Rama vijon debatin në Vlorë, gjysma e studentëve largohen nga salla

Rama vijon debatin në Vlorë, gjysma e studentëve largohen nga salla
Tension në takimin mes kryeministrit dhe studentëve në Vlorë

Në mjediset e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim me studentë, i cili u shoqërua me tensione duke vënë në siklet disa herë kreun e qeverisë. Që në fillim të takimit, disa studentë protestuan para kryeministrit, por ky fundit mes batutave i ftoi të qëndronin në sallë. “Turp nuk është t’i thuash tjetrit hajde të flasim” u tha ai studentëve. Por nuk ka përfunduar me kaq. Studentët që morën fjalën shprehën disa nga ankesat e tyre. “Të kemi votuar, por mënyra si po silleni është jo korrekte” tha një i ri. afro gjysma e studentëve u larguan në mënyrë demonstrative nga salla, janë duke protestuar dhe duke hedhur parulla. “Vetëm Europë nuk është kjo”, komentoi Rama sjelljen e tyre.

Bashkëbisedimi i mëvonshëm ishte në fakt një shprehje e pakënaqësisë së studentëve për kushtet në të cilat ata jetojnë dhe mësojnë. “Sot jemi këtu dhe është ngrohtë sepse jemi shumë. Por hajde në klasë ku studiojmë. Është shumë ftohtë”, - tha ndër të tjera një student.

Rama në përgjigjet e tij u ndal te tarifat. “Në janar nuk do të paguani tarifa, do ta paguajë qeveria”, - tha ai. Kryeministri si dhe më parë shprehu preferencën që qeveria të ndihmojë studentët e mirë, apo ata që vijnë nga familjet në nevojë. Zoti Rama edhe një herë ka shprehur pakënaqësinë që në universitete kanë hyrë studentë me mesatare të ulët, duke vështirësuar sipas tij situatën. Ai këmbënguli në nevojën e rritjes së mesatares për të hyrë në universitet.

Megjithatë studentët nuk ishin të kënaqur nga përgjigjet e Ramës. “Këto nuk janë përgjigje. Ne duam një përgjigje konkrete”, - tha një student. Rama sërish bëri thirrje për bashkëpunim. “Unë jam dakord me 8 pika. Çfarë doni më tepër?”, - tha ai. Shkëmbimi i replikave vazhdoi gjatë dhe në një moment zoti Rama u detyrua të japë përgjigje edhe lidhur me shtëpinë e tij të ndërtuar në Surrel, aq e sulmuar nga opozita. Ai tha se gjithçka e kishte ndërtuar konform ligjit dhe në sajë edhe të punës së tij si emigrant.

Gjatë bashkëbisedimit ka patur shkëmbim replikash të ashpra mes kryeministrit dhe disa studentëve, ku shpesh tonet ngriheshin dhe kalohej etika e komunikimit mes palëve. Po ashtu nuk mungonin edhe duartrokitjet për palët. Edhe në dalje të zotit Rama nga universiteti “Ismail Qemali”, studentët organizuan një protestë.

 

EDI RAMA

“Ju keni 8 pika, por këto 8 pika nuk mjaftojnë. Kështu që hajde dialogojmë, shuani protestën dhe pastaj të shohim se çfarë të bëhet. Unë këtë nuk e pranoj. Arsyeja e parë, sepse është e drejta jonë dhe arsyeja e dytë se mua më fyeni inteligjencën. Edhe këto takime bëhen që t’i mbushësh mendjen popullit që nuk janë 8 pika, por janë akoma më shumë. Kjo është relative. Nuk mund të negociohet për gjëra bazë, jetike. Do të ishte shumë e qartë dëshira juaj për dialog, nëse të paktën 1 nga këto 8 pika ju do ta plotësonit”

 

STUDENT

“Unë do ta shfuqizoja ligjin e Arsimit të Lartë. Unë kam ardhur këtu si maturant dhe kam tre vite që studioj për Drejtësi dhe s’doja fare të studioja për drejtësi, por doja sociologji. Nuk është fare faji im që vazhdoj një degë që nuk e dua. Vërtetë mund ta kem mesataren 9.1, motra ime është këtu e ka 9.7, ne paguajmë nga 200 mijë lekë taksë, nga 200 mijë lekë për librat. Prindërit janë pa punë, mund ta vërtetojmë shumë thjesht. Nuk marrim as ndonjë lloj subvencioni, asgjë tjetër. Vijnë studentët këtu dhe ju i quani komunistë”

 

Kërkesat e studentëve, zv/kryeministrja: Duhet dialog që të kuptojmë mirë njëri-tjetrin

Senida Mesi thotë se ka nevojë për ndryshime ligjore, të cilat kërkojnë kohë pasi nevojitet ekspertizë

Zëvendëskryeministrja Senida Mesi thotë se studentët duhet të futen në dialog me qeverinë, pasi kjo është e vetmja rrugë për të zgjidhur kërkesat e tyre. Duke folur dje në një intervistë në TCH, zonja Mesi tha se qeveria në parim është dakord me 8 pikat e studentëve, por shtoi: “Duhet të ulemi së bashku, të diskutojmë dhe të kuptojmë mirë njëri-tjetrin se çfarë do të thotë realizimi i të gjitha këtyre pikave”.

Sipas Mesit, ka nevojë për ndryshime ligjore, të cilat nuk mund të bëhen sot për nesër, sepse duhet ekspertiza dhe koha e vet për gjithçka.

Po ashtu “ka nevojë edhe për modifikimin e buxhetit, duhet përcaktuar se kur do të hyjnë në fuqi të gjitha këto, nëse do të hyjnë në janar të 2019-s për studentët e vitit akademik 2018-2019, apo do të rregullohet gjithçka për të hyrë në fuqi vitin e ardhshëm akademik”, - deklaroi Senida Mesi.

E nëse zv.kryeministrja flet me durimin e një qeveritari apo qeveritareje, studentët flasin me padurimin e tyre. Ata janë ende në rrugë për shkak se nuk presin kaq gjatë. Ndoshta ata kështu e mendojnë, kushtet e tyre janë të panegociueshme dhe të padialogueshme me qeverinë. Ndaj, a ka qeveria një plan të dytë, nëse studentët vijojnë të thotë Jo, jo dhe jo?

Mesi përgjigjet: “Të flasim me një gjuhë panegociueshmërie është shumë e thjeshtë. Unë kam besim se edhe me të gjithë studentët që protestojnë sot kemi një mirëkuptim se çdo gjë kërkon kohën e caktuar. Nëse kryeministri ka deklaruar se do të ketë përgjysmim të tarifave, do të kemi një të tillë. Do të gjenden mekanizmat për të përdorur fondet rezervë për të kompensuar apo subvencionuar pjesën e rimbursueshme, gjë që nuk ishte parashikuar nga shtatori deri në nëntor, kur ne hartuam buxhetin”.

Në këtë pikë, Mesi shtron pyetjen: “Por a mjafton vetëm përgjysmimi i tarifës, që për asnjë universitet nëpër rrethe nuk ka qenë pengesë?

Zonja Mesi pohon se për studentët jashtë Tiranës, sikurse edhe për ata në kryeqytet, problematika ka qenë me infrastrukturën arsimore dhe akomoduese, cilësia e mësimdhënies, qasja në biblioteka etj.

Mesi foli dhe për kartën e studentit. Ajo tha se do të ishte shumë e thjeshtë nëse ne do të nxirrnim dhe prodhonim në kartë studenti që njihet vetëm në Republikën e Shqipërisë”. E për të mos ndodhur kjo, qeveria po harton një draft, detajet e të cilit ende nuk dihen.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: