“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Ogerta Manastirliu: Ramës i mjafton titulli "Mësues Vizatimi"

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Ogerta Manastirliu: Ramës i mjafton titulli "Mësues Vizatimi"
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Ne kemi mundur të gjejmë se nuk ka qenë shoqja Ogerta Manastirliu ajo që ka kopjuar, porse ajo ka rënë pre’ e këtij fenomeni. Këtë dhe të tjera jo si kjo, na i tha vetë i madhi i qeverisë dhe i partisë, shoku Edi Rama.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Edi Rama: Duhet të të shpjegoj në krye të herës diçka thelbësore rreth thelbit të kësaj çështje jetësore. Në ato dy studime, vetëm fjalët ishin të njëjta. Të dhënat teknike ishin të ndryshme. Kjo është shumë e rëndësishme për t'u thënë dhe kuptuar.

Antena: Ç'do të thoni me këtë gjë, shoku Edi?

Edi Rama: Siç e thotë edhe ajo shprehja, llafet i merr era! Thelbi mbetet tek numrat.

Antena: Pra, po thoni që ne të dy studimet e njëjta, llafet nuk kanë rëndësi, shoku Edi?

Edi Rama: Vetëm për median e kazanit, kanë rëndësi llafet teorike për studimin e plehrave. E imagjinon dot përshembull që jo llafet, por era të merrte numrat e analizave kimike të plehrave dhe t'i shpërndante ato? Kush sjell më tepër pasoja? Llafet, apo numrat kimikë të plehrave?

Antena: Ju të zini mat, shoku Kryeministër. Plehrat, sigurisht! Por edhe...

Edi Rama: Ja pra, që jemi në të njëjtën gjatësi vale, sepse mendojmë njëlloj. Kjo do të thotë që ju, nëse nuk jeni media e kazanit, duhet të merreni me ç'them unë!

Antena: Po neve me këto po merremi, shoku Edi.

Edi Rama: Ore do dëgjosh mua ti, apo po? Nejse! Dua t'ju shpreh diçka. Këtë ma konfirmoi edhe Fania vetë që prej Afrikës së Jugut.

Antena: Fania?! E keni llafin për atë studiuesin nga Afrika, që u përfol se shoqja Ogerta i kopjoi studimin që ai kishte bërë?

Edi Rama: Po pra, për atë e kam. Më telefonoi dhe duke qarë, më tregoi se si ai kokrra e dallaveraxhiut i kishte kopjuar studimin Ogertës.

Antena: Fania ka pranuar që i ka kopjuar studimin shoqes Ogertës?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për neve. Shumë falemind...!

Edi Rama: Lëri falënderimet! Fania do vijë dhe ta thotë vetë. Nuk i lëmë gjerat pa i thënë neve. Është nisur të hënën dhe po e presim.

Antena: Do vijë Fania në Shqipëri?! U sa mirë!

Edi Rama: Me këtë veprim, i vëmë kapak atij muhabeti.

Antena: Më duket çudi, vërtet. Jo se nuk ka mundësi që Fania të ketë kopjuar. Më duket çudi që do vijë dhe ta pranojë publikisht, përpara nesh.

Edi Rama: A ti qenke aguridhe fare në këto çështje! Ne sollëm para medias atë vajzën që i digjte cigaren djali i deputetit, mos të sjellim Fanen nga Afrika që të pranojë se ka kopjuar.

Antena: Po sikur të mos vijë? A keni plan B?

Edi Rama: Do vijë edhe me një këmbë, apo rrotë avioni. Po mos të vijë Fania, më duhet t'i them Ogertës që të japë dorëheqjen nga vendi i ministres.

Antena: Ashtu i bie që të bëni në fakt, përderisa...

Edi Rama: Edhe diçka të rëndësishme në rëndësinë e saj, në krye të herës. Ju duhet të keni më shumë respekt  si media, për dikë që ka shkuar dhe ka kryer studimet e saj në Sharrë. Aq më tepër, për një grua. Kjo shpjegon edhe faktin se pse Ogerta i ndërron shpesh kostumet e saj, që vesh në çdo vakt.

Antena: Ashtu është, shoku Kryeministër! Më falni, se nuk e kuptova mirë punën e kostumeve të panumërta të shoqes Ogerta. A mund të...?

Edi Rama: Media e kazanit, ka nxjerrë para disa kohësh se shoqja Ogerta ka shumë kostume. Po si mund të mos ketë shumë, kur i duhej që të shkonte në Sharrë mes plehrave për studime të thelluara. Media plehra! Me se të vinte në ministri të nesërmen, apo me kostumin që kishte shkuar mes plehrave?

Antena: Të drejtë keni shoku Edi. Shyqyr që doli ky muhabeti i plehrave, që mësuam edhe shkakun e shumë kostumeve të shoqes Ogerta.

Edi Rama: Të shkosh me muaj të tërë në vendin e hedhjes së mbeturinave dhe të studiosh, vetëm ne të Rilindjes e bëjmë. Ja, këtë aspekt duhet të trajtonte media.

Antena: Faleminderit shoku Kryeministër për bisedën e sinqertë!

Edi Rama: Bela e madhe me këta që kanë tituj shkencorë. Nuk jam budalla unë që jam akoma me titullin e mësuesit të vizatimit. Këtë ma tha edhe Ogerta...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: