BUXHETI PËR ARSIMIN SA 5% E GDP, RAMA: NUK BËHET!

BUXHETI PËR ARSIMIN SA 5% E GDP, RAMA: NUK BËHET!
Kryeministri deklaron se kërkesa për shpenzime të arsimit publik në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto nuk mund të plotësohet. Mesazhi për studentët: Nëse dilni e thoni “dua 5 % të buxhetit sot, nuk ka as dialog. Dhe pohimi: Ata që ju thonë bëhet, e thonë se s’kanë asgjë në dorë

Kryetari i qeverisë premtoi dje aplikimin nga janari 2019 të përgjysmimit të tarifës për pagesën e radhës, studentët e ciklit të parë. Kurse theksoi se nuk do të ketë plotësim të njërës nga 8 pikat, ajo për kërkesa për shpenzime të arsimit publik në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Këto deklarata Rama i bëri gjatë një takimi me studentë dhe pedagogë në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Studentë të pranishëm në këtë takim thanë se nuk ishin në dijeni që në mbledhjen e tyre do të ishte kreu i qeverisë, por vetëm rektori i UBT-së. Disa bojkotuan takimin dhe njoftuan se sot, studentët e UBT do të bllokojnë rrethrrotullimin te Dogana

Qeveria nuk mund të plotësojë një prej kërkesave të studentëve, dhe ajo ka të bëjë pikërisht me rritjen e buxheti të arsimit sa 5% e GDP. Gjatë një takimi me studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, kreu i qeverisë premtoi dje për përgjysmim të tarifës së radhës për studimet e ciklit të parë (Bachelor), kurse siguroi se nuk do të ketë shtim të buxhetit për shpenzime të arsimit publik në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Duke u ndalur te reduktimi i tarifës, Kryeministri njoftoi se në nisje të vitit të ardhshëm, Qeveria do të mbulojë krejtësisht tarifën e shkollimit për kategorinë e personave të verbër. Ndërsa vitin e parë do të ketë përgjysmim të tarifave për të gjithë studentët, por vitin e dytë, ata duhet të kenë rezultate të larta, që ta përfitojnë atë. Rama tha se taksapaguesit nuk do paguajnë për studentë që nuk kanë rezultate.

Duke u ndalur te kërkesa për 5 përqindshin, Rama tha se kjo është një nga pikat që duhet të diskutohet me studentët pasi është e parealizueshme. “5% i GDP-së nuk mund të bëhet. Pse them për 5% nuk bëhet, sepse nuk bëhet. Ata që ju thonë që bëhet, e thonë sepse nuk kanë gjë në dorë”, - tha Rama. Këtu ai shtoi se ka shtrirë dorën për dialog vetëm për pikat e tjera, sepse nëse do të ishte për 5 përqindshin, nuk do të pranonte: “Realisht, nëse do të kishit dalë dhe do të thoshit “dua 5 % të buxhetit sot, atëherë nuk do të kishte as dialog, asgjë. Do të thosha kjo nuk bëhet dhe rrini jashtë”, - theksoi z. Rama.

***

Në takim nuk munguan edhe replika mes Kryeministrit dhe studentëve. Ndërsa takimi kishte filluar, një prej studenteve mori fjalën dhe tha se ishin njoftuar për mbledhje me rektorin e UBT dhe jo për prezentë të kryeministrit. Në mënyrë demonstrative ajo braktisi mbledhjen e shoqëruar nga duartrokitje të studentëve të tjerë.

Kryeministri Rama u shpreh në takim, se është i gatshëm të zgjidhë me dialog kërkesat e  studentëve, që prej 15 ditësh protestojnë, duke braktisur auditorët.

Protestën e studentëve Rama e krahasoi me atë të dhjetorit të 28 viteve më parë, duke pohuar se ato janë shumë larg me njëra-tjetrën. Ai tha se në atë kohë, studentët rrezikonin shumë me protestën e tyre dhe se kërkesa e tyre ishte të flisnin. “Keni 14 ditë që bërtisni, por nuk flisni. Jeni shumë larg nga ata studentët e atij dhjetorit tjetër, të cilët u ngritën ndaj një regjimi, i cili mund të nxirrte edhe tanket në rrugë. Ata kërkuan vetëm të flasin me ta në tavolinë. Ata I shkuan përballë përfaqësuesit më të lartë të diktaturës dhe në fund fituan. Unë e di që edhe nuk mund të biem dakord, por nëse nuk flasim nuk zgjidhim asgjë. Ju rrezikoni të humbni diçka që e krijuat vetë”, - tha Rama.

Duke i dhënë përgjigje akuzave, kreu i qeverisë, mohoi se Qeveria ka financuar universitetet private. “Jo vetëm që nuk është dhënë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit për universitet private, por as edhe ligji i ‘Arsimit të lartë’, nuk e ka këtë gjë. Ligji nuk hap rrugë për financimin publik të universiteteve private”, - tha Rama.

Një ditë më parë kryeministri zhvilloi një tjetër takim me studentë dhe pedagogë në Fakultetin e Gjeologji-Minierave.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: