Denisa Laska: Kënga për mua është një dashuri unike

Denisa Laska: Kënga për mua është një dashuri unike
Flet këngëtarja e muzikës popullore Denisa Laska: “Për të gjithë ata të rinj që këndojnë live ose që duan të nisin këtë udhëtim me këngën u them që mundohuni të jeni vetvetja, mos imitoni askënd. Çdo këngëtar duhet të jetë unik në stilin e vet.”

Denisa Laska është pjesë e një brezi më të ri të muzikës së trevave të Tiranës, siç ajo shprehet, vjen nga një familje me taban tiranas, e kj ka ndikuar edhe të gjithë karrierën e saj. Prej vitesh ajo interpreton muzikën popullore të tabanit por edhe atë të përpunuar, shoqëruar kjo edhe me pamjen e një vajzë të kuruar. Pavarësisht se momentalisht ndodhet jashtë Shqipërisë për koncerte dhe evente festive, Denisa rrëfeu disa detaje nga jeta e saj, posaçërisht për Albanian Free Press.

Jeni një nga këngëtaret më të angazhuara me këngën live në evente e gëzime familjare. Si do të jetë ky fundvit për ju?

Ky fundvit nuk do të jetë ndryshe nga të tjerët, lidhur me traditën që kanë këngëtarët sepse do të jetë plot angazhime. Do të jem jashtë kufijve të Shqipërisë.

Si këngëtare mendoj se ju punoni në grup, me bashkëpunëtorët tuaj. Cilët janë ata dhe a keni në dorë ndonjë projekt të ri?

Zakonisht unë pëlqej të punoj me bashkëpunëtorë të ndryshëm. Sigurisht që kemi projekte të reja, por jemi në punë e sipër ndaj dua të jem e rezervuar për to.

Si ka nisur rruga juaj e këngës?

Rruga ime e këngës ka nisur shumë herët, që në kohët e fëmijërisë. Kam marrë pjesë në shumë aktivitetet në pallatin e Pionierëve në Tiranë, kujtoj fillimet e mia të vilës i përkasin moshës 9 vjeçare.

Një vajzë e re si ju, ka pasione të tjera veç këngës? Ndonjë hobi që publiku nuk e njeh?

Kënga për mua është një dashuri unike, pasioni im i vetëm është kënga e mos u habisni që nuk kam asnjë hobi përveç se kësaj.

Pse preferoni gjithmonë të këndoni live në skenë? Cili është mendimi juaj mbi interpretimin live?

Sepse unë ndjehem më mirë kur këndoj live. Interpretimi live për mua është emocion që një këngëtar ja transmeton publikut, kjo në mënyrë të drejtpërdrejt.

Nga janë rrënjët tuaja? A mund të na tregoni më shumë mbi familjen tuaj? Sa ju ka mbështetur ajo?

Unë jam tironse dem baba dem (i themi ne) dhe familja ime gjithmonë më ka mbështetur dhe e kam krah për çdo gjë që bëj në jetë.

Mes shumë turneve edhe jashtë vendit, a keni ndonjë mbresë të veçantë?

Kujtimet janë të shumta sepse kënaqësia është shumë e madhe kur publiku të jep vlerësim e duartrokitje. Por mbresë të veçantë më ka lënë turneu dhe vizita në Australia. Më ka lënë të mahnitur ai vend për bukurinë e tij dhe për shqiptarët që jetojnë atje. Mikpritja e tyre ishte e dyfishtë, duke e krahasuar me vendet e tjera.

Çfarë mendoni ju se pëlqen publiku nga performancat tuaja?

Po p.sh këngën “Më fal ti zemër”, një nga sukseset e mia, e kërkojë shumë kudo ku unë këndoj.

Shpesh këndoni me këngëtarë të tjerë, a ka miqësi mes jush. Po xhelozi a mendoni se ka?

Miq kam kolegë e kolege unë kam plot rreth meje. Xhelozi ..besoj se ka kudo xhelozi, në çfarëdo lloj profesioni, por mua pak më intereson kjo pjesë.

Ju këndoni muzikën popullore të përpunuar. Por a keni menduar ndonjëherë të afroheni me muzikën e lehtë?

Unë këndoj vetëm muzikë popullore e deri më tani nuk e kam menduar ndonjëherë që të këndoj këngë të muzikës së lehtë.

Jeni një artiste autodidakte? Pra e keni të lindur talentin?

Talent lind, nuk mund të bëhesh dot.

Kënga juaj “Më fal ti zemër” është nga më të njohurat në publik. Si erdhi ajo këngë që më pas pati kaq shumë sukses?

Po është e vërtetë, është një nder këngët më të pëlqyera. Shumë natyrshëm erdhi ky bashkëpuinim. Çdo këngë niset për t’u bërë hit, nga çdo këngëtar ose kompozitor. Pastaj varet si godet në publik. “Më fal ti zemër” u pëlqye nga publiku menjëherë. Faleminderit të gjithë atyre që më kanë mbështetur.

Preferoni dimrin apo verën, detin apo malin?

I dua shumë të dyja, si malin e si detin. Mjafton të jem me njerëzit e duhur.

Po në tryezë çfarë preferoni? E pëlqeni gatimin?

Personalisht unë preferoj të konsumoj gatimet dhe produktet e detit më shumë. Gatimin e pëlqej dhe gatuaj gjithmonë në shtëpi, kur jam e lirë.

Për të gjithë ata të rinj që duan të afrohen me këndimin live, do të kishit një këshillë?

Për të gjithë ata të rinj që këndojnë live ose që duan të nisin këtë udhëtim me këngën u them që mundohuni të jeni vetvetja, mos imitoni askënd. Çdo këngëtar duhet të jetë unik në stilin e vet.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: