Kryengritjet “marrin dhenë”/ Pas studentëve, ngrihen edhe qytetarët në rrethe

Kryengritjet “marrin dhenë”/ Pas studentëve, ngrihen edhe qytetarët në rrethe
Qytetarë të shumtë kanë bllokuar rrugën, në shenjë proteste kundër rritjes së çmimit të naftës, por edhe kundër çmimit të energjisë elektrike

Pas protestës së studentëve në kryeqytet, e cila ka vijuar dje në ditën e tetë të saj, disa të tjera janë zhvilluar në të njëjtën kohë edhe në rrethe të ndryshme të vendit.

Njësoj siç ka ndodhur gjatë këtyre ditëve të fundit, ku shumë qytetarë të tyre kanë dalë në sheshe, me kërkesa konkrete ndaj qeverisë, kryesisht me profil ekonomik.

Kështu, qytetarë të shumtë kanë bllokuar rrugën si shenjë proteste kundër rritjes së çmimit të naftës, por edhe kundër çmimit të energjisë elektrike në Shkodër dhe Lushnjë.

Konkretisht, ata kanë bllokuar edhe rrugën Rrogozhinë-Lushnjë, pranë rrethrrotullimit të Plugut.

Nga ana tjetër, një grup minatorësh në Bulqizë janë ngritur në protestë mesditën e djeshme në qendër të qytetit duke kërkuar plotësimin e dy kërkesave; përmirësimin e kushteve të punës dhe miratimin e statusit të minatorit.

Ata kanë vendosur afat për plotësimin e dy kërkesave të tyre deri në fund të vitit, pasi në të kundërt paralajmërojnë futjen në grevë urie.

“Nëse nuk merren në konsiderate kërkesat tona për statusin dhe rentën minerare do të përshkallëzojmë protestat!”, - deklaruan konkretisht minatorët.

 

 

Banorët e "Astirit" dje në ditën e 39-të të protestës, dogjën goma në rrugë

Banorët e zonës së Unazës së Re kanë protestuar sërish mbrëmjen e djeshme, në ditën e 39-të të protestës së tyre.

Ata kanë djegur goma në ambientet publike, teksa kanë kërkuar anulimin e vendimit të qeverisë për shembjen e ndërtesave të tyre që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe.

Kujtojmë sakaq, se njëri nga tre lotet për ndërtimin e këtij segmenti, është pezulluar tashmë, pasi kompania që përfitoi fondin kryesor prej 18 milionë eurosh nga 40 milionë euro gjithsej, rezultoi se kishte falsifikuar dokumentet për përfitimin e tenderit.

 

 

Edhe infermierët do nisin protestat, kanë 11 kërkesa

Pas studentëve, edhe bluzat e bardha do të dalin në protestë.

Ka qenë Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë, ajo e cila ka paralajmëruar se në datën 20 dhjetor, pranë mjediseve të Qendrës Spitalore Uuniversitare “Nënë Tereza”, të gjitha bluzat e bardha do të bashkohen dhe do të protestojnë “kundër diskriminimit dhe politizimit të shëndetësisë”. Duke i kërkuar politikës që të qëndrojë larg, ky organ shprehet se ka ardhur koha që profesionit të bluzave të bardha t’i kthehet humanizmi. Madje, ata i kanë drejtuar edhe ministrisë së Shëndetësisë 11 kërkesa për t’i plotësuar, ku kërkojnë rritje page, shpërblim dhe kushte më të mira pune.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: