RISIA/ Mjaft më studimeve pa fryt, plan për shkolla të larta profesionale

RISIA/ Mjaft më studimeve pa fryt, plan për shkolla të larta profesionale
Shefi i qeverisë thotë se ligji i Arsimit të Lartë nuk do të preket. Sa i përket 5% të GDP-së, në Paktin për Universitetin kjo çështje shpjegohet më së miri

Duke kundërshtuar zërat kundër, Rama tha dje nga selia qeveritare se “kemi një bazë absolutisht të padiskutueshme që është Ligji i Arsimit të Lartë, por kemi nevojë të bashkëpunojmë ngushtësisht për ta zbatuar atë dhe për t’i dhënë hapësirë ambicieve dhe shpresave të të gjithë vajzave dhe djemve që shkojnë në rrugën e universitetit për të studiuar, sepse jo të gjithë shkojnë për të studiuar, por për të kaluar disa vite përpara sesa të gjenden në rrugën e jetës, pa ditur se çfarë do të bëjnë”.

Në daljen për media Rama ngriti dhe shqetësimin se cila është e ardhmja e atyre që diplomohen. Ai njoftoi rritjen e ndjeshme në çdo vit të Kolegjeve Profesionale dhe uljen e numrit të atyre që shkojnë në universitet për arsimin e lartë. “Është një numër jashtë çdo lloj logjikë dhe jashtë çdo lloj arsyeje. Ne nuk kemi nevojë, besoj, për 300 gazetarë në vit, për shembull. Ju kemi ju dhe na duket sikur jeni 3000, llogariteni tani 300 në vit. Ku do shkojnë, ku do punësohen? Katër vite studime ku do shkojnë?”, - tha Rama.

Kurse dha edhe një shembull tjetër: “E dini që nga viti i shqyerjes së universiteteve kemi prodhuar 10 000 juristë?! Ku do shkojnë 10 000?! Ndërkohë që shumë prej tyre fare mirë mund të bëhen profesionistë të lartë”. Këtu Rama sqaroi se nuk bëhet fjalë për shkolla profesionale të mesme, por për Kolegje Profesionale 2-vjeçare, siç i ka e gjithë bota.

Duke u ndalur te argumenti për ligjin e Arsimit të Lartë, Rama shpjegoi se nuk ka ndërmend ta rrëzojë atë. “Nuk ka ndonjë arsye që ligji i Arsimit të Lartë të preket. Nga të gjitha bisedat që kam bërë, qofshin ato publike, apo ato jopublike, deri tani nuk kam dëgjuar asnjë që të më japë një fakt se këtë zhvillim pozitiv të kërkuar e ka penguar ligji i Arsimit të Lartë. Përkundrazi, kam parë në vijimësi që shumë gjëra që kërkohen, ligji i kërkon gjithashtu. Kemi një boshllëk për të mbushur, që është nga ligji tek ligjshmëria. Është njëlloj si të thuash që, përderisa asnjë shqiptar trim nuk e vendoste rripin e sigurimit, ligji nuk funksiononte dhe duhet të bënim një ligj tjetër, që të kalonim në ndonjë sistem tjetër sigurie. Nuk është ligji, por është ligjshmëria. Kështu që ligji i Arsimit të Lartë nuk preket”.

Sakaq, duket se bie dhe kërkesa e studentëve për 5% të GDP. Rama tha megjithatë se në Paktin për Universitetin edhe “kjo çështje do të jetë e shpjeguar më së miri, me të gjithë argumentet dhe kontributet e shqiptarëve përmes buxhetit në arsim do të shkojnë duke u rritur dhe do të shpjegohen më së miri si “kur dhe “pse” nuk është e mundur kjo sot, apo ajo nesër”.

 

 

Firmat kundër ligjit për Arsimin e Lartë, Rama mesazh për pedagogët

“Ka pedagogë që janë si ajo shprehja e atij filmit “Sa gjëra bëhen në emrin tënd, o popull”

Kryeministri iu kundërvu një pjese të pedagogëve të cilët kanë mbledhur firma për të prekur ligjin e Arsimit të Lartë. Sipas Ramës është shumë e rëndësishme të ndajmë pedagogët. “Ka shumë pedagogë në universitet që janë heronj, pa asnjë ekzagjerim. Por ka edhe të tjerë që janë si ajo shprehja e atij filmit “Sa gjëra bëhen në emrin tënd, o popull”.

Për Ramën, “përpara sesa pedagogët të shkojnë tek ligji, është mirë që secili të provojë përputhjen e vet me ligjin përsa i përket atyre që pretendojnë doktora, profesora të asociuar, apo të gjitha këto, është mirë të bëhen njëherë të tillë”.

Shefi i qeverisë paralajmëroi se “kush kërkon prekjen e ligjit ka të drejtën e vet, por ligji është rezultat i vullnet të një shumice që ka marrë mandatin e popullit dhe asnjë pakicë e pakicës së pakicës, për më tepër, nuk mund dot të imponojë asgjë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: