Irini Qirjako: Koha është ilaç për të shuar muzikën pa vlerë

Irini Qirjako: Koha është ilaç për të shuar muzikën pa vlerë
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press këngëtarja e njohur e muzikës popullore Irini Qirjako: “Nuk pranova kurrë ta lë Shqipërinë sepse unë këtu jam Irini që publiku e ka vlerësuar dhe dashur aq shumë. Nuk mund t’ja bëja këtë familjes time dhe publikut tim. Më dukej vetja si tradhtare që të tradhtoja publikun tim. Kam thënë gjithmonë me vete se nuk janë paratë gjithçka.”

E madhja Irini Qirjako mbetet për mua një nga artistet më me adrenalinë që njoh. Kanë kaluar 20 vite nga intervista ime me të, dikur, në RTSH, por ajo ka mbetur e njëjta. Një grua e fortë jugu, me humor e mimikë, me zë kumbues e mollëza joshëse. Irini Qirjako, solistja e madhe e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, me polifoninë labe dhe këngët e dashurisë e ato epike, prej mbi 40 vitesh, është një nga shtyllat e forta të folklorit shqiptar. E takova pranë shtëpisë së saj ku mësova se zonja nga Delvina kishte zgjedhur të jetonte rrëzë malit të Dajtit, në ajër të pastër, larg zhurmës së Tiranës së qendrës.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju jeni nga rrënjë delvinjote, nga Finiqi i Delvinës. Pas kaq shumë vitesh në Tiranë, sa herë mendimet ju çojnë atje ku lindët?

Unë e kam shumë të ruajtur brenda vetes, më së pari, bukurinë e natyrës, fëmijërinë time në ato ditët kur shkoja buzë lumit të Bistricës. Mamaja shonte punonte ose shkonte të mblidhte dru dhe unë shkoja e shoqëroja, ajo ngarkohej në supe e doja edhe unë të ngarkohesha. Mamaja vinte kazanët e mëdhenj të lante rrobat e unë e ndiqja si të ishte lojë. Kujtoj shumë kur këndoja me zë të lartë këngët e Vaçe Zelës nëpër mëhallë. E doja shumë Vaçen por edhe nëna ime e adhuronte. Kishim një radio dhe e dëgjonim muzikën me shumë dëshirë. Kur këndonte Vaçja, nëna thoshte, gjysmë shqip e gjysmë greqisht: “Ah more Vaçja mu!”. Udhëtoj me kujtimet tek ai kopshti me lule që kishim në oborr, unë punoja vetë lulishten, e vogël fare isha, 6 ose 7 vjeçare, këpusja plisa me barishte dhe i vendosja në lulishte anash, kujtoj frutoren me mollë e mandarina të oborrit. Unë edhe sot kur kthej kokën e shikoj ku ka qenë shtëpia ime tek SMT-ja e Sarandës, më rrjedhin lotët. Ka qenë një fëmijëri me sikletet e veta por shumë e bukur, shumë e pastër. Por kam qenë edhe fëmijë shumë kurioz dhe impulsiv, me shoqet u binim portave e largoheshim me vrap. Nëna ime ka qenë një zonjë e fortë, rreptë por këto raste mi falte dhe qeshte me mua. Deri sa një ditë një komshi më zuri “me presh në duar” si i thonë e u frikësova aq shumë sa më nuk e bëra atë gabim ha ha ha. Por ndryshova shumë në fillore, u bëra një vajzë e e mbarë, e edukuar dhe me rezultate shumë të mira në shkollë. Aty u zbulua edhe talenti im me këngën

Arsimin fillestar e kaluat në Finiq?

Shkollën fillore në zonën e SMT-së, ndërsa pjesën tjetër të 8-vjeçares në Finiq, pranë gjyshërve, sepse ndërkohë familja ime kishte kaluar në Qafëgjashtë por unë aty pothuajse nuk ndenja fare. Kam kujtime aq të bukura nga fëmijëria sa që nuk do t’i harroj derisa të vdes. Pas shkollës në Sarandë unë u largova për në Tiranë ku studiova në Lice pasi fitova të drejtën e studimit.

Ishit një vajzë e vogël që shkoi në konvikt. Nuk kishit ndrojtje, ankth?

Jam vajza e madhe e 6 motrave e vëllezërve dhe e kisha gjithë barrën mbi kurriz, jam kujdesur për shtëpinë e për ta, bëja çdo gjë, përveç gatimit, bëja mësimet dhe isha nxënëse e dhjetës. Sepse nëna e babai ishin në punë tërë ditën. Prandaj isha më e pjekur se mosha që kisha. Por unë e kam bindje, sa më i lodhur e i vuajtur të jesh në jetë, aq më shumë di të çash, e përballon jetën shumë stoik, krijon vizione për jetën tënde.

Po le të kapërcejmë pak, ke një vajzë të vetme, me të si ja ke dalë të mos e përkëdhelësh?

Po e vërtetë, unë kam një vajzë të vetme, pasi djali u nda nga jeta tre ditë pasi lindi. Për mua mbetet i pavdekshëm në kujtesë mjeku Ilir Gjylbegu, i cili bëri të pamundurën që vajza ime të jetonte. I ndriçoftë shpirti aty ku është. Por deri në moshën 13 vjeçare ajo ishte shumë e brishtë, delikate, sëmurej shpesh nga bronket. Ndaj e kemi rritur me pekule, duke e mbajtur si në pëllëmbë të dorës. Unë isha shpesh me turne e për të kujdesej bashkëshorti im Maksi me shumë dashuri por edhe e përkëdhelëm, nuk prekte punë me dorë dhe me mësimet ishte gjeni. Unë ja ushqeja peshkun deri në universitet. Imagjinoni çfarë fëmijërie kisha kaluar unë e si u rrit Riviola. Por vajtja në Gjermani bëri që ajo të mësonte gjithçka. E pati të vështirë në vitin e parë por më pas u ambientua mrekullisht.

Vajza juaj, krenaria juaj, është sot mjeke në Gjermani. Nuk e patët të vështirë ndarjen?

Vajza ime mbaroi studimet në Shqipëri me mesatare shumë të lartë. Pas stazhit, filluan përsëri specializimet por në praktikën e punës, Riviola zbuloi që ishte e pamundur të merrte shumëçka nga profesioni, nuk ishte e lehtë që përmes profesorëve të mjekësisë të perfeksionoheshe në zanat. Mikesha ime, Tefta Radi më kishte shtyrë që ta dërgoja vajzën që të studionte edhe gjuhën gjermane. Duke qenë unë minoritare, vajza do ta kishte shumë të lehtë të shkonte në Greqi por ajo zgjodhi të shkonte ta mbronte gjuhën në Gjermani, në Mynih, ku doli e para. Një spital i kërkoi menjëherë të nënshkruante kontratën por ajo, ka malli për ne, nga pasiguria se si do të jetonte pa përkëdhelinë tonë, u kthye me kontratën e pa firmosur në çantë. Por kur u rikthye në Shqipëri dhe shkoi në spital, nga gjendja e mjerueshme që gjeti, mori kontratën dhe e firmosi. Kështu filloi jeta e saj në Gjermani. Fillimi qe i vështirë sepse edhe atje ka bërryla, por sot janë 6 vite që jeton atje.

Rikthehemi në rininë tuaj, ju studiuat në Liceun Artistik në cilën degë?

Unë studiova për teoritikë arti, një degë shumë e vështirë me lëndë shumë specifike dhe solfezh më bënte zyshë Edit Mihali dhe kur lexoja ushtrimet e solfezhit më pyeste se me kë bëja kanto e unë i thoja se nuk studioja kanto. Ma bënte këtë pyetje shpesh sepse dëgjonte zërin tim të importuar. “Është e pamundur që ti të mos jesh për kanto”-më thoshte. Kujtoj me shumë dashuri profesor Ramadan Sokolin, i cili nuk e vinte dhjetën kollaj. Kur lexoja ushtrimet nga krahinat e ndryshme, ai gjithmonë më thoshte se si kishte mundësi që unë i jepja notën e duhur. Më donte shumë dhe e kam pishman në zemër një detaj. Ai më kërkonte albumet e mia dhe përpara se të ndahej nga jeta, unë nuk arrita t’ia dërgoja. Në Akademinë e Arteve unë ndoqa një degë që nuk e doja shumë, isha një vajzë nga fshati dhe pa përkrahje dhe nuk më doli ajo degë që doja. Aq sa në fillim doja ta lija në mes fakultetin. Ndoqa degën e kulturës por më ndihmoi Zoti sepse ka një Zot lart që na mbështet e na do. Por fati deshte që profesoreshë Tatjana Sina, më e mira nga të gjitha, për mua, të ngulte këmbë që të qëndroja. Ajo më thoshte se shumë studentë që kishin hyrë pa meritë në fakultet, në jetë nuk ishin bërë kërrkushi ndaj unë duhet të rrija që të shkëlqeja. Ajo më dha një ngrohtësi të madhe, me të studiova dirigjim koral. Ndërkohë aktivizohesha në Anketat Muzikore. Pasi mbarova fakultetin konkurrova për në korrin e Operës dhe Baletit, isha e marrosur pas muzikës klasike. Në ato vite kishim përballë një juri me kollosë të muzikës, Çesk Zadenë, Tish Dainë, Gaqo Çakon, Panajot Kanaçin, Vaçe Zelën, Xhemal Laç, kokat e artit shqiptar. Kur interpretova pjesët klasike, nga impostimi i zërit tim të plotë, vendosën që të shkoja në Ansamblin e Këngëve e të Valleve. Në datë 17 prill dhashë konkursin e më 21 prill, në ditën time të lindjes, fillova punë. Aty nisi karriera ime profesioniste.

Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore ka qenë një emblemë e artit shqiptar, por mbi të gjitha, ishte dritarja jonë në botë. Si i kujtoni eventet në turnetë jashtë shtetit?

Ansambli kishte yje që shkëlqenin në gjithë botën. Unë kam mbresa të panumërta si përpara demokracisë por edhe pas. Kujtoj me shumë dashuri një turne në Greqi, në fillim të viteve ’80, nëpër ishuj e qytete të Greqisë. Mbaj mend që grekët që na shoqëronin mu vunë shumë keq nga pas, duke mu lutur që të qëndroja në Greqi ku me zërin tim do të bëhesha këngëtare me famë dhe shumë e pasur. Por mbaj mend edhe që shoqëruesi ynë i sigurimit të shtetit ma nxiu jetën, m’u qep këmba këmbës sepse isha minoritare e më ruante pa pushim. Debatova me të ashpër dhe e largova me shumë vendosmëri. E të mendosh se kur erdhi demokracia këta tipa u bënë demokratë. Isha shumë e lumtur në këtë turne në Greqi, kisha edhe një lidhje shpirtërore me atë vend. Edha pas viteve ’90 më ka kërkuar i madhi Petro Lluka në Greqi, në 1994, që të isha soliste në grupin e tij e unë nuk pranova. Nga viti 1991 e deri në vitin 2000 kam dhënë koncerte, nën kujdesin e një menaxhereje franceze, në mbarë botën, por asnjëherë nuk pranova të lë vendin tim. Nuk pranova kurrë ta lë Shqipërinë sepse unë këtu jam Irini që publiku e ka vlerësuar dhe dashur aq shumë. Nuk mund t’ja bëja këtë familjes time dhe publikut tim. Më dukej vetja si tradhtare që të tradhtoja publikun tim. Kam thënë gjithmonë me vete se nuk janë paratë gjithçka.

Bashkëshorti juaj, Maksi, si erdhi në jetën tuaj?

Maksi është kolonjar me origjinë, lindur e rritur në Tiranë, me profesion ushtarak. Motrën e tij, violonçelistin Eftali Papathanasi, e kam pasur në shkollë. Ajo u bë sebep që ne u njohëm sepse më donte shumë për vëllanë. Në vitin e parë fakultet na prezantoi ajo. Nuk qe pëlqim me shikim të parë por kur u miqësuam e hymë në muhabet, mendova se ai ishte burri për mua, ishte fantastik. Ai e kuptonte artin sepse, nga e motra, i ndiqte të gjitha koncertet, muzikën e kishte në shpirt. Kjo e bëri më të lehtë marrëdhënien tonë. Si të gjithë ushtarakët, ai ka shumë botë, sens të së mirës, ndershmëri, përkushtim për familjen. Ai nuk i toleron thashethemet për femrën, ofendimet ndaj femrës, ka disa norma që nuk i gjen lehtë. Vajza ime shprehet shpesh që do të donte shumë të kishte fat e të gjente një partner jete si ai.

Në vitin 2013 u shkëputët nga Ansambli. Sot kur hedh vështrimin atje, si ju duket?

Ansambli sot nuk ka solist, e shikoj me dhimbje të madhe. Raste si Sabahet Vishnja e të tjerë janë për keqardhje, janë soliste në kulmin e vokalit, është nder që Ansambli i ka e nuk falet që këto zëra u larguan nga Ansambli. Çdo gjë ndodh sepse në drejtim nuk vendosen njerëz që e duan me të vërtetë atë institucion dhe artin.

Vijmë në ditët tona. Je shumë e kërkuar brenda e jashtë Shqipërisë me koncerte e në gëzime familjare. Sa shumë dashuri ka ende për këngët e tua....

Ndihem me fat të madh sepse madje më duhet të jem përzgjedhëse në aktivitetet ku shkoj. Puna nuk më ka munguar dhe dashuria e publikut nuk është zbehur.

Por erdhi edhe një bashkëpunim me këngëtaren Silva Gunbardhi. Si lindi ai?

Vite më parë, Silva kishte realizuar një bashkëpunim tjetër dhe në një dasmë në Vlorë ishte edhe nëna e Silvës e cila shprehu një dobësi të madhe ndaj meje dhe donte shumë që të realizohej një bashkëpunim mes nesh. Silva më ka treguar që për shumë kohë ajo ndihej ende shumë e re që të këndonim bashkë. Pas shumë vitesh më telefonon, me një zë të mekur. Më shprehu dëshirën për një kolazh dasme me këngë të vjetra burimore. Unë pa e diskutuar e quajta të kryer. Kisha besim tek talenti, vullneti dhe vizioni i saj. Vajzë shumë e mirë, mbi të gjitha. Kështu lindi bashkëpunimi dhe punuam 6 muaj që këngët u bënë bashkë, një bashkëpunim edhe me njeriun me të cilin nuk ndahem kurrë se punuari, Edmond Zhulalin. Silva më pas hodhi në rrjetet sociale edhe nismën për videot e sjella nga publiku. U mahnita kur mësova se kishin ardhur rreth 11 mijë video që përbënë edhe videoklipin tonë, nuse reale e dasma reale. Mendoj se vlera e këtij bashkëpunimi ishte edhe në faktin se zëri im i plotë mexo u unifikua shumë mirë me zërin e ëmbël të Silvës. Ky duet solli një prurje të re mbi një taban të vjetër e me vlerë të folklorit tonë. Pati shumë efekt në publik rifreskimi i këtyre këngëve. Në rrugë më ndalojnë për këtë kolazh. Unë realizova edhe një këngë solo por kolazhi me Silvën bëri shumë efekt.

E mendoni se ka një rikthim të këngëve të tabanit tonë popullor?

Me sa shikoj unë u bë një testim i gjatim edhe përmes dasmave, ku u pa se publiku, njerëzit, duan këngët e dikurshme, jo vetëm këngët e reja. Duan këngët që ai vetë ka vulosur në shumë vite me radhë. Edhe albumet e mia janë kështu, me 9 këngë të vjetra e një të re. Të gjithë grupet muzikore më thonë se në çdo dasmë i kërkojnë këngë të miat dhe këngëtarët po i thërrasin mendjes e kanë filluar t’i risjellin ato në version më modern. Këngët e vjetra janë të pavdekshme. Por kjo nuk do të thotë se periudha e muzikës pa cilësi mbaroi, por ajo që është e bukur i reziston kohës, ajo që nuk vlen, fshihet nga koha. Por ajo që shikoj më me rrezik është edukimi i shijes së publikut me muzikë tallave, siç quhet, por edhe ajo, me kalimin e kohës do të fshihet. Kështu ka ndodhur edhe nëpër botë, është një periudhë kalimtare. Muzika e bukur shqiptare do të mbetet përjetësisht.

Çfarë projektesh ke në duar e dashur?

Kam dy projekte që i kam shumë përzemër, përveç koncerteve për festat e nëntorit dhe ato të fundvitit, në Itali dhe Greqi. Por është një projekt nga pianisti i njohur, Egland Hasa dhe i vëllai i tij. Bëhet fjalë për një projekt koncertesh nëpër Europë, që do të zgjasë 4 vite. Unë jam këngëtare e koncerteve, e skenave e këto lloj projektesh më bëjnë të ndihem mbretëreshë. Uroj shumë të realizohet. Ndërsa projekti i dytë është një koncert i madh recital në Shkup i cili do të regjistrohet edhe nga televizionet në Kosovë. Jam e lumtur që ata kërkuan emrin tim, që ata dinë të hulumtojnë artistët me vlera të vërteta dhe i vlerësoj shumë për përzgjedhjen. Unë do të jem në Shkup në fillim të dhjetorit për disa filmime, bashkë me Silva Gunbardhin, për festat e fundvitit. Është habi sepse shpesh mendojmë se disa këngë tonat nuk i njohin por më ndodhi këtë verë, teksa këndoja në fshatrat e Strugës e sa fillova të këndoja “Te rrapi në mashkullorë” u bë nami atje, filluan të shtien në ajër. Ata kanë mall për këngët tona, kanë qenë stimul moral e shpirtëror për ta.

Dua nga ju një kujtim që ju e veçoni, nga magjia e publikut...

Po, kam një moment jete që nuk më shlyhet nga memoria. Ishte viti i vështirë 1997. Kishim koncert në Korsikë, në ishull. Unë isha e sëmurë nga grykët, kësaj i shtohej fakti se na shikonin me shumë përçmim, përbuzje, neveri. Po e përjetoja shumë keq këtë skenë sepse isha mësuar të dilja si zonjë në skenë. Një artist e ndjen më thellë përçmimin ndaj vendit të tij. Nuk e di as sot se si ja dola që të këndoja, mbyta zërin e gjoksit dhe arrita të këndoj me zë nga hunda. Ky është dallimi i një profesionisti. Koncerti ishte në një katedrale madhështore. Këndoja me zë mbyllur “rënkimet” e këngës “Mbeçë more shokë mbeçë” dhe kur hapa sytë, pashë publikun në rresht të parë që qante, pashë lot në sytë e atyre që na pëbuzën, në nisje. E tregoj me krenari këtë episod, sepse ja se çfarë thesaresh ka vendi ynë, folklori ynë. Na kthyen në skenë me bis. Gazetarët dhe publiku vërshuan të na takonin. Njerëzit më zinin nga krahu e më puthnin dorën, të ulur nëpër sola, teksa ne duhet të dilnim në ballkonet antikë të atij qyteti. Mendoni pak, çfarë faji kishim ne, çfarë faji ka arti, artisti për atë politikë të ndyrë që ishte këtu?

Kujtoj edhe një episod në Paris. Ishte viti 1998, lufta e Kosovës. Në një park gjigant ne mbanim koncert, ishte i pranishëm edhe shkrimtari i madh Kadare me bashkëshorten. Në një moment, fonia pati probleme dhe menjëherë Kadare u ngrit të na ndihmonte të zgjidhnim problemin. Aty pranë kishte një lagje me serbë dhe Kadare nuk donte që të mos kishim sukses: “Edhe kënga i tmerron këta!”-tha ai. Fonia u rregullua dhe parisienët, që në përgjithësi nuk ulen në park të dëgjojnë por shëtisin, për ne u ulën në park e na rikthyen disa herë në skenë. Ish ministri i kulturës në Francë, erdhi më përqafoi, bashkë me zonjën e tij e më tha se unë i dukesha si Edit Piaf, e cila këndonte në kohën e luftës me një grup burrash. Këto, Juela, janë detaje të bukura nga jeta dhe karriera ime dhe janë disa nga emocionet e rralla që më bëjnë të ndihem krenare për vendin tim dhe folklorin tonë të mrekullueshëm.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: