Protesta e studentëve, nga parlamenti tek ngujimi para Kryeministrisë

Protesta e studentëve, nga parlamenti tek ngujimi para Kryeministrisë
Asnjë kërkesë e plotësuar nga qeveria edhen ditën e 10 të protestës. Kreu i qeverisë kërkon dialog nga studentët, ndërkohë që këta të fundit nuk kanë pranuar në asnjë moment të ulen edhe me përfaqësi të gjerë, deri në plotësimin e të 8 pikave të kërkuara. Sot sërisht protestë

Mijëra studentë e zhvendosën protestën e tyre gjatë ditës së djeshme para parlamentit. Pasi marshuan nga fakultetet e ndryshme, të rinjtë u mblodhën duke brohoritur ndërkohë që brenda në sallë deputetët po flisnin për protestën e tyre.

Shumë studentë mbanin në duar letra të bardha e pankarta, ndërsa hodhën akuza ndaj qeverisë. Të vendosur për plotësimin e kërkesave, studentet nuk pranuan të dialogojnë me kryeministrin Rama. Ata u shprehen se protesta do të vazhdojë derisa qeveria të bindet, në të kundërt do të ketë përshkallëzim të saj. Disa prej tyre kanë komentuar fjalën e Kryeministrit Rama, i cili e quajti protestën një shuplakë për qeverinë dhe një grusht për opozitën. “Kjo është një shuplakë kundër sistemit, dhe sistemin e bën qeveria dhe opozita”, shprehet njëri prej tyre. “Me këtë protestë po i tregojmë popullit që duhet të çohet për të drejtat e veta”, thotë një tjetër.

Gjatë mesditës, kur protesta vazhdonte, Kryeministri Edi Rama ka shkruar një Twitter se tashmë janë studentët që po e mbajnë peng zgjidhjen e tetë pikave, duke mos pranuar dialogun.”Miq!Kori i protestës kur s'të dëgjojnë është domosdoshmëri. Refuzimi në kor i Dialogut është dobësi. Ju duhet ta dini që UNE JAM ME JU. Jam gati për të 8 PIKAT. Duhet të diskutojmë si e kur do të realizohen. Nëse ju s'doni ta kuptoni këtë,vazhdoni mbajini peng të 8 PIKAT. Unë ju pres” shkruante Rama.

Protestuesit qëndruan para parlamentit deri në përfundimin e seancës.  Më pas, ata u nisën drejt kryeministrisë. Të mbledhur para selisë së qeverisë, studentët bënë sërish thirrje për plotësimin e menjëhershëm të listës me 8 kërkesa.

Ne ditën e 10 të protestës, studentët vendosën që të braktisin përfundimisht tubimin para ministrisë së arsimit për ta vijuar atë vetëm para kryeministrisë.

Edhe  gjatë ditës së sotme pritet që protesta të zhvillohet para kryeministrisë, duke u organizuar si ditët e tjera.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: