Rama: Plani im, të udhëheq protestën e studentëve

Rama: Plani im, të udhëheq protestën e studentëve
Kryeministri tha se dialogu ka nisur dhe do vazhdojë në janar. Pret që dhe protestat të mos ndalen vitin që vjen

Në daljet e tij publike gjatë dhjetorit të protestave studentore, kryeministri Edi Rama kishte deklaruar se nuk do të merrej asnjë vendim nëse protestuesit nuk do të futeshin në dialog me qeverinë.

Megjithatë, një mbledhje të tërë qeverie, Rama ia kushtoi dje studentëve.

Në daljen për media, ai u pyet pikërisht për këtë: “Gjatë takimeve që keni bërë me studentët në fakultetet e ndryshme deklaruat se nuk do të merreshin këto vendime. nëse nuk do të niste procesi i dialogut, pse i morët pikërisht tani?”

Z.Rama u përgjigj: “Sepse procesi i dialogut ka nisur, pikat kanë nisur të diskutohen jo vetëm në takimet e mia, por edhe në platformën Shqipëria që duam, ku kemi kontribute, për hir të së vërtetës, shumë më tepër konfidenciale sesa publike, por që janë marrë në konsideratë. Por edhe sepse, mbi të gjitha, gjërat që na takon të bëjmë, ne i kemi të qarta dhe hap pas hapi do t’i sqarojmë edhe ato të tjerat që ende kërkojnë pak kohë për t’u materializuar”.

Por a ka Rama një përllogaritje sa është fatura e të gjithë kësaj pakete me 12 pika dhe a parashikohet një ndryshim në Buxhetin 2019 për realizimin e kësaj pakete?

Kryeministri këmbënguli edhe dje se nuk ka nevojë për ndryshim buxheti. “VKM-të janë bërë dhe financimi është i garantuar brenda financimit përkatës për tarifat dhe brenda fondit të arsimit dhe në vijim është parashikuar gjithçka. Nuk ka nevojë. Ata që kërkojnë ndryshim buxheti janë ata që nuk dinë se çfarë kërkojnë, ose më saktë duan që studentët mos të dinë se çfarë kërkojnë. Ndërkohë, unë e di shumë mirë se çfarë kërkojnë studentët dhe çfarë kërkoj në këtë proces. Patjetër që gjithçka është e përllogaritur deri në qindarkën e fundit”.

E nëse studentët do të vazhdojnë protestën e tyre, a ka Rama një plan “B”?

Kryeministri u shpreh: “Plani im është shumë i qartë, unë do të udhëheq protestën e studentëve. Ju mund të qeshni, por shumë shpejt do të shikoni që do të “kap” edhe protestën, siç kam “kapur” të gjitha të tjerat”, - tha Rama duke mos fshehur ironinë.

Kreu i qeverisë vlerësoi se studentët kanë kërkuar disa gjëra të arsyeshme, por shtoi se “operacioni duhet të shkojë shumë më thellë dhe reforma duhet të shkojë shumë më thellë”.

Kurse lidhur me fatin e protestës, Rama pret që ajo të mos ndalet qoftë dhe pjesërisht: “Uroj shumë që gjithë këto vendime të çojnë mesazhin e vërtetë dhe të duhur tek të gjithë ata që në protestë dolën me zemër dhe me mendje tek vetja dhe tek universiteti. Atyre të tjerëve do t’ua themi gjërat kur t’iu vijë radha, sepse jam i bindur se ata nuk do të tërhiqen nga protesta”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: