Mit’hat Frashëri, largpamësi i letrave dhe politikës shqiptare

Mit’hat Frashëri, largpamësi i letrave dhe politikës shqiptare
Pas shumë dekadash e pas shumë përpjekjesh, pas një nderimi zyrtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ai vdiq, e përmes një ceremonie shtetërore në atdhe, u plotësua edhe amaneti i Mit’hat Frashërit. Personaliteti i shquar i kulturës dhe letrave shqipe, Mid’hat Frashëri nga sot do të prehet në Atdhe. Pas mbërritjes së eshtrave nga SHBA si dhe homazheve në Akademinë e Shkencave, eshtrat e tij janë varrosur pranë vëllezërve Frashëri tek Liqeni Artificial, pasi ai ishte nip i Frashërllinjve të mëdhenj, Samiut dhe Naimit.Për kthimin e eshtrave nga SHBA për në vendlindje të firmëtarit të pavarësisë dhe kryetarit të Kongresit të Manastirit, Këshilli i Ministrave akordoi fondin prej 3,239,400 lekë, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore. Mid’hat Frashëri, djali i Abdyl Frashërit, është një nga figurat më të shquara intelektuale shqiptare. Ai ka lënë gjurmë si diplomat, shkrimtar dhe politikan.Eshtrat e rilindasit, diplomatit, shkrimtarit dhe patriotit të madh mbërritën në atdhe pikërisht në javën e përkujtimit të 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit, që u drejtua prej tij.

Kush ishte Mit’hat Frashëri

U lind më 25 mars 1879, në Janinë, ai ishte i biri i patriotit të madh, rilindasit Abdyl bej Frashëri, nipi i enciklopedistit Sami Frashëri dhe poetit të mallit për vendlindjen, Naim Frashëri. Mit’hati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë i vdiq i ri, duke mbetur në kujdestarinë e xhaxhallarëve, Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll.

Abdyl Frashëri, kur u pyet para ekzekutimit, nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur: “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, Mit’hati punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore, i emëruar drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut. Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX dhe u bë një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX

Ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut, madje aty dominonte influenca e tij. Asokohe në Manastir mbaheshin takime të patriotëve shqiptarë, të kryesuar nga Çerçiz Topulli dhe Adem Emini, të cilët punonin për të përgatitur një kongres dhe një revistë të përjavshme.

Ka pasur rol të ndjeshëm në ruajtjen e kompaktësisë së klubit “Bashkimi” të Manastirit, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet gegëve (në pjesën më të madhe dibranë) dhe toskëve, të cilën e ka zgjidhur duke shkuar në Manastir, më 20 shtator 1908, duke shkrirë kryesinë e mëparshme, të cilën e zëvendësoi me Rexhep Hoxhën prej Kallkandelene (Tetovë), zgjedhur kryetar, ish-kryetari Fehmi bej Zavalani kaloi zv/kryetar, ish-zv/kryetari Gjergj Qiriazi u zgjodh anëtar dhe kryesia u përbë nga pesë gegë e pesë toskë.

Mit’hat Frashëri si figurë madhore e letrave shqipe

Mit’hati nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin Kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901, botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani.

Në vitin 1908, filloi të botojë gazetën “Liria”, në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunoi ngushtë me mikun e tij, Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtypshkronjën “Mbrothësia”. Mit’hat Frashëri ishte xhonturk, nuk pëlqeu ardhjen e Ismail Qemalit, më 1908 në Vlorë, madje shkroi një shkrim kritik për Ismail beun, në gazetën “Lirija”. Çajupi ka shkruar me nota demaskuese pamfletin “Klubi i Selanikut”, duke kritikuar fletoren “Liria”, e drejtuesin e saj Lumo Skëndua ose Mitat Frashëri. Çajupi shprehet se, kisha dëgjuar që: “Klub’ i Selanikut mpron të drejtat e kombit shqipëtar. Vërtet keshe msuar se Klub’ i Manastirit paskej bërë një Kongres, u mbajt më 1909 dhe nuk vendosi dot për një alfabet të vetëm. Midis dy alfabeteve që pranoi, njëri qe ai i Stambollit, tjetri qe alfabeti i sotëm.) (ç’domethënë prapë kjo fjalë?) për punë të abetit) dhe paskej gjetur për mbarë të përdoren dy soje shkronja për gjuhën tonë”.

Në këtë rast poeti i rilindjes aludon se këto klube të shqiptarëve punonin për të mbajtur premtimet që u kishin bërë xhonturqit shqiptarëve. Artikulli kritikoi hapur kryetarin e klubit dhe drejtorin e gazetës “Liria”, Mit’hat Frashërin, i cili menjëherë botoi një artikull si kundërpërgjigje në gazetën e vet. Replikat ndërmjet palëve, në gazetat e tyre, vijuan duke pasqyruar luftën e ashpër ndërmjet shqiptarëve në ato kohë delikate për fatet e kombit.

Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin kongresi i alfabetit, më 14 nëntor-22 nëntor 1908. Mit’hat Bej Frashëri u zgjodh kryetar i kongresit dhe nënkryetar i komisionit të hartimit të alfabetit (kryetar i komisionit ishte At Gjergj Fishta). Më 1 janar 1909, në revistën “Diturija”, botoi një fotografi të delegatëve në kongresin e Manastirit, ku ka dhënë imtësisht shpjegime për secilin prej tyre, madje ka sqaruar edhe për ata që nuk dolën në fotografi, ku mungojnë Hilë Mosi (delegat i Shkodrës), G.Cilika (delegat i Korçës), Hafëz Ibrahimi dhe Emin Beu (delegatë të Shkupit), Rauf beu (Fico, delegat i Gjirokastrës H.L.) dhe Selaheddin beu (nga Prizreni, delegat i Manastirit).

Aktiviteti politik

Në shpalljen e pavarësisë ka qenë i zgjedhur delegat i Elbasanit, Ipekut, (Gjakovës, Plavës, Gucisë) dhe Përmetit. Nga Elbasani ka njoftuar telegrafisht Syrja beun e Xhemil beun: “Pasi bashkë me përfaqësuesit e Dibrës do të vijnë edhe Mehmet pashë Dëralla, Ajdin Draga e Isa bej Buletini, e nismja e jonë u shtyrë. Të Hanën do të nisemi së bashku”.

Kur u zgjodh ministër, në votim u rendit i pesti, duke fituar 35 vota, dhe merituar postin e ministrit që në raundin e parë. Në vitin 1912, në qeverinë e pavarësisë, të krijuar nga Ismail Qemali, ai zgjidhet ministër i Punëve Botore.

Referuar dokumenteve arkivore mësohet se Mit’hat Frashërit, kur ishte në Vlorë i ka drejtuar një letër një personi të quajtur Kristo, nga e cila mësohet se ai u nis nga Shkupi më 3/16 tetor 1912, duke dëshmuar se ka qenë në Mitrovicë, Pejë (Ipek), Gjakovë, Has, Tejdrin, Mirditë, Kurbin, Tiranë, Durrës, Elbasan. Kur ka mbërritur në Tiranë ka pasur si qëllim të bashkohet me grupin e Abdi Toptanit për të zhvilluar një kongres aty, mbasi pohon se kishin biseduar edhe me abatin e Mirditës. Nuk e fsheh qëllimin se ka dëshiruar të bëhej mbledhja në Elbasan, por telegrami i Syrja bej Vlorës njoftonte se duhej shkuar në Vlorë, ku ishte nisur edhe I. Qemali. Letra informuese mban datën 10 dhjetor 1912.

Disa shkrues, me tendencë, shprehen se: “…kur Ismail Qemali ftoi gjithë oficerët dhe patriotët shqiptarë që ndodheshin në fronte të ndryshme në Luftën Ballkanike të ktheheshin në shtëpitë e tyre, Mit’hat beu ka qenë kundër këtij mendimi dhe ka shkuar dy herë nga Vlora në Janinë për të inkurajuar rezervistët shqiptarë të vazhdonin luftën gjer në fund, duke menduar se kjo mund të sillte shanse që Çamëria do të mund t’i mbetej Shqipërisë”. Faktohet se është e vërtetë që ministri Mit’hat Frashëri kërkoi leje për të shkuar në Janinë, gjë e cila u pëlqye nga qeveria e Vlorës, por me kusht që ai të prezantohej atje jo si ministër që përfaqëson qeverinë e Vlorës, por individualisht, si patriot.

Sipas miqve të tij, ky ka qenë një nga shkaqet e ndarjes së Mit’hat Frashërit me Ismail Qemalin. E vërteta mbase qëndron ndryshe, sepse sipas dokumenteve arkivore, më 20 dhjetor 1912, Ismail Qemali përshëndeti me një letër mbrojtjen që po i bëhej Janinës nga komandanti i saj, duke u shprehur në dobi të kësaj lufte. Dikush tjetër ka pohuar të vërtetën se: “…më 30 mars 1913, Mit’hati jep dorëheqjen nga detyra” dhe në kë rast është gazeta “Atdheu”, e cila jep si shkak të ndarjes: “Kur Ismail Qemali shkoi në Britani me dukën Montpensier, japin demicjen e heqin dorë nga qeveria Don Kaçorri e Mit’hat bej Frashëri .

“Besa Shqyptare” përshëndeti Mit’hat bej Frashërin, për vizitën në Shkodër, në maj 1913, duke u shprehur: “nji ndër komtarë ma të t’flaktit e t’nderueshmit qi diftoi gjith herë dashtnin e zemrës vet për gjith ç’i flet për shqyptar”

Më pas, Mit’hat Frashëri u caktua konsull gjeneral i Shqipërisë në Beligrad, emërim sipas disa miqve të tij për ta larguar nga Shqipëria, atë dhe gjithë të aftit, por në vijim njoftohet nga shtypi se: “Më 20 maj, kur u riformua kabineti i Turhan Pashës, u emërua ministër i Arsimit e i Postë-Telegrafëve”, çfarë qëndron e vërtetë.

Pas largimit të Wied-it shkoi në Lozanë, ku qëndruan edhe Mehdi Frashëri, Pandeli Cale, Dr. Mihal Turtulli, Ahmet Resuli, Hivzi Korça, vëllezërit Gode. Në vitin 1916 vendoset në Bukuresht ku arrestohet nga policia dhe internohet në Moldavi. Deri në vitin 1918 jetoi në disa shtete të Ballkanit.

Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, lejohet të largohet dhe vendoset përsëri në Lozanë, Zvicër. Aty, ai, i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorje ka deklaruar se: “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan”.

Në kongresin e Durrësit, Mit’hat Frashëri, u emërua ministër pa portofol dhe u caktua delegat në delegacionin e parë, në konferencën e Paqes, Paris më 1919, së bashku me Turhan pashën, monsinjor Bumçin, Mihal Turtullin, Luigj Gurakuqin, Mustafa Krujën. Më pas ka qenë i emëruar delegat pranë Konferencës, së bashku me Mehmet Konicën dhe Pandeli Evangjelin. Më 1919 ka qenë kryetar i delegacionit shqiptar në Paris “në mbrojtje të të drejtave të Shqipërisë”, së bashku me Dhimitër Beratin. Mit’hatit, kur ishte në Konferencën e Paqes në Paris, i është bërë thirrje nga kryesia e “Vatrës” që të punojë “për bashkimin e gjithë shqiptarëve për një Shqipëri independence pa asnjë protektorat”. Kur qe aty, me mision, shkroi: “Indipendenca morale” , po kështu edhe punimin tjetër “Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë”.

Pas përfundimit të misionit në Paris, në vitin 1920, njoftohet se “Mit’hat Frashëri u emnua përfaqësues në Uashington”, niset sapo të përgatiten pasaportat. Ai u vendos në SHBA dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1922, por sipas shënimeve të Sejfi Vllamasit, në librin me kujtime “Ballafaqime politike në Shqipëri 1897-1942”, është i shënuar në listën e deputetëve të prillit 1921 edhe Mit’hat Frashëri, i zëvendësuar më vonë nga Rasim Babameto, gjë e cila rezulton edhe në dokumentet e Kuvendit të Shqipërisë. Po kështu, sipas kujtimeve të Mehdi Frashërit, në maj 1922, Mit’hati, ka zëvendësuar Mehdi Frashërin në mbledhjen e Firences, ku Komisioni Ndërkombëtar diskutonte për caktimin e kufijve. Edhe në “Bisedimet e Kuvendit”, Mit’hat Frashëri, rezulton deputet i Gjirokastrës, madje shënohet se qëndroi deputet deri më 4 shtator 1922.

Në janar 1923 filloi detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, ku qëndroi deri në dhjetor 1925. I zhgënjyer nga zhvillimet politike në Shqipëri ai jep dorëheqjen dhe deklaron largimin e tij nga aktiviteti politik. Sipas Mehdi Frashërit: “Më 1924-1925 ka qenë përfaqësues i Shqipërisë në Athinë, i cili interesohej tepër për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Çamëri”.

Në vitin 1923, kur kriza politike kishte arritur kulmin nga sjellja egoiste e karrieriste e Ahmet Zogut, i cili pati humbur besimin dhe qe arritur oportuniteti ndërmjet ministrave të kabinetit qeveritar që ai të mos ishte as kryeministër e as ministër i Brendshëm, iu ofrua Mit’hatit krijimi i kabinetit qeveritar. Në këtë rast ai ka refuzuar duke thënë: “Unë nuk mund të çnderojë shtëpinë time”, ku ka dashur të thoshte se, pasi dështimin e quante të sigurt, këtë gjë e konsideronte diskreditim për shtëpinë e tij.

Në vitin 1926 hapi në Tiranë librarinë e tij personale “Lumo Skëndo”. Një vit më pas, më 1927, filloi të botojë në Tiranë, revistën “Diturija”.

Në 4 prill 1929, Mit’hat Frashëri, në testamentin e tij i lë shtetit shqiptar pasurinë e vet, të tundshme dhe të patundshme me qëllim krijimin e një instituti albanologjik në Tiranë, i cili do të merrej me studime në fushën e historisë së Shqipërisë.

Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste vendosi t’i rikthehet aktivitetit politik. Në vitin 1941, ai është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, e njohur më shumë me emrin Partia e Ballit Kombëtar. Mit’hat Frashëri është autori i “Dekalogut”, vlerësuar nga përkrahësit e tij si “kontribut i madh teoriko-politik”, shkruar më 1942, në Tiranë. Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, u detyrua në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Ditët e fundit të qëndrimit të tij në Shkodër ka qenë në një gjendje psikologjike shumë të rënduar, me një pamje për të ardhur keq dhe fytyrë që shprehte vetëm dëshpërim, aq sa fliste me vete ngado që lëvizte. I ndodhur në pozita të vështira provoi të kthehej nga Shkodra në Tiranë, në fundin e nëntorit 1944, madje jo me makinë por i hipur mbi një mushkë, nën kujdesin e eksponentit të rinisë balliste, Sabaudin Nivica.

Gjatë një udhëtimi për në Nju Jork, SHBA, ai vdes si pasojë e një ataku kardiak. Vdiq beqar në moshën 69 vjeçare i detyruar të jetojë si renegat larg vendit të tij, Shqipërisë. Shpirti i këtij njeriu të ndritshëm u shkëput ditën e hënë, dita 3, vjeshta e dytë ora 9.25 minuta në Neë Jork, hoteli Ëinthrop. Tek trupi i tij kanë bërë roje nderi Shefqet Isaraj, Muho Xhakja, Astrit Sako, Braho Husi, Sulo Male, Hysni Aliko, Hajredin Peshkëpia, Skënder Omari, Iliaz Guri, Luan Dosti.

Mit’hat Frashëri dhe komunizmi

Mit’hat Frashëri është mbajtur si nacionalist në politikën shqiptare, duke shkruar letra, promemorie, takime në konferenca apo takime me personalitete të politikës ndërkombëtare. Ka qenë kundër komunizmit në Shqipëri, madje e ka konsideruar tragjedi fitoren e tyre. Falë njohjes së disa gjuhëve të huaja, u përpoq në fushën diplomatike, brenda e jashtë Shqipërisë, për bashkimin në Shqipërinë etnike të ish-katër vilajeteve shqiptare, Janinës, Shkupit, Manastirit e Shkodrës.

Mbas çlirimit të Shqipërisë, me vendim të organeve ekzekutive u sekuestrua pasuria e Mit’hat Bej Frashërit. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e tij. Sot rreth 40 000 vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Për këtë arsye Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Republikës së Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, më 2006, vendosen që çmimi për bibliofilinë të emërtohet “Bibliofili Lumo Skëndo”.

Amanetet

Në ceremoninë e varrimit të tij bëri lutjet fetare të përshpirtjes, Imam Vehbi, i ardhur nga Detroiti, më pas kanë folur në anglisht: Nuçi Kota, i biri ish-kryeministrit monarkist, Koço Kota, në emër të Komitetet Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, pastaj Grigor Tashkovite, ish-senator jugosllav, në emër të Internacional Peasant Union; Dr. Bistrev, ish-deputet bullgar në emër të Komitetit Kombëtar Bullgar, zj. Gold Veliko në emër të rinisë shqiptare të lindur në Amerikë. Arkivoli me trupin e Mit’hat Frashërit u mbulua me Flamurin Kombëtar dhe u nderua nga gati 200 veta. Varrimi u bë në varrezat “Fernchff”, pas fjalës së mbajtur nga Sejfi Protopapa dhe At Paul V. Rado.

Në testamentin e tij të viti 1929, pra 20 vjet para se të shuhej, në pikën e fundit ka lënë amanet: “Nuk di se ku do të vendoset Instituti; po, në qoftë se goditetë pakëzë jashtë qytetitë, do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhe një qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i Institutit, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij”.

 

Aforizma nga Mit’hat Frashëri

1- Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

2- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

3- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit

4- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.

5- Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.

6- Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës ti themi të bardhë dhe të zezës- të zezë.

7- Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.

8- Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.

9- Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?

10 – Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.

11- Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë…pak!”

12- Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: