiakë të cilët në këtë buzëfushate elektorale lokale, filluan takimet informative me administratorët mbi përkatësitë politike të banorëve. E di që shumë nga ata që janë marrë me fushata politike do të më thonë se kjo nuk ka ndonjë habi, sepse dikur këta militantë zbatues përplaseshin tek kryepleqtë, që më së shumti ishin të kampit të majtë.

Por pas kaq vitesh e kur i bie që të paktën nëpër shtëpi të jemi të qetë e votën ta kemi rë fshehtë, siç na takon, të mos kemi “informatorë” me pagesë, që tashmë janë zyrtarizuar në administrim të pronave tona.

Përsëri me defterë, përsëri në defterë? Po dhe po. Sepse na gërryen kurioziteti të dimë, sepse po nuk harxhuam energji me jetën e tjetrit, pëlqimet ose zgjedhjet e tij, qoftë edhe në politikë, nuk jetojmë dot. Pa se kemi a s’kemi para në xhep, se kemi a s’kemi drejtësi, se kemi a s’kemi siguri, se kemi a s’kemi shkollim, kjo as që na vjen në mendje.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: