Selami Xhepa: E tepërt të taksosh pagën poshtë minimales edhe minimumit jetik

Selami Xhepa: E tepërt të taksosh pagën poshtë minimales edhe minimumit jetik
Flet për “Albanian Free Press”, eksperti i njohur i ekonomisë, Selami Xhepa

 “Unë jam dakord që të taksohen të gjitha pagesat të cilat janë mbi pagën minimale, por edhe mbi një minimum jetik që duhet të jetë i përcaktuar qartë nga qeveria. Por taksimi poshtë këtyre niveleve do të ishte i tepërt, “too much” le të themi”.

I këtij mendimi është shprehur posaçërisht për “Albanian Free Press”, eksperti i njohur i ekonomisë, Selami Xhepa, i pyetur mbi qëndrimin që ai ka rreth propozimeve më të fundit fiskale të qeverisë për një model të ri taksimi të pagave.

Sipas tij, në parim është mirë që personat të cilët paguhen, edhe të taksohen, porse kjo duhet bërë sipas një politike të duhur fiskale, pa rënduar aspak mbi shtresat që sipas tij janë nën minimumin jetik. Për më tepër kur ky i fundit është ende i pallogaritur zyrtarisht në vendin tonë, sesa duhet të jetë.

“Ose kjo mund të ndodhte nëse në fund të vitit këtyre shtresave, qeveria ua njihte kompensimin vjetor të taksimit që u ka mbajtur përgjatë secilit muaj”, sqaron ai. Por nuk beson aspak tek kjo teori, teksa sipas tij, në vendin tonë aktualisht nuk kompensohet as norma e inflacionit, e cila rritet për vit dhe nuk referohet aspak në rritjen e pagave për punonjësit.

Në këtë këndvështrim, eksperti Xhepa nuk e mbështet variantin e paraqitur së fundmi nga qeveria për uljen e pragut të taksimit të pagës deri në nivelin prej 10 mijë lekësh. “Për më tepër, që ai nuk është se siguron ndonjë të ardhur të lartë për buxhetin e shtetit, me atë përqindje të ulët që mund të vendoset”, thekson ai.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: