Rama shpërthen ndaj rektorëve: Tarifat, përgjegjësi e universiteteve

Rama shpërthen ndaj rektorëve: Tarifat, përgjegjësi e universiteteve
Kreu i qeverisë akuzoi drejtuesit e universiteteve dhe fakulteteve publike për shpërdorim të fondeve në lidhje me ruajtjen e bejteve si dhe blerjen e orendive të zyrave, madje deri tek makinat e shtrenjta, ndërsa pohoi se nuk është investuar në asnjë pjesë sa i takon infrastrukturës në funksion të studentëve, dhe aq më pak ndaj atyre me aftësi të kufizuara. Rama kërkoi marrjen e përgjegjësisë nga drejtuesit e universiteteve, ndërsa theksoi se tashmë ai do të jetë kritiku më i madh i tyre.

Eglantina Nasi

Kryeministri Rama gjatë një takimi me rektorë dhe dekanë të universiteteve publike u tregua i ashpër, duke pohuar se ishin të vetmit që nuk kanë pasur asnjë reagim që prej nisjes së protestave të studentëve edhe pse një pjesë e mirë e kërkesave të tyre i takojnë universiteteve. Sipas tij, bordet e administrimit të universiteteve duhen shkarkuar dhe të zëvendësohen me persona me profile publike.

Në këtë diskutim kryeministri Rama është shprehur se tarifa e shkollës është përgjegjësi e universiteteve dhe jo e qeverisë. “Nuk kam ardhur këtë të shkarkoj përgjegjësitë e qeverisë, protesta e studentëve është shuplakë për qeverinë, grusht për opozitën shpresë për shoqërinë për ju nuk e di,  ju duhet ta gjeni vetë. Me siguri për ju është diçka dhe hap pas hapi ju do të shikoni se kjo protestë në fillim lidhet në thelb me ju, flas me universitetet ktu jo me persona specifik. Tarifat janë përgjegjësi e universiteteve për ti propozuar dhe përgjegjësi e qeverisë për ti pranuar, si ka mundësi që studentët nuk i dinë tarifat, nuk e dinë se 75 % të tyre i mbulon shteti dhe nuk e dinë nga burojnë fondet. Nuk e dinë fare çfarë i kushton senatit ta bëjë të ditur këtë” ka pohuar kreu i qeverisë. Po kështu ai ka theksuar se gjatë këtyre ditëve ka parë më vëmendje buxhetet e të gjitha institucioneve të arsimit të lartë, dhe shpenzimet kanë shkuar për blerje makinash, siguri dhe ruajtje godinash, mobilime dhe aspak për infrastrukturë apo sa i takon pjesës akademike. Po kështu Rama ka pohuar se nuk është bërë asnjë gjë sa i takon infrastrukturës apo lehtësirave që duhet të kenë personat me aftësi të kufizuara. “Nuk e kam kuptuar se si universiteti i Tiranës harxhon 6 mln euro për roje sigurie. Zëri kryesor në buxhete janë automjete dhe orendi. Kam parë specifikim nga një universitet ku dekani kërkon veturë 76 mijë euro. Nuk ka problem, ta ketë. Por këto gjëra t’i dinë të tjerët. Po të shohësh shpenzimet e universitetit ka disbalanca ekstreme. Më falni po ku hyn qeveria këtu? Jo për të hequr përgjegjësinë e saj, sepse unë jam i gatshëm ta pranoj atë pjesë të shuplakës që studentët i kanë dhënë qeverisë.” ka pohuar Rama.

Kreu i qeverisë shkoi edhe më tej, duke thënë se ndoshta autonomia e universiteteve ishte e parakohshme. “Duhet ta rishikojmë autonominë universitare, mbase ka qenë e parakohshme, e nxituar. Që e bën rektorin, dekanin krejtësisht të pavarur dhe të paprekshëm nga qeveria”, tha Rama.

Ai preku edhe cilësinë e ulët të mësimdhënies së pedagogëve në universitete. Kryeministri iu dha të drejtë kërkesave të artikuluara nga studentët dhe i ftoi drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë që të mos fshihen, siç kanë bërë, por as të mbrojnë qeverinë, sepse, siç u shpreh me sarkazëm, do ta dëmtonin shumë, në këto momente, duke nënkuptuar se ata janë bërë të urryer nga studentët. ““Ka një gjë tjetër që kërkojnë studentët dhe kjo gjëja është më spektakolarja, sepse tregon sesa të dëshpëruar janë studentët dhe sesa të qorruar janë. Ata i kërkojnë vlerësimin e perfomancës së mësimdhënies. Po si ta bëjë këtë qeveria? Dëgjoj për librat e pedagogëve që shiten me zor, që kondicionojnë notën, që janë përkthime keq. Si mund ta bëjë kryeministria vlerësimin e cilësisë së mësimdhënies? Që do të thotë që duhet një qasje e përbashkët dhe komplekse. Nuk është e thjeshtë! 1300 punonjës të universitetit që nuk kanë lidhje me pedagogjinë paguhen,marrin rrogë. Po si ka mundësi që ndodh kjo? Sikur të më dalë dikush që të thotë që është futur një punonjës i vetëm nga Ministria e Arsimit unë heq dorë, iki.”

E ndërsa kreu i qeverisë ka mbyllur fjalimin e tij me: “Do të shihemi së shpejti”, asnjë prej dekanëve apo rektorëve të pranishëm në takim nuk ka folur apo kundërshtuar akuzat e ngritura nga kreu i qeverisë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: