Lëvizja Për Universitetin: Pakti i Ramës, shumë pak, shumë vonë, me hile

Lëvizja Për Universitetin: Pakti i Ramës, shumë pak, shumë vonë, me hile
Lëvizja Për Universitetin njofton se protesta do të vazhdojë duke rinisur nga 7 janari. “Protestat duhet të vazhdojnë dhe të bëhen më masive deri në plotësimin e të gjitha kërkesave studentore dhe rrëzimin e ligjit të Arsimit të Lartë”, - thekson Lëvizja Për Universitetin duke siguruar se “studentët e bashkuar kanë për të fituar”

Lëvizja Për Universitetin, një ndër organizatat studentore kryesore që organizuan protestat e dhjetorit, e konsideron paketën e vendimeve të Ramës që u shpall si “Pakti për Universitetin”, si “shumë pak, shumë vonë dhe me hile”.

Lëvizja Për Universitetin vlerëson se gjatë daljes publike, kryeministri Rama nuk habiti askënd me refuzimin e tij për t’u dhënë zgjidhje substanciale kërkesave të studentëve.

Lëvizja vlerëson se VKM-të që nga Rama u shpallën si realizim i kërkesave të studentëve, nuk janë asgjë tjetër veçse dinakëri e kryeministrit.

“Shumica dërrmuese e studentëve të masterit do të vazhdojë të paguajë tarifa vjetore nga 60,000 deri në 115,000 lekë (të reja) në vit”, - thotë Lëvizja Për Universitetin duke evidentuar kështu faktin se për këtë kategori studentësh nuk u shpall asnjë ulje tarifash.

“Pesha e fuqisë studentore në zgjedhjen e autoriteteve drejtuese të universitetit do të mbetet në 10% mjeran. Vota e një pedagogu do të vijojë të vlejë rreth 300 herë më shumë se ajo e një studenti”, - evidentohet një aspekt tjetër i Paktit për Universitetin, në sqarimin e të cilit Rama tha pardje se nuk kishte precedent në asnjë universitet në botë që studentët të kenë numër të barabartë votash me pedagogët dhe përfaqësuesit e qeverisë.

“As Rama e askush tjetër nuk ka mundësi të marrë në shqyrtim mbi 20 mijë universitetet e kësaj bote. Mirëpo ka plot raste ku pesha e votës studentore është më e lartë se 10%. Një shembull mund të ishte Universiteti Autonom i Barcelonës”, - pohon Lëvizja Për Universitetin.

“Bordet e Administrimit të universiteteve do të vazhdojnë të kontrollohen nga qeveria. Premtimi se një prej përfaqësuesve të qeverisë do të zgjidhet prej 3 propozimeve që vijnë nga strukturat përfaqësuese të studentëve është hileqar. Çdo qeveri i ka aq në dorë strukturat burokratike studentore (këshillat studentorë) sa për të futur një vegël të saj në listën 3-emërore”, - thekson Lëvizja Për Universitetin në reagimin e saj pas publikimit të VKM-ve.

“Qeveria nuk ka treguar se sa do të rritet buxheti i shtetit për arsimin e lartë. Rama tha se në vitet në vijim do të ketë ulje të ndjeshme të kuotave për studimet bachelor në universitetet publike. Çdo ulje tarifash bachelor-i do të shoqërohet me ulje të numrit të studentëve, çka nënkupton se financimi shtetëror për universitetet publike nuk do të ndryshojë ndjeshëm”, - evidenton një tjetër aspekt, kjo Lëvizje.

“Në kushtet ku diplomoret private lulëzojnë, çdo ulje kuotash në universitetet publike nuk do të zgjidhë “mbiprodhimin” e gazetarëve apo juristëve, por thjesht do t’i shtyjë kandidatët për gazetarë dhe juristë drejt diplomoreve private, duke sjellë miliona euro shtesë për pronarët e tyre”, - pohon Lëvizja Për Universitetin.

“Fakti që qeveria konsideron të panegociueshëm jo vetëm rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë, por edhe ndryshimin e pjesshëm të tij, do të bëjë që universitetet publike të vazhdojnë të vuajnë nga pasiguria financiare, e cila sjell me vete rritjen abuzive të kuotave të studimeve master, lëshimin e notës dhe komercializimin e jetës universitare”, - thotë Lëvizja Për Universitetin.

Po ashtu, - vijon ajo, - diplomoret private do të kenë sërish mundësi të fusin duart në buxhetin e shtetit dhe tarifat e studimeve mund të rriten që vitin e ardhshëm si rezultat i pakësimit të buxhetit për universitetet publike. E ndërkaq, universitetet do të vazhdojnë të jenë të varura nga qeveria dhe të pavarura nga studentët.

Për të gjitha këto arsye, Lëvizja Për Universitetin njofton se protesta do të vazhdojë duke rinisur nga 7 janari. “Protestat duhet të vazhdojnë dhe të bëhen më masive deri në plotësimin e të gjitha kërkesave studentore dhe rrëzimin e ligjit të Arsimit të Lartë”, - thekson Lëvizja Për Universitetin duke siguruar se “studentët e bashkuar kanë për të fituar”.

 

 

VKM-të e Ramës, një lojë fjalësh me tarifat?

Përllogaritjet që bën Lëvizja Për Universitetin

“Sipas ligjit të arsimit të lartë, tarifa e studimit ndahet në tarifë regjistrimi dhe tarifë shkollimi. Ajo që kushton dhjetëra mijëra lekë (të reja) quhet tarifë shkollimi dhe paguhet çdo vit. Tarifa e regjistrimit është një pagesë shumë herë më e vogël që bën çdo student në hyrjen e tij për herë të parë në universitet. Për shembull, në Fakultetin e Shkencave Sociale tarifa e shkollimit shkon deri në 40,000 lekë (të reja), kurse tarifa e regjistrimit është 1650 lekë (të reja).

Rama po tallet me studentët e bachelor-it duke premtuar ulje të tarifës së shkollimit, kur në fakt shpall thjesht uljen e tarifës së regjistrimit? Apo, më keq akoma për një kryeministër, nuk ia ka haberin ligjit që vetë po e mbron nga mëngjesi në darkë?”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: