FORUM/ A janë të arsyeshme kërkesat e studentëve? Flasin për "Albanian Free Press" publicistë dhe profesorë

FORUM/ A janë të arsyeshme kërkesat e studentëve? Flasin për "Albanian Free Press" publicistë dhe profesorë
Flasin publicistë dhe profesorë, Zamira Çavo, Natasha Lako, Jeta Toçila, Muazeze Qilimi, Përparim Kabo, Erion Kristo

Si i shihni kërkesat e studentëve, a janë të realizueshme dhe cila ishte arsyeja që situata precipitoi deri këtu?

Jeta Toçila Dedja, psikologe

Ata protestojnë që t’i thonë gjithë botës se janë luftëtarë të mbijetesës. sepse kjo protestë nuk është si ajo e 8 dhjetorit kur sistemet ndërroheshin dhe shpresa sapo kishte lindur. Studentët po u japin një shans të mirë të gjithëve për të treguar se sa vlejnë. Kush nuk ka patur guxim deri më sot të reagojë ndaj padrejtësive, vjedhjeve, poshtërimeve, fyerjeve, le të ngrihet e të flasë. Kujt i ka ardhur në majë të hundës komunikimi publik i kryeministrit dhe shpurës së tij, talljeve me fatet e njerëzve, nëpërkëmbjet e dinjitetit, denigrimet e personaliteteve të ndryshme të jetës publike, le të ngrihen e të protestojnë. Kujt i është kërcënuar vendi i punës, shantazhuar e bërë presion me bukën e gojës, le të përfitojë nga guximi i studentëve. Kujt i është përbaltur puna e djersa, kujt i është grabitur prona dhe ngrënë merita le të ngrihet e të mbështesë studentët. Kujt i është vënë laku në fyt me gjoba kriminale, shterur mundësitë e mbijetesës apo shkurtuar rrezja e ankimimit, le të mbështesë studentët. Kujt nuk i ka ndodhur asgjë nga këto, por vetëm i ka soditur prej ekranit të televizorit apo lexuar rreshtave të portaleve, ka ardhur momenti të zhvillojë empatinë e të mbështesë studentët.

Protesta vërtet zhvillohet në rrugë, por në këtë botën e sotme virtuale që nuk e njeh kufizimin territorial, protesta mund të zhvillohet kudo që ka shqiptarë. Edhe shqiptarët e diasporës, të cilët ende asnjë qeveri nuk i ka numëruar si votues realë, duhet të ushtrojnë të drejtën për të protestuar.

Unë protestoj me studentët, për studentët dhe për Shqipërinë!

 

Erion Kristo, pedagog

Kërkesat e studentëve janë të drejta dhe të arsyeshme. Ata kërkojnë kushtet minimale për të studiuar. Nga investimi te studentët përfiton e gjithë shoqëria. Mijëra familje do ndihen më mirë. Kjo duhej të ishte një politikë e majtë, po qeveria e majtë ka sjellje të djathta. Kërkesat janë plotësisht të realizueshme. Bëhet fjalë për rreth 50 milion euro në vit. Gjithashtu bëhet fjalë për moszbatimin e ligjit. Ligji i përcakton qartë disa detyrime që nuk janë përmbushur. Gjendja erdhi deri këtu nga arroganca e qeverisë, nga paaftësia e drejtuesve të të gjitha niveleve, nga ligji i mangët dhe korrupsioni galopant. Studentët duhet të fitojnë. Ata nuk mund të shantazhohen nga qeverisja.

Muazeze Qilimi, ish-drejtore gjimnazi në Tiranë

Këto janë probleme të akumuluara në gjithë këto 27 vite por sot dolën më shumë në dritë. Si erdhi kjo situatë? Ngritja e universiteteve private me dy dhoma e kuzhinë filloi dëmtimin e universitetit shtetëror. Ndërsa universitetet private me luks furnizuan tregun e administratën me gjysmë analfabetë e diploma false. Nxënësit e mi nga më të dobëtit,por të pasur, shkonin në to e kanë zënë vende kyçe. Ka të tillë edhe në politikë. -Autonomia e universiteteve u shfrytëzua jo për studentët e popullin , por për kastën e pedagogëve. -Mospërfillja e zërit të studentëve në organizmat vendimmarrëse të fakulteteve e universiteteve ishte një shkak tjetër i kësaj situate. -Mungesa e Vetingut te pedagogët mbetet një shkak jo i vogël

Ndërsa për kërkesat me 8 pika të studentëve për mua janë plotësisht të realizueshme dhe të drejta por i qëndroj dhe mendimit të dialogut si domosdoshmëri për shoshitjen e gjërave. Komisioni i Arsimit të lartë që u trumbetua si shpëtimtar nuk ishte i tillë mbasi u favorizuan universitet private për doktoraturat. Aktualisht të përballet me përgjegjësi kupola e Universiteteve shtetërore me studentët për situatën. Reforma në arsim nuk bëhet me skutha të kamufluar, të korruptuar dhe pa formim. Duhet të japin llogari deri në një stafet e administrimit të konvikteve për gjendjen alarmante. Ku kanë shkuar paratë për përmirësimin e gjendjes? E ndjek me vëmendje dhe me shqetësim qytetar këtë situatë pasi 40 vjet si drejtore në disa gjimnaze më bën të ndihem keq përse shkoi gjendja deri këtu...Shumica janë fëmijët tanë të shtresave të varfra e në nevojë. Më dhemb shpirti.

 

Prof. Zamira Çavo

Studentët dëshmuan se kriza e politikës shqiptare tashmë është pjekur dhe mungesa e besimit ndaj kësaj klase politike ka arritur pikën kulmore. U desh vetëm një pretekst që e gjithë kjo situatë të shndërrohej në një protestë. Sistemi universitar është përdorur nga politika vetëm si mjet i përftimeve politike elektorale. Asnjëherë kjo politikë nuk u mor seriozisht me problemet e universitetit, por e shndërroi këtë vend në grumbullim e sekretareve apo këshilltarëve të ministrave që binin nga pushteti e që ua gjenin vendin si pedagogë universiteti. E shndërruan universitetin në një vend ku krerët e tij u bënë sheik me tenderët dhe zhvatjen e studentëve. E kthyen universitetin në një vend ku korrupsioni u ngrit si vlerë dhe vlera u quajt “komunistizim primitiv”. Sa për kërkesat e studentëve unë jam e bindur se ka shumë probleme që duhen zgjidhur. Nga ato 8 kërkesat e famshme ka disa që mund të zgjidhen menjëherë e disa që duan kohë. Por kjo pak rëndësi ka. Unë mendoj se studentët duhet ti qëndrojnë betejës së tyre për të ngritur një arkitekturë te re të arsimit universitar në Shqipëri, pasi ky sistem në 28 vjet është kalbur i tëri. Ajo që mendoj është që studentët duhet të mbaj larg partitë politike që po përpiqen të nxjerrin përfitime sa më maksimale nga kjo protestë! Studentët do i japin frymë epokës së re duke nxjerr jashtë kohës elitën politike që sundon në vend. Sigurisht kjo nuk do ndodhi nesër, por studentet dëshmuan se kjo sapo ka filluar të ndodhë! Rikthimi i shpresës do ta ringjallë edhe Shqipërinë!

 

Natasha Lako, poete, skenariste

Diskutimet që kërkon të zhvillojë sot qeveria mbi gjendjen e arsimit universitar publik, janë ato q duhej të dëgjoheshin para se të miratohej ligji mbi universitetet. Kur kjo nuk u bë dhe ligji i dha rezultatet e një pothuajse mjerimi, u arrit në këtë protestë të dlirë. Tani kërkohet që gjithçka të lindë kokë mbrapsht, kur qeveria duket e shkëputur prej kohësh nga problemet e studentëve.

Dëgjoj në diskutim, pjesëmarrës që përsërisin -ata, ata , duke folur për studentët që janë në protestë, qoftë të filluar nga arkitektura. Mungon përsëri si gjithmonë fjala ne. 'Ata' me ndihmën e Frojdit është fjala që tradhton më keq se fjala 'ju'.Të diskutosh në politikë në vetën e tretë, është njësoj si të jesh kokëmbrapsht. Përfundimi? Në vend të operacionit cezarian kërkohet reforma që parashtrojnë mijëra studentë. Pasi shoqëria nuk mund të ketë kthim prapa.

 

Prof. Përparim Kabo

Zhvillimi do ide, kërkon dashuri për atdheun dhe respekt për njeriun. Investimet e pamotivuara dallohen sepse ato nuk konsiderojnë fillimisht interesin publik. Të gjitha forcat politike në tranzicionin shqiptar këtë gabim bënë, u larguan nga interesi publik dhe e zëvendësuan me populizmin e rrugës, me popullin e tyre parcial partiak dhe nuk lejuan të krijohej individi i lirë dhe kreativ. Sistemi i arsimit shkojë mbrapa. Mësuesia u nëpërkëmb monetarisht, kulti erudicionit u shpall jo i kohës dhe u zëvendësua me atë menaxherial, tekstet shkollore në vend që të lidheshin me konkurrimin për mendimin në shumës, hynë në tregun e fitimit ku konkurrohet për të fituar tenderin e prodhimit të librave nga shtëpitë botuese, duke prodhuar dhe jo duke hartuar tekste që në fund nuk konsultohen as edhe nga psikologët e moshës. Intelektualët e vërtetë dhe teknokratët ose morën arratinë ose u lanë në pikë të hallit. Arsimi i Lartë mori veset më të këqija të atij privat dhe degjeneroi në shitje provimesh dhe titujsh de gradash, si dhe ndërtoi hierarkinë e mediokritetit ku qëllimi ishte kapja e posteve drejtuese, strehimi partiak i individëve drejtues dhe interesat e ngushta për pasuri individuale. Pjesa e kalbur e arsimit pajisi me diploma të të gjitha niveleve deri me tituj dhe me grada shkencore politikanët dhe këta kërcyen në pozicione qeverisëse dhe në njësitë që dalin nga demokracia përfaqësuese. Kështu padija u bë pushtet dhe pushteti u bë padija që na udhëheq….Shoqëria jonë është e traumatizuar, është jashtë vetëkontrollit sepse është e lodhur dhe e zhgënjyer. E keqja u bë gjendje dhe pasiguri, perspektiv dhe horizont i mbyllur, ndaj revolta është shprehje... Arsyetimi është i thjeshtë, “Qeveria nuk është armike, thotë Anthony Giddens, qeveria është përgjigja”, pra as aleate as partnere, e as gjithfarë nofkash që i vishen. Nëse nuk ka përgjigje që zgjidhin problemet qeverisja e humbet besimin. Sovranitetet e deleguara kërkojnë alternativën tjetër. Nëse një ministër ose ministre e linjës nuk besohet më, pse rri në zyrë?! Edhe kolegët e afërt e shohin me mosbesim ndaj duhet të thotë: Deri këtu ecëm bashkë. Tani unë po largohem, sektori që unë drejtoj është më i rëndësishëm se unë dhe karriera ime politike.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: