RAMA APO STUDENTËT, KUSH DO TËRHIQET?

RAMA APO STUDENTËT, KUSH DO TËRHIQET?
Prej dy javësh studentët janë hedhur në protesta, ato po përshkallëzohen gjithnjë e më shumë. Rama bën ftesa në rrjete sociale, nuk pranon të plotësojë 8 kërkesat pa i futur në dialog protestuesit. Si po futet në rreth vicioz situata në prag të festave dhe dilema se kush do të hapë rrugë. Pse studentët vlerësojnë se nuk kanë ç’të humbin dhe ku ndahen me qeverinë për ligjin e arsimit të lartë.

Eglantina Nasi

Një udhë pa krye duket se është bërë tashmë protesta e studentëve. E ndërsa këta të fundit “nuk lëshojnë pe” në plotësimin e 8 kërkesave të tyre, nga ana tjetër kreu i qeverisë Edi Rama këmbëngul për dialog me një përfaqësi të gjerë studentësh. Komunikimi mes dy palëve janë kthyer rrjetet sociale nga ana e Ramës dhe brohoritja e kërkesave para kryeministrisë nga ana e studentëve.

Kreu i qeverisë premton dialog, duke rishikuar autonominë universiteteve dhe ndryshim të ligjit të Arsimit të Lartë, por studentët janë kundër këtij vendimi. Ata janë shprehur të gatshëm të sakrifikojnë edhe sezonin e provimeve, apo edhe  vitin akademik deri në plotësim të 8 kërkesave të tyre.

Ky prag festash fundviti duket se ka qenë nga më të zhurmshmit, jo për atmosferën që po krijohet por për zhurmën politike dhe ata që të rinjtë po kërkojnë mbi tarifat, përfaqësimin të drejtat por edhe detyrimet që ata duhet të kenë.

Por si do të jetë fundi? Kush pritet të dalë fituesi, qeveria apo studentët. Duket se kjo dilemë do të marrë zgjidhjen deri sa njëra palë të pranojë me tjetrën.

Protesta

Pas 13 ditësh rezistencë dhe refuzim të çdo ftese për dialog, studentët u organizuan ditën e djeshme  për një tjetër lëvizje në përmasa edhe më të mëdha. Këshillat studentorë gjatë fundjave njoftuan se të hënën protesta do të jetë kombëtare. Ata u bënë thirrje që nismës t’u bashkohen pedagogë, prindër, qytetarë dhe nxënës të shkollave të mesme.

Rreth orës 11:30, studentët dhe qytetarët u mblodhën përballë Kryeministrisë. Studentët këmbëngulin se nuk pranojnë dialog me qeverinë pa u zgjidhur 8 pikat e tyre, ndërsa bëjnë thirrje që politika të rrijë larg protestës.

Sa i takon kërkesave, studentët pohojnë se të vazhdojnë të protestojnë deri në realizimin e tyre. Madje ata kërkojnë shtyrjen e sezonit të provimeve dhe se në janar kanë marrë vendimin që asnjë student të kryejë pagesën vjetore të studimit. “Problemi është kryeministri dhe fakulteti jo ne si studentë. Nëse ne jemi mbetës këtë vit do të vazhdojmë vitin tjetër. Ne mund të bëjmë pa një vit shkollë po fakulteti si do të funksionojë një vit pa studentë. Ndaj është e udhës që kërkesat tona të miratohen. Ne do të kërkojmë edhe shtyrjen e sezonit të provimeve, në rast se nuk ka plotësim të tyre. Protesta jonë nuk ndalet” pohojnë studentët.

Përplasja

Protestës iu bashkuan edhe qytetarë të ndryshëm të Tiranës si dhe mbështetës të opozitës, pikërisht të LSI dhe PD. Kanë qenë 3 protestues të cilët hodhën flakadanë, por studentët janë shprehur se kjo ka ndodhur nga qytetarët dhe kanë kërkuar që të mos vazhdojë pasi në të kundërt do i nxjerrin nga protesta. “Largohu ti aty, o zotëri largohu. Ik që këtej. S’ka tymuese këtu”-tha studenti. Ndërkohë një tjetër shtoi: “Kemi ardhur këtu si studentë, kemi kulturë. Nuk protestojmë në mënyrë të turpshme. Nëse është dikush që do të përdorë dhunë në emrin tonë, turp, turp. Kemi ardhur këtu për kërkesa tona, për arsimin. Ne nuk ushtrojmë dhunë” tha një tjetër student.

Bllokimi i rrugëve

Por në ditën e 14 të protestës, studentët morën vendimin për përshkallëzimin e saj. Pas mbarimit të afatit të protestës, që ishte paralajmëruar në orën 14:30, studentët dhe mbështetësit e tyre kanë ndërmarrë hapin e radhës.  Ata kanë vendosur të bllokojnë tre akse kryesore në Tiranë. Grupi i parë studenteve dhe me numër më të lartë ka qëndruar para kryeministrisë. Grupi tjetër ka lëvizur tek Banka e Shqipërisë aty ku makinat vijnë nga “Rruga e Kavajës” dhe shpërndahen në qendër të Tiranës. Ndërsa grupi i tretë ka shkuar në këmbë drejt Zogut të Zi për të bllokuar qarkullimin edhe në këtë aks.

Studentët mbajtën të paralizuar lëvizjen e automjeteve te "Zogu i Zi" për tre orë me radhë, duke shkaktuar kaos dhe trafik kilometrik.

 

Ekonomiku/ Studentët i kërkojnë dorëheqjen Dhori Kules

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Dhori Kule,  ka kërkuar të dialogojë me studentët përgjatë ditës së djeshme. Në një takim të organizuar me këta të fundit, Kule ka pohuar se është i gatshëm të rishikojë kërkesat e tyre. Por studentët kanë qenë të vendosur duke pohuar se ai duhet të dorëhiqet pasia ka keqmenaxhar fondet e fakultetit.  “Keqmenaxhim dhe abuzime në fakultet. Kule të japë dorëheqjen”,-mësohet se janë shprehur studentët.

Nga ana tjetër, Kule është shprehur në takimin me studentët se rekrutimet dhe punësimet në këtë fakultet bëhen në mënyrë të rregullt.

Takimi i Kules me studentët vjen pak ditë pas kritikave të Kryeministrit Edi Rama për rektorët dhe dekanët e të gjitha Universiteteve në vend. Rama paralajmëroi rektorët dhe dekanët se pas protestës së studentëve, do të rishikohej autonomia e universiteteve.

 

Mjekësia heq tarifat e shërbimeve për studentët

Në ditën e 14 të protestës, Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë ka vendosur të mbështesë kërkesat e studentëve. Në një vendim të këtij senati pas mbledhjeve të zhvilluara në datat 11 dhe 14 dhjetor, është rënë dakord që të hiqen të gjitha tarifat e shërbimeve për studentët.

Në mbledhjen e përbashkët me Bordin e Administrimit, Administratorin, Rektoratin, Dekanët dhe Drejtorët përkatës të Rektoratit, Senati shqyrtoi me përgjegjësi të lartë kërkesat e paraqitura nga Këshillat Studentore të UMT-së ku u vendos për mbështetje të studentëve për përgjysmim t tarifave të studimit. Po kështu, përjashtimin e studentëve edhe nga tarifat e shërbimeve siç janë vërtetimet, listat e notave etj.

Përsa i përket kërkesave të tjera, krahas mbështetjes për plotësimin e menjëhershëm të shumë prej tyre, i kërkoi Rektoratit, Dekanateve dhe Departamenteve të ngrenë grupe të përbashkëta pune me Këshillat Studentore përkatëse, për të analizuar dhe adresuar problematikat e ngritura në këto ditë proteste dhe në vazhdim, në mënyrë që ato të gjejnë zgjidhje dhe të reflektohen në dokumentet zyrtare të universitetit. Ndërkohë një auditi gjerë do të vlerësojë punën e UMT-së përgjatë 10 viteve të fundit.

Sa i takon informimit të studentëve u garantua transparenca, duke pasqyruar në faqen zyrtare të tij aktivitetin financiar të universitetit si dhe respektim e lirisë akademike të studentëve,  ku të marrin pjesë së bashku me studentët në një diskutim të gjerë për përmirësimin e cilësisë akademike dhe shkencore të arsimit mjekësor, pasi studentët dhe pedagogët përbëjnë dy kolonat bazë në të cilat mbështetet formimi universitar.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: