INTERVISTA/ Fatos Klosi: Protestat, studentët nuk nënshtrohen

INTERVISTA/ Fatos Klosi: Protestat, studentët nuk nënshtrohen
Flet me “Albanian Free Press”, prof. Fatos Klosi: “Në taksa apo tarifa për arsimin janë përfshirë edhe shumë familje shqiptare, që nuk kanë studentë në shtëpinë e tyre. Pra, dhe familjet që kanë studentë, patjetër që duhet të paguajnë për fëmijët, kjo është shumë normale. Madje, duhet të paguajnë pak më shumë”

“Me rëndësi është që studentët dinë të ngrihen, dinë të kërkojnë dhe e kanë frymën e protestës në një shoqëri demokratike. Kjo tregon se ata kanë kurajën, dinë të organizohen, të mobilizohen, të bashkëpunojnë”. I këtij mendimi shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, profesor Fatos Klosi, i cili ka mbajtur edhe pozicionin e ish-drejtuesit të Shërbimit Informativ Shtetëror, rreth protestave të fundit studentore në vend, të cilat po vazhdojnë prej ditësh. “Për mua si njohës i mirë i jetës studentore, si njeri i auditorëve universitarë, kjo është më kryesorja, sesa ajo që kanë apo jo të drejtë studentët në kërkesat e tyre. Më shumë është veprimi, sesa rezultati. Kurajo e tyre qytetare përshëndetet në një shoqëri demokratike. Pastaj në analizën e gjithë protestës, ka shumë gjëra për të diskutuar”, vlerëson më tej ai rreth tyre...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Profesor, si do t’i cilësoni kërkesat e studentëve që prej ditësh janë duke protestuar në shesh të hapur. A janë ato tërësisht të drejta sipas jush dhe a mund të përmbushen?

Kryesore është që studentët ngrihen në protesta, kanë frymën e organizimit dhe kërkojnë të përmbushen disa prej kërkesave. Kanë frymë demokratike, nuk janë të nënshtruar. Pra, kryesorja është që ata kërkojnë. Por sesa të drejta janë kërkesat e tyre, sesa mund të përmbushen ato, kjo është gjë tjetër. Këto janë gjëra për t’u parë. Studentë fare pa taksa nuk mund të ketë. Meqenëse flasim për tarifat e për taksat, mund të them se në taksa apo tarifa për arsimin janë përfshirë edhe shumë familje shqiptare, që nuk kanë studentë në shtëpinë e tyre. Pra, edhe ata paguajnë për studentët. Në këtë mënyrë, familjet që kanë studentë, patjetër që duhet të paguajnë për fëmijët e tyre, kjo është shumë normale. Madje, këto familje duhet të paguajnë pak më shumë. Por në këtë rast, nuk është ky problemi. Problemi është që studentët dinë të ngrihen, dinë të kërkojnë dhe e kanë frymën e protestës në një shoqëri demokratike. Kjo tregon se ata kanë kurajën, dinë të organizohen, të mobilizohen, të bashkëpunojnë. Pra, për mua si njohës i mirë i jetës studentore, si njeri i auditorëve universitare, kjo është më kryesorja, sesa ajo që kanë apo jo të drejtë në kërkesat e tyre. Pra, më shumë është veprimi, sesa rezultati. Kurajua e tyre qytetare përshëndetet në një shoqëri demokratike. Pastaj në analizën e gjithë protestës, ka shumë gjëra për të diskutuar.

 

Nga ana tjetër, protesta e banorëve në Unazën e Re, çfarë përbën në shoqërinë shqiptare, sipas jush?

Kjo protestë e banorëve të zonës së Unazës së Re, apo e “Astirit” është çështje tjetër, është gjë krejt tjetër, është çështje pronash, çështje pasurie, është problem personal i atyre që ngrihen. Nuk ka të bëjë me protestë masive por individuale. Por edhe në këtë rast, dua të theksoj se duhet të mbahet një qëndrim unik, për të tërë banorët e asaj zone. Pra, me një fjalë, në qoftë se është premtuar dhe është vepruar se të gjitha ndërtimet pa leje do legalizohen, kjo duhej të ishte menduar qysh më parë dhe për këtë kategori. Të mos lihej deri në këtë ditë. Pra, në këtë rast, edhe për këtë kategori, edhe për këto familje duhet të ketë një shpërblim të plotë dhe të mos konsiderohen si pa leje. Në Shqipëri nuk janë vetëm këto ndërtime pa leje. Qëkur ishte menduar se do të ndërtohej mbikalimi, patjetër duhej menduar për trajtim të njëjtë dhe të shtëpive të këtyre banorëve. Por kjo nuk është një protestë masive dhe duhet veçuar nga ajo e studentëve.

 

Jemi para zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Mendoni se në këtë situatë të ndezur, Partia Socialiste do të ketë të njëjtën fitore si në vitin 2015?

Zgjedhjet vendore janë një gjë tjetër nga ato parlamentare. Zgjedhjet vendore nuk kanë ndikim politik. Duhet të ndahen zgjedhjet vendore nga ato politike. Edhe në qoftë se ka probleme sociale, Partia Socialiste ka kohë që të rikuperojë të përmirësojë situatën dhe të përgatitet seriozisht për zgjedhjet parlamentare. Meqenëse folët për zgjedhjet vendore, e them me bindje dhe nga eksperienca, se në këto zgjedhje vendos kandidati, vendos farefisi, vendosin lidhjet dhe tarafet e kandidatëve, miqësitë e tyre. Pra, thjesht janë gjë tjetër që nuk lidhen pazgjidhshmërisht me zgjedhjet politike. Me një fjalë, zgjedhjet vendore nuk janë të lidhura kurrë me zgjedhjet politike. Besoj se Partia Socialiste i ka përzgjedhur kandidatët që të jenë po aq të suksesshëm si në vitin 2015.

 

Nga ana tjetër, Parlamenti Evropian votoi për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm, si do ta komentonit?

Kjo është një fitore e politikës shqiptare, por në radhë të parë e popullit shqiptar. Ky votim duhet përshëndetur dhe duhet marrë si përgjegjësi e politikës shqiptare. Parlamenti Europian ka votuar me 459 vota pro në favor të raportit të vitit 2018 për Shqipërinë. Ky raport mbështet plotësisht rekomandimet e Komisionit Europian, që lejon hapjen e negociatave në njohje të përpjekjeve për zbatimin e reformave të bëra nga Shqipëria. Kjo është fitorja.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: