UT del me vendim për plotësim të kërkesave. Po nxjerr jashtë loje qeverinë?

UT del me vendim për plotësim të kërkesave. Po nxjerr jashtë loje qeverinë?
Mbledhja e Senatit Akademik dhe marrja e një sërë vendimesh në favor të studentëve duket se e ka bërë Universitetin e Tiranës autonom, duke mos pritur as Ministrinë e Arsimit dhe as Qeverinë

Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka përgënjeshtruar kryeministrin Edi Rama në lidhje me pikën 4 të nenit 288 për vendosjen e tarifës për provimet e mbartura. Në deklaratën pas mbledhjes së Senatit, thuhet se nuk i kanë paraqitur Këshillit të Ministrave asnjë kërkesë për vendosjen e kësaj tarife. Por jo vetëm kaq, në këtë dokument mbështet kërkesa e studentëve për përgjysmim të tarifave të shkollimit, duke shkuar deri tek përllogaritjet efekteve financiare.

Përse Universiteti i Tiranës, i cili së fundmi mori edhe akreditimin me kushte për 4 vjet nga Ministria e Arsimit, ka dalë kundër këtij institucion dhe Qeverisë. Përse UT e cila prej muajsh po përfletet për problemet e brendshme që ka në funksionimin e saj të dalë kundër qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, duke u bërë “qeveri më vete”.

Marrja e autonomisë së universiteteve ka qenë një nga kërkesat kryesore që kur Ligji i ri i Arsimit të lartë ka nisur të funksionojë. Po kjo duket se deri më tani kjo autonomi, nuk ka qenë. Të gjitha fakultetet dhe universitetet propozimet e tyre duhet t’i dërgonin pranë Ministrisë së Arsimit dhe më pas të merrej miratimi i tyre.

Por me nisjen e protestave duket se universitetet po marrin vendime të cilat janë në favor të tyre. Kështu dy ditë më parë ishte universiteti i Shkodrës ai që arriti të plotësojë tre kërkesat e studentëve të cilat kishin të  bënin me ndryshimin e notës mesatare për studentët në përfundim të ciklit studimor bachelor nga nota 9 në notën 7 e cila përkon dhe mesataren e  nevojitur për ndjekjen e studimeve më të specializuara. Përveç ndryshimit të notës të mundësohet liria e studenti për të zgjedhur mes provimit dhe temës së diplomës. Pika e dytë kishte të bënte me mundësin e kryerjes së aktiviteteve që i shërbejnë përgatitjes akademike siç janë ekspeditat. Rektoriati ka vendosur që të mos operohet me sistemit e rimbursimit por të përfshihet në buxhetin e USH. Ndërkohë që godina e re e këtij universiteti do të jetë në funksion të studentëve brenda muajit janar 2018.

Ndërkohë që edhe Fakulteti i Mjekësisë i ka dërguar një propozim rektorit të Universitetit të Mjekësisë, ku i kërkon miratimin e e shërbimeve falas për studentët. Kështu shërbimet studentore (vërtetime, programe, lista notash etj.) në të tre ciklet e studimit për këta studentë janë propozuar të jenë pa pagesë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: