Mërkur Bozgo, mjekërbardhi i skenës shqiptare

Mërkur Bozgo, mjekërbardhi i skenës shqiptare
Një portret mbi një nga aktorët më të spikatur të teatrit, serialit televiziv dhe filmit shqiptar, Mërkur Bozgo, në përkujtim të kontributit të tij madhor, një vit pas ndarjes nga jeta.

Aktori brilant Mërkur Bozgo do të ndahej nga jeta një vit më parë, ashtu në heshtje e në modesti, aktori i shumë roleve të karakterit, edhe me ndarjen e tij nga jeta, do të kujtonte publikun e gjerë të teatrit dhe të filmit se edhe një tjetër yll i artit shqiptar humbi. Ishte një 80 vjeçar karizmatik e aktiv por një sëmundje e rëndë, nga e cila vuante prej kohësh, e shkëputi nga miqtë dhe familja.

Mërkur Bozgo ka lënë në thesarin e artit shqiptar një numër të madh rolesh në kinematografi, rreth 30 dhe 100 role në teatër ku spikat fakti që edhe në interpretimet e tija në role episodike, ai mbahet mend deri në ditët tona.

Pak biografi

I lindur në 24 Mars të vitit 1937 në qytetin e Gjirokastrës, në vitin 1961 përfundoi studimet e larta në degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe prej këtij viti filloi punën në Estradën e Tiranës ku qëndroi deri në vitin 1968. Në kinematografi roli i tij i parë do të jetë në kinokomedinë televizive “Estrada në ekran” pikërisht në vitin 1968.

Pas këtij viti, për 7-të vite punoi në Televizionin Shqiptar dhe që prej vitit 1975 punoi si aktor në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Në vitin 1994 doli në pension por nuk doli në pension pasioni dhe angazhimi i tij në skenë. Nga rolet më të spikatura në kohët moderne ishte ai i hoxhës në filmin “Gjoleka, djali i Abazit” në vitin 2005 perkrah Enxhi Agushit. Në vitin 2014 do të interpretonte rolin e Palit në “Radio Iliria” me regji të Erand Sojlit.

Grimca nga thëniet e aktorit

Ja si do të shprehej aktori i madh Mërkur Bozgo, teksa interpretonte, pas disa vitesh shkëputje, rolin e Palit në “Radio Iliria”

“Janë copëza të jetës së Palit në burg, dhe copëza të jetës së tij jashtë burgut. E gjithë kjo ka një përfundim, njeriu nga presioni i diktaturës nuk mund të bëjë atë që kërkon të bëjë. Vajza është e detyruar ta lërë njeriun që dashuron, sepse ai futet në burg, por këtu janë dhe mashtrimet e kohës së diktaturës që i imponoheshin. Duke qenë në burg Pali denoncon një nga shokët e burgut, që të shpëtonte nga litari. Është një luftë brenda Palit. Në fund, këtë që ka bërë, do ta shpaguajë me jetën e tij, dhe në fund vret veten. Ai ka një batutë që është thelbi: “më mirë të durosh për një çast litarin, sesa gjithë jetën të të ngeli laku në fyt”.

Si nënvizonte mesazhet e veprave që interpretonte

“Njerëzit nuk duhet ta lejojnë dhe njëherë kthimin e diktaturave për të mos hequr ato të zeza që hoqëm për 50 vjet. Ky mesazh vjen i plotë në vepër.”

  Si do të shprehej aktori i madh mbi problemet e Teatrit Kombëtar

Në Teatrin Kombëtar duhet të jetë ajka e artistëve më të mirë që ka kombi. Si ndërtesë kjo është jashtëzakonisht e vjetër. Janë bërë pak rikonstruksione, që e kanë mbajtur deri tani në këmbë ndërtesën. Por duke qenë se flasim për një Teatër Kombëtar, ne jemi më mbrapa në Ballkan sa i takon godinës ku zhvillohet jeta artistike. Është një teatër, që për mua është i adoptuar dhe është bërë i mirë me ato mundësi që janë, por jemi shumë vonë për të ndërtuar një teatër të ri kombëtar. Ky është një problem i kombit tonë, dhe të tërë duhet të japin mendime, të kontribuojnë për tu bërë ky teatër, por më shumë është çështje e shtetit. Që në diktaturë është menduar për një teatër të ri. Në atë kohë na pyesnin ku e doni teatrin, si duhet të jetë, etj. Të tëra këto në shumë raste ishin më shumë për të qetësuar komunitetin e  artistëve. Jo vetëm aktori, por dhe spektatori kërkon komoditet, sepse ai paguan para dhe do të vijë të shikojë një shfaqje që të ketë akustikë të mirë, sallë të mirë, skenë të mirë, arkitekturë të godinës të mirë, etj. U kërkua një teatër i ri më 1996, nëse nuk gaboj dhe në 1978 kur erdhi një herë Ramiz Alia në shfaqje. Ku ai i pari u shpreh: “ e di çfarë do më thoni”. Sipas tij duhej një teatër i ri, një kërkesë e jona që ishte bërë dhe më herët. Edhe kur ishte kryetar bashkie Edi Rama ka dashur të bëhej një teatër, por nuk u bë sepse nuk ishte diçka  e përcaktuar si ndërtesë, nuk dihej se ku do të shfaqnin aktorët, nuk ishte e saktësuar puna. Për mua ky teatër që është sot mund të mbahet, por duhet dhe një teatër i ri. Janë pak teatro në Tiranë, por duhet nxitur dhe ndërtimi i teatrove privatë. Gjithë kjo prodhimtari që vjen nga Universiteti i Arteve, këta aktorë dhe aktore duhet të ketë mundësi të shpërfaqin vlerat e tyre.

Kur Mërkur Bozgo kërkonte vëmendje për artin dhe kulturën

Më tepër vëmendje për artin dhe kulturën, por kjo jo duke filluar nga Ministria e Kulturës, por nga Kuvendi. E fundit që diskutohet për të ndihmuar artin, e fundit që merr fondet është Ministria e Kulturës. Në Kuvend duhet të shtrohen dhe të diskutohen problemet. Nuk kam parë që të diskutohet në tribunën e Kuvendit për artin dhe kulturën. Të dalë një nga ata që është votuar për të ndihmuar kulturën dhe të flasë. Së pari, art pa shpenzime nuk mund të ketë. Projektet kërkojnë fonde, por ato janë të pakta. Ministria të përpiqet t’i rrisë fondet, teatri të përpiqet të rrisë cilësinë dhe numrin e premierave. Ju fola për teatrin, por si aktor për mua dhe fondi i kinematografisë është qesharak. Nuk bëhet dot gjë me këtë fond. Është turp që ne nuk krahasohemi dot me Maqedoninë. Ajo ka 5-fish buxhet më shumë për të bërë filma. Kemi dhe RTSH që dikur bënte dhe filma serialë, dhe duhet të vazhdojë sepse është televizion publik. Në RTSH duke u nxitur prodhimtaria në film mund të hyjnë në punë shumë vajza dhe djem, që mbarojnë për aktrim. RTSH duhet të jetë në krye të mediave të tjera. Në diktaturë kishte më shumë interes për artin, sepse ata kishin interes për propagandën e vet. Duhet të jetë dhe sot vëmendja për artin dhe kulturën.

Pengu

Mërkur Bozgo shprehej shumë i kënaqur për punën e tij të gjatë si aktor, veçanërisht nga spektatori shqiptar. Por si çdo aktor ai kishte pengjet e tij, ai ëndërronte të luante “Mbretin Lir”, por nuk u bë e mundur sepse, siç ai shprehej, duhej që një prapavijë e tërë të hynte në punë, duheshin fonde që nuk ishin, duheshin pjesëmarrje e shumë aktorëve, kërkonte regjisor të mirë, etj.

Dashuria për komedinë

Në mendjen e publikut, është e vërtetë që aktori Mërkur Bozgo ka mbetur për profilin e tij komik, në shumë role të goditura. Por ai vetë shprehej se aktori duhet të lozë dhe në dramë dhe komedi, duhet ta ketë këtë ngarkesë për të dyja mbi vete.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: