Lëvizja për Universitetin kërkoi të shfuqizohet ligji për arsimin e lartë

Lëvizja për Universitetin kërkoi të shfuqizohet ligji për arsimin e lartë
“Shfuqizimi i ligjit të arsimit të lartë, pika nga ku do mund të rinisë reformimi i vërtetë i jetës universitare”

Bazuar në deklaratën e kryeministrit Rama, ku studentët u ftuan të negocionin, aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin, e cila është ndër kryesoret që organizon protestat e studentëve, parashtroi disa kërkesa si të panegociueshme. Mes tyre është shfuqizimi i ligjit të arsimit të lartë, si pikënisjen nga ku do mund të rinisë reformimi i vërtetë i jetës universitare, bazuar në lumin e kërkesave të artikuluara nga masa studentore. Po ashtu kërkohet dyfishimi i buxhetit të shtetit për arsimin e lartë, pasi nëpërmjet tij do të siguroheshin: përmirësimi i kushteve të jetesës në konvikte, pasurimi i bibliotekave, zhvillimi i kërkimit shkencor, zgjerimi i mjediseve universitare dhe i stafit akademik, etj.

Pika tjetër që kërkohet është arsim publik falas në të gjitha nivelet si themel i studimit sipas meritës. Dhe tjetra, reformimi i vërtetë i jetës universitare mbi bazën e parimeve të demokracisë brendauniversitare: krijim i një asambleje universitarësh, të zgjedhur me votë të barabartë studentësh dhe pedagogësh në çdo fakultet universitetesh publike.

LPU thotë se kërkesat e artikuluara nga masa e studentëve nuk duhet të bëhen në asnjë mënyrë objekt negociatash, pikë pas pike dhe se kërkesat duhet të pranohen në bllok nga qeveria.

“Që të arrihet kjo, nuk ka negociata pa anulimin e ligjit në arsimin e lartë dhe rifillimin e një fushate nga universitarët – studentë dhe pedagogë – për hartimin e reformës në arsim”, - thuhet në listën e kërkesave të Lëvizjes për Universitetin.

 

 

Studentët e Shkencave Sociale: Të rrëzohet Ligji i Arsimit të Lartë

“Protesta jonë po mbështetet edhe nga një numër i konsiderueshëm pedagogësh”

Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, kanë radikalizuar qëndrimin e tyre në lidhje me protestën. Në një mbledhje të zhvilluar dje në ambientet e fakultetit, studentët firmosën një peticion, sipas të cilit, vendosin të bojkotojnë mësimin në auditorë deri në plotësimin e kërkesave minimale që nisin me rrëzimin e Ligjit të Arsimit të Lartë.

Studentët shprehen se edhe nëse plotësohen kërkesat më kryesore, ata nuk do t’i rikthehen auditorëve, as në muajin Janar 2019, pasi do këmbëngulin në plotësimin e të 8 kërkesave. Ata siguruan se, protesta e tyre po mbështetet edhe nga një numër i konsiderueshëm pedagogësh.

Pas diskutimit në fakultet, studentët marshuan drejt Kryeministrisë për vijuar qëndresën në plotësimin e 8 kërkesave të tyre.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: