Xhoi Kallaverja: Do të punoj fort për të arritur atë që duhet

Xhoi Kallaverja: Do të punoj fort për të arritur atë që duhet
 

Flet pjesëmarrësja në “Këngën magjike” 2018, këngëtarja Xhoi Kallaverja: “Unë jam person me këmbë në tokë dhe mendoj që çdo gjë t’ja lë kohës dhe gjërat të vinë natyrshëm, por mund të them se s’ka kthim mbrapa. Unë do të punoj fort për të arritur atë që duhet.”

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Xhoi, je një nga risitë e festivalit “Kënga Magjike” 2018 me këngën “Aq sa më do”. Si erdhi ky bashkëpunim dhe kjo këngë?

Kisha kohë që mendoja një projekt të tillë në një festival prestigjioz, si “Kënga magjike” dhe ku ka më bukur se një baladë e ndjerë e krijuar nga një artist si Gent Myftaraj, e kompozuar enkas për vokalin tim. Sapo më tregoi demon, e dashurova këngën menjëherë dhe ishte fiks ajo që unë doja.

 

Kënga “Aq sa më do” është një romancë dashurie me një sfond serenate. Pse zgjodhët këtë temë?

E zgjodhëm këtë temë pasi gjërat vijnë natyrshëm, nuk imponohen dhe shpresoj që secili nga ne të gjejë veten sadopak!

“Kënga magjike” është tashmë një institucion i kulturës së këngës. Si e ke ndjerë veten në atmosferën e këtij eventi?

Absolutisht që është përgjegjësi, emocion shumë i madh, sepse çdo gjë në atë skenë është magji. E kam përjetuar me shumë emocion.

 

Një këngëtare relativisht e re për publikun por që tregoi një zë të formuar. Ku dhe si ka nisur karriera juaj?

Po, është e vërtetë! Karriera ime zë fill që në fëmijërinë time që në moshën 6 vjeçare ku kam marrë pjesë në kompeticionet e Festivaleve të Fëmijëve në vendin  tim të lindjes, Peshkopi, në Dibër. Më pas kam qenë pjesë e Estradës së Peshkopisë deri 18 vjeç. Me ardhjen, për shkak të studimeve, në Tiranë, nuk i jam ndarë këtij pasioni për muzikën, duke qenë pjesë e shumë ambienteve ku luhej muzikë live.

 

Për ata që nuk ju njohin mirë, ku keni lindur dhe si ka qenë fëmijëria juaj?

Kam lindur në Peshkopi dhe deri në moshën 18 vjeç kam jetuar atje e më pas kam ardhur në Tiranë ku vazhdova studimet për Diplomaci, bachelorin dhe masterin  për Juridik.

Keni pasur mbështetjen e familjes në pasionin tuaj për këngën?

Absolutisht që po. Familja zë një pjesë shumë të rëndësishme për mua dhe si e tillë e kam pasur dhe vazhdoj ta kem përkrahjen e tyre. Dua të veçoj një person shumë special në këtë rrugëtim të gjatë, mamin tim, e cila më ka zbuluar talentin që e vogël dhe ka qenë mbështetja ime më e madhe dhe dua t’i them publikisht: “Faleminderit, ti je muza ime!”

 

Më se shumti ju njiheni për angazhimin me këngën popullore. Çfarë vendi zë kënga popullore tek ju?

Mendoj që nuk ka këngëtar, sidomos në pjesën e Ballkanit, që nuk mbështetet në tabanin e folkun e tij dhe mendoj që kjo është shumë e rëndësishme. Prandaj përveç muzikës së lehtë, që e kam shumë për zemër, muzika e popullit tim, ajo qytetare e popullore, zë vend në repertorin tim dhe e këndoj me shumë dashuri në çdo ambient familjar dhe jo vetëm, aty ku unë performoj. Unë e dua muzikën në tërësi! Çfarëdo lloj zhanri të jetë ajo mjafton që të jetë e bukur, pëlqej që nga klasikja e deri të popullorja qytetare!

 

Ky ndryshim kursi drejt muzikës së lehtë dhe skenave të festivaleve pse ndodhi?

Absolutisht që do të ketë vazhdimësi dhe në çdo projekt që do bëj në vazhdimësi, përveç këtij, do të krijoj profilin tim artistik i cili normalisht ne e ndajmë me publikun dhe tashmë me një publik më të gjerë.

Po tregoni një profil më të plotë artisteje duke u shfaqur edhe me muzikën moderne. Një zgjedhje juaja dhe a do të ketë vazhdimësi?

Po kjo i ngelet kohës për ta vërtetuar !

 

E vërteta është që jeni dhe një vajzë e hijshme, kjo ndikon tek një artiste. Por ju vetë sa mbështeteni tek ky aspekt?

Këto janë gjëra që ti nuk i zgjedh dot por në rastin kur zërit i bashkohet paraqitja fizike, pse jo, është një bonos, një plus.

 

Me veshjen dhe stilin tuaj në këtë paraqitje u morët vetë apo kishit këshillues? Pse ngjyra e bardhë?

Të them të drejtën në çdo event që unë marr pjesë, i jap shumë rëndësi dukjes sime e sidomos në këtë kompeticion ishte shumë e rëndësishme për mua të kem veshjen e duhur. Mes shumë alternativash vendosa për fustanin e bardhë, shpresoj të kem pasur impaktin e duhur dhe gjej rastin të falenderoj stilisten time Dita.

Jeni e pranishme në eventet live nëpër Shqipëri, në gëzime familjare etj. Sa vend zë ky angazhim në jetën tuaj artistike dhe pse?

Është e vërtetë! Për të gjithë ata që më ndjekin në rrjetet sociale është e dallueshme kjo gjë, që unë jam e pranishme nëpër koncerte si brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe për mua është shumë e rëndësishme kjo sepse merr direkt impaktin dhe dashurinë e publikut që të do dhe argëtohet me muzikën që ti bën dhe s’ka emocion më të bukur se ky!

 

Artisti në Shqipëri fiton por edhe shpenzon për aktivitetin e tij, këtë pjesë e shikoni si pengesë?

Kjo që thua është kështu por unë e shikoj si investimin e duhur që me kalimin kohës ti e merr mbrapsht sepse po nuk mbolle nuk do të korrësh, sidomos në këto kohë që jemi në këtë treg ku konkurrenca është shumë e madhe.

 

Si e shikon karrierën tënde në vazhdim?

Unë jam person me këmbë në tokë dhe mendoj që çdo gjë t’ja lë kohës dhe gjërat të vinë natyrshëm, por mund të them se s’ka kthim mbrapa. Unë do të punoj fort për të arritur atë që duhet.

Emocionet i mund apo të mundin?

Emocionet kur janë të bukura dhe të mundin por gjithsesi është ndjesi e bukur.

 

Mund të na rrëfesh ndonjë plan ose ëndërr për të ardhmen?

Po shumë shpejt, në fillimin e vitit tjetër, shpresoj të kem një këngë më ritmike, e shoqëruar me një videoklip. Detajet le t’ja lemë kohës. Doja të them edhe dy fjalë për të gjithë ata që më kanë mbështetur në këtë projekt të ri me komentet pozitive, klikimet dhe shpërndarjen e këngës duke u thënë se i dua shumë dhe s’do i zhgënjej.

Falenderime speciale për Gent Myftaraj për produksionin kaq të bukur që më ka  dhuruar gjithashtu dhe tekstshkruesin e talentuar Endrit Mumajesi (Muma) për  tekstin kaq të ndjerë! Gjithashtu edhe ju për këtë interviste ju falenderoj me zemër.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: