REPORTAZH/ Një ditë mes studentëve, problemet që i nxorën në protestë

REPORTAZH/ Një ditë mes studentëve, problemet që i nxorën në protestë
Të rinjtë nga i gjithë vendi pushtuan për gjatë gjithë ditës së djeshme Tiranën, ndërkohë që Rruga e Durrësit për ta tashmë është bërë destinacioni i ditës. Të gjithë aty shprehin pakënaqësitë që kanë hasur gjatë viteve të shkollës, duke filluar nga tarifat e studimit, pamundësia ekonomike për të blerë librat si dhe kushtet e vështira në konvikte.

Dukej se merreshin vesh shumë mirë me njëri- tjetrin. Të gjithë ishin të përpiktë me oraret dhe udhëzimet të cilat ishin shkruar në një prej faqeve të rrjeteve sociale. Të gjithë studentët të organizuar sipas fakulteteve, u bashkuan për të protestuar para Ministrisë së Arsimit. E marta ishte edhe dita e parë kur ata i vendosën afate qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit për plotësimin e kërkesave të tyre. Por cilat ishin problemet që këta studentë i nxorën në protestë.

Problematikat

E ndërsa takohesh me studentët, të gjithë janë të gatshëm të shprehen. Nëse më herët të duhej një prononcim për problematikat e tyre, kur u drejtoheshe universiteteve, shumë kishin drojën apo edhe frikë të flisnin, kurse sot flasin hapur. Shumica e tyre tregojnë se kushtet e vështira ekonomike, dhe rritja e tarifave ishin edhe shkaktarët kryesore të cilët i nxorën në këtë protestë. “Unë jam viti i parë, Fakulteti i Drejtësisë dhe tarifa ime është 400 mijë lekë. Librat duhet t’i blejmë dy herë në vit. Familja ime ka 3 fëmijë dhe të tre vazhdojmë studimet, mendoni pak sa na shkon tarifa. Babai im është emigrant, një punëtor i thjesht ndërtimi dhe gjithçka e bën për shkollimin tonë, ndërsa mamaja nuk është fare në punë”, thotë Brunilda Kola, studente nga Korça.

Mes protestuesve gjeje edhe studentë të universiteteve private të cilët pavarësisht se kjo rrugë ka qenë një zgjedhje e tyre tregojnë se janë në mbështetje të studentëve protestues. “Unë studioj në një universitet privat ku edhe pse përfitova një bursë 50 për qind, sërish paguaj 800 euro në vit tarifë dhe kjo nuk është një diferencë shumë e madhe nga universiteti shtetëror. Nesër do të jemi sërish këtu, ku do të zhvillohet tubimi më i madh i mbajtur ndonjëherë” pohon një tjetër studente nga Berati .

Por vështirësitë më mëdha i kanë ato familjet cilët i kanë fëmijët studentë në dy qytete të ndryshme, ku janë të detyruar të paguajnë dy shtëpi me qera dhe të kryejnë dy palë shpenzime. Kështu Roberti nga Burreli tregon se si familja e tij, e cila merret vetëm me bujqësi mund të përballojë shpenzimet e dy fëmijëve studentë, në Tiranë dhe Shkodër. “Unë jam nga Burreli dhe në Tiranë jetoj në shtëpi me qira. Unë paguaj 320 mijë lekë në vit për shkollën, ndërsa çdo muaj paguaj 140 mijë lekë qira. Prindërit e mi punojnë në bujqësi dhe e kanë thuajse të papërballueshme pasi kam edhe motrën që studion për gazetari në Tiranë, ndërsa vëllai është student në Shkodër”, tregon Roberti student.

E ndërsa një pjesë e studentëve pohojnë se përpiqen me shumë vështirësi të përballojnë shpenzimet ka edhe nga ata që deklarojnë se familjet janë zhytur në borxhe, dhe ata janë të detyruar të punojnë.  I tillë është edhe rasti i Enxhit e cila pohon se tarifën e vitit të parë në Universitetin e Sporteve ia ka paguar kushërira e vet, të cila po ashtu kishte mbaruar në këtë universitet. “Vitin e parë tarifën ma ka paguar goca e tezes e mamit, të cilësi erdhi keq se mund të më digjej shkolla, pasi edhe ajo vetë kishte mbaruar të njëjtën degë si unë. Më pas  e pashë që familja ime nuk kishte asnjë mundësi ekonomike të më mbante pasi jetonte vetëm me një pension prej 150 mijë lekësh të vjetra, pensioni i gjyshes. Babi herë punonte herë jo, edhe kur punonte nuk paguhej për një kohë të gjatë. Ndaj zgjidhja e vetme ishte të punoja. Nisa punë si shitëse në një dyqan veshjesh sportive. Shumë herë shkoja në shkollë e lodhur, kur dihet që dega që unë kam do një përgatitje  të mirë fizike. Tashmë unë jam edhe në shkollë edhe në punë. Në orën 3 më duhet të shkoj në punë, ta le protestën” tregon Enxhi.

Si historia e Robertit, Enxhit apo Brunildës mund të dëgjosh me qindra apo me mijëra nga studentët protestues. Të gjithë duket se janë të vendosur për atë që kërkojnë, uljen e shpenzimeve për tu arsimuar.

Protesta

Studenteve të Universiteteve Publike gjatë protestës së djeshme iu bashkuan edhe qytetare të ndryshëm por edhe gjimnazistë të Tiranës. Një pjesë e studenteve të rretheve iu bashkuan Tiranës t ndërsa pjesa tjetër protestuan në Korçë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër dhe Durrës.

Numri i pjesëmarrësve këtë të martë ishte shumë i madh, krahasuar me ditët e tjera. Rrugët e Tiranës kanë qenë thuajse të paralizuara ndërsa policia rrugore është përpjekur të menaxhojë edhe ato pak rrugë që kanë qenë të lira.

 

 

Sa janë tarifat e arsimimit në Shqipëri

Të arsimohesh në Shqipëri kushton. Kostot janë më të larta veçanërisht për studimet master dhe në universitetet private. Statistikat e fundit zyrtare për numrin e të arsimuarve në Shqipëri janë ato të vitit 2017. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në këtë vit, janë diplomuar në arsimin e lartë 35.173 studentë ose 11 më shumë se një vit më parë. Më shumë se gjysma e të diplomuarve kanë mbaruar vetëm studimet Bachelor. Tarifat vjetore në pjesën më të madhe janë unifikuar në bazë të fakulteteve dhe variojnë nga 25 000 lekë, që është pagesa minimale, deri në 40 mijë lekë maksimalja. Për nivelin e studimeve master, viti akademik për gradën e Masterit Profesional është 72 mijë lekë, ndërsa për Masterin Shkencor për dy vite është 210 mijë lekë  Në universitetet private, viti shkollor kushton duke filluar nga 1500 euro, në 3500 euro.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: