Studentët “përplasin” politikën. Rama: Dialog! Meta: Duhet reflektuar me shpejtësi!

Studentët “përplasin” politikën. Rama: Dialog! Meta: Duhet reflektuar me shpejtësi!
Njëri flet prej ditësh për dialog, ndërsa tjetri apelon se duhet të reflektohet me shpejtësi mbi çështjen e studentëve. Kjo është “përplasja” që protesta e studentëve ka krijuar dje në arenën politike të vendit, mes dy përfaqësuesve të lartë të saj. Nga njëra anë, kryeministri Edi Rama, i cili po përballet në mënyrë direkte me të dhe nga ana tjetër, presidenti Ilir Meta, që duket se ka vendosur ta thyejë heshtjen për të reaguar ndaj situatë së krijuar...

"A mund t’ju pyes juve që ju mësojnë të bllokoni rrugët e qytetit dhe dyert e fakulteteve, ndërkohë që mbani bllokuar rrugën e dialogut, duke iu hedhur në fyt me sharje e akuza atyre që duan dialog: Po çfarë borxhi ju kanë juve qytetarët e studentët e tjerë?”. Një koment të tillë ka bërë dje kryeministri Edi Rama, në rrjetet sociale, teksa studentët kanë bllokuar disa nga pikat kryesore të kryeqytetit, ndërsa ishin në ditën e 13-të të protestës, duke kërkuar që të plotësohen 8 kërkesat e tyre. Dhe menjëherë studentët kanë reaguar, duke i bërë atij me dije se dialogu nuk bëhet nga Instagrami. Por nuk ka qenë i vetmi ky koment i kryeministrit gjatë ditës së djeshme, ndaj protestës së studentëve. Në një postim tjetër në rrjetet sociale, ai ka publikuar një fotografi të tij pranë pemës festive, duke ironizuar me pyetjen: “Do shihemi para festave?”. Po ashtu, ai vijoi më tej duke thënë se “Forumet që bëjnë si studentë jashtë politikës dhe militantë të PD-LSI që bëjnë si familjarë studentësh, zyrtarizuan pengmarrjen e protestës”. Sipas tij, politikanët e  gjymtuan si s’ka më keq protestën. “Por unë dhe ju që s’jeni më aty, jo vetëm që s’do t’i lemë pa adresuar ato 8 pika, po do të bëjmë shumë më shumë se aq së bashku. Ditët po na ikin shpejt e festat po vijnë, prandaj mos rrini po dukuni dhe t’ia nisim punës me dialog, bashkëpunim, këmbëngulje për Universitetin”, shkroi gjithashtu Rama.

Nga ana tjetër, gjatë një ceremonie diplomimi studentësh, kreu i shtetit, Ilir Meta, duket se ka përfituar nga rasti për t’u shprehur rreth problematikës së studentëve. Konkretisht, ai ka bërë apel për reflektim sa i përket kërkesave të tyre, të cilat sipas tij duhet të marrin vëmendjen e duhur. “Kam besim se Kuvendi do të reflektojë për bashkëpunimin gjithëpërfshirës për të plotësuar kërkesat e studentëve”, u shpreh Presidenti. Teksa shtoi se kërkesat e tyre janë të drejta dhe legjitime.

“Nuk mund të shmang apelin e përsëritur për të reflektuar me shpejtësi, me përgjegjshmëri dhe maturi ndaj protestës së studentëve që po zhvillohet në disa qytete kryesore të vendit.

Mendoj se ka një konsensus të gjerë publik që i konsideron kërkesat e tyre si të drejta legjitime dhe të realizueshme, ndaj zëri i tyre duhet të dëgjohet nga të gjithë”, apeloi gjithashtu kreu i shtetit.

 

PRECEDENTI

“Përplasja” e parë, kur kreu i shtetit e ktheu mbrapsht ligjin e buxhetit

Sakaq, “përplasja” e parë e shkaktuar mes dy institucioneve kyçe në vend, qeveri-presidencë, ndodhi para pak ditësh kur kreu i shtetit, Ilir Meta ktheu mbrapsht për rishqyrtim në Kuvend, ligjin buxhetin për vitin e ardhshëm, duke marrë në konsideratë situatën e krijuar me studentët, si edhe plotësimin e kushteve të tyre, të cilat i ka parë të lidhura me ndryshime të mundshme në buxhetin 2019.

 

BASHKËBISEDIMI

Kryeministri, takim me studentë dhe pedagogë: Nesër vazhdojmë...

“Faleminderit për mikpritjen grupit të studentëve dhe pedagogëve të Gjeologjikut,me të cilët patëm një bashkëbisedim të dobishëm për Dialogun (e në fakt zhvilluam vetë Dialogun)”. Kështu është shprehur dje kryeministri Edi Rama, pas një takimi me dyer të mbyllura që ka zhvilluar me studentët dhe pedagogët e Fakultetit Gjeologji-Miniera.

“Mësova gjëra të reja prej tyre,mbase edhe ata e kuptuan mirë se ku e kam hallin unë. Nesër vazhdojmë...”, tha Rama. Duke lënë kështu të nënkuptohet se sërish palët gjenden në ngërç, njëra duke këmbëngulur për plotësimin e tetë kërkesave dhe tjetra, për të dialoguar.

 

QËNDRIMI

Basha: Protesta thellësisht politike, veçse jopartiake!

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha dje se forca politike që ai drejton e mbështet protestën e studentëve me shpirt dhe me mendje. Prandaj sipas tij, nuk ka nevojë për akte protagonizmi, ndonëse Edi Rama po e përdor atë.

“Studentët kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave, ne do t’i mbështesim protestat në të gjitha format tona. Jemi shpirtërisht me ta! Bijtë e shqiptarëve janë në protestë, ligji për arsimin e lartë është jokushtetues”, u shpreh Basha.

Sipas tij, protesta po mundohet që të paraqitet si jopolitike, por deklaroi se ajo është një protestë thellësisht politike, veçse jopartiake. “Ky është momenti të jeni të gjithë bashkë, pavarësisht bindjeve politike kemi thirrje që gjithë qytetarët të bashkohen me studentët”, deklaroi gjithashtu Basha. Ndërsa më tej, ai ngriti akuzën se me aferën e Unazës së Re do kishin rënë shumë qeveri, por shtoi se “Edi Rama i ble që të gjithë”.

THIRRJA

“Ne do t’i mbështesim protestat në të gjitha format tona. Jemi shpirtërisht me ta! Bijtë e shqiptarëve janë në protestë!”, tha kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Shpërndajeni me miqtë tuaj: