Rama, takim plot tension me studentët e Arkitekturës

Rama, takim plot tension me studentët e Arkitekturës
Një nga studentet e vuri në siklet kryeministrin kur publikoi faktin se kishte marrë një telefonatë dhe mesazh gjatë natës prej tij, ku sikurse ajo tha, e kishte quajtur “dembele mendore”

Një maratonë debati mund të konsiderohet ajo e djeshmja në Fakultetin e Arkitekturës së Universitetit Politeknik të Tiranës mes kryeministrit Edi Rama dhe studentëve.

Që në fillim, nga një pjesë e mirë e të rinjve Rama u konsiderua si i padëshiruar dhe pasi u përball me akuza dhe pakënaqësi, kjo pjesë e studentëve braktisi mbledhjen në mënyrë demonstrative.

Biseda mes Ramës dhe pedagogëve nga njëra anë dhe e studentëve të mbetur nga ana tjetër, vazhdoi disa orë, por edhe më pas pati plot tension.

Një nga studentet e vuri në siklet kryeministrin kur publikoi faktin se kishte marrë një telefonatë dhe mesazh gjatë natës prej tij, ku sikurse ajo tha, e kishte quajtur “dembele mendore”.

Studentja tha se kryeministri e kishte telefonuar dhe kishte quajtur “dembelë mendorë” jo vetëm atë, por edhe studentët e tjerë që kanë protestuar gjatë këtyre ditëve.

Rama nuk u pajtua me këtë akuzë duke u shprehur: “Qetësohu moj, ç’është kjo histori kështu”. Por studentja vazhdoi: “Kemi kontaktuar edhe dje. Më shkruajtët në mesazh. Dembela mendorë. Më keni marrë në telefon në orën 10:30 të natës: Më merr të keqen për zhvatjen me vetëdijen. The një mijë fjalë për nivelin e dembelizmit mendor që është shfaqur gjatë këtyre ditëve. Dhe thua qetësohu?! Çfarë jemi ne? Lolot e qeverisë? Nuk na blini dot neve me 1000 fressh-ista. Duke na kërcënuar me makina dhe duke na hequr prindërit nga puna. Doni monolog. Ky s’është dialog, kjo është shfaqje. Dialogu duhet të bëhej me të gjithë. Por ju po luani lojë kukafshehthi. Këtë keni bërë në çdo universitet. Ky s’është dialog, kush do të dalë le të dalë”, - tha studentja dhe një pjesë e studentëve u larguan bashkë me të.

Ajo u përcoll kështu nga Edi Rama: “Hajde shëndet, po kujdes edukatën, jam shumë i shqetësuar”.

Gjatë takimit në vijim, Rama deklaroi se në janar 2019 studentët nuk do ta paguajnë tarifën për universitetin. Ai tha se Qeveria ka përcaktuar buxhetin përkatës nga buxheti i arsimit dhe menjëherë tarifat që duhet të paguante çdo student në muajin janar do t’ua japë qeveria drejt e në arkën e universiteve dhe studentët nuk do të paguajnë në janar.

“Për tarifat, juve teorikisht duhet të paguani në janar. Nuk do të paguani në janar. Pjesën e përgjysmimit ne po e diskutojmë ashtu siç po diskutojmë edhe përshkallëzimin meritokratik, ku ka një debat për diferencën e poshtme. Por ne e kemi bërë llogarinë dhe e kemi përcaktuar buxhetin përkatës nga buxheti i arsimit dhe menjëherë paratë që juve do t’i jepni në janar, do t’i japë qeveria drejt e në arkën e universitetit dhe ju nuk do të paguani në janar”, – tha Rama. Në janar, theksoi kryeministri, “kjo pikë do të plotësohet”.

Në bashkëbisedim me studentët e Fakultetit të Arkitekturës, Rama tha edhe se do t’u kthehen lekët edhe atyre që kanë parapaguar.

Në vijim Rama tha se një pakt mes qeverisë dhe studentëve do t’i japë zgjidhje shumë më tepër se 8 pikave që lidhen me arsimin e lartë në Shqipëri. “Në këtë moment duhet një Pakt mes qeverisë dhe studentëve, sepse studentët maksimumi që mund të bëjnë është që të protestojnë, por më shumë se kaq nuk bëjnë dot. Qeveria, e vetmja gjë që mund të bëjë është të hajë “shpullën” që hëngri, të bëjë ato ndërhyrjet e veta me buxhetin për kartën e studentit, konviktet, etj., por më shumë se kaq nuk bën dot”, tha z.Rama.

Sipas tij, “më shumë se treçereku i çështjeve kanë të bëjnë me universitetin dhe qeveria nuk ndërhyn dot aty, pasi ka autonomi”.

“Nëse ne bashkërisht biem dakord që kjo protestë nuk fiket si flakë kashte dhe nuk mbetet vetëm plotëso 8 pika, por shkon më thellë dhe adreson të gjitha këto probleme të arsimit të lartë, ky do të jetë Pakti për Universitetin, që duhet të jetë pakt angazhimesh. Studentët duhet të zgjedhin një përfaqësi të tyre për ta ndjekur në mënyrë periodike këtë çështje, unë jam gati ta bëj këtë gjë”, - tha Rama.

Kryeministri siguroi se është shumë serioz në angazhimet që ka marrë. “Do të kisha dashur të isha në protestë dhe ta udhëhiqja vetë këtë protestë”, - shtoi z. Rama.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: