Verdikti!

Verdikti!
Nga Juela Meçani

Shkolla e vajzës time, si shumë të tjera, organizoi për festat e fundvitit koncerte e aktivitete, ndërmjet të cilave edhe një konkurrim koral në rang qyteti, ku ajo merrte pjesë. E lumtur që ishte konkurrim e se nëse fitonin do të konkurronin në rang kombëtar, u angazhua sa mundi edhe pse e mbytur në teste fundsezoni. E pashë të lumtur e shpresëplotë ndaj nuk e ngacmova por brenda meje diçka më thoshte se po kishte pritshmëri të kota. Gjithsesi le të ishte një eksperiencë më shumë. Pas koncertit e pyeta se si shkoi konkurrimi dhe me një buzëqeshje ironike m’u përgjigj se kishin fituar çmimin e dytë e se çmimi i parë dihej prej kohësh se nga cila shkollë do të fitohej e se gjërat ishin vendosur “në tavolinë”. Nuk e zgjata më dhe mendova se sa keq është që në këtë vendin tonë të brishtë intriga të tilla funksionojnë deri edhe në hallka të tilla kaq të vogla si në një konkurrim koresh e se është akoma edhe më keq që adoleshentët mësohen me këtë fakt që herët e kjo dukuri do i ndjekë gjatë gjithë jetës. Pra mësohen, pa dashur, me padrejtësinë dhe të keqen që dikton “kupola” që luan interesa të ngushtë. Pak ditë më pas, e marr me vete e shkuam që të dyja të ndiqnim festivalin e këngës në RTSH. Nga profesioni im kisha dije se kishte mjaft materiale dinjitoze, në këtë edicion të festivalit, disa prej tyre i kisha dëgjuar disa herë. Shijet janë shumë relative por në mendjen time peshova se kishte disa prej tyre që mund të na përfaqësonin me dinjitet në Eurovizion por edhe në një treg më të gjerë muzikor. Pauzat e asaj nate ishin të gjata e të zvarritura, publiciteti i gjatë dhe i lodhshëm, batutat të pafunda por kjo është pjesë tjetër. Si unë, shumë spektatorë, në pauzat e gjata, dilnin në hollin e Pallatit të Koncerteve, e mes një kafeje e një uji, pata kënaqësinë të takoja shumë kolegë ose artistë që ishin edhe ata në atë natë. Dhe çfarë mësova nga bisedat me ta që në nisje të natës së fundit të festivalit? Mësova, për habinë time, listën e të gjitha çmimeve fituese, deri në atë të madhin fare, çmimin më të rëndësishëm të vitit, emrin e këngës që do të shkonte me avion në Izrael. Të them të drejtën, desha shumë të besoja se ishin thjesht fjalë korridoresh e se ishte e pamundur që gjërat të kishin shkuar deri aty. Por teksa festivali përmbyllej, më doli se ajo listë me çmime ishte plotësisht, po pikë për pikë, e saktë. Ende i kam në vesh shpotitjet e shumë artistëve që më thanë se dihej rezultati prej shumë kohësh e se ishte i paracaktuar. Por duke u nisur nga fakti se me të vërtetë këngët dhe kompozimet ishin, disa, shumë të mira, tentova me veten që të mos besoja se artistët të ishin bërë pjesë e verdikteve meskine që shumë shpesh ndodhin në këtë artin dhe skenën tonë e që ja kanë ulur besueshmërinë plotësisht festivaleve. Në të gjitha këto biseda, vajza ime ishte me mua e qeshte duke më thënë që nuk qenka verdikt i parashkruar vetëm për korin e shkollës, qenka kudo kështu. E qeshura e saj më kumboi në vesh fort, një tronditje se çfarë i pret të rinjtë në këtë vend. Drejtorë që i vë partia, kushërinj që punësohen nga deputeti, gra biznesmenësh që i gjen në kupola bankash, aktorë të dështuar që bëhen drejtorë, vajza vetëm të pashme që marrin miliona klikime sepse shfaqin hiret. Si mundet që të edukojmë një brez me vlerën e së drejtës kur deri në asht jemi robër të verdikteve ose vendimeve të luajtura në tavolinë? Konkurrimi i shkollës ose festivalet e këngës janë të barazvlefshme, në syrin tim, në leksionin më negativ që mora nga ky fundvit. Merita ose vlera reale është në duar të pasigurta e se, de jure e de facto, po punojmë nga pak të gjithë që të rinjtë e këtij vendi të “zhduken” nga sytë këmbët drejt një bote më të drejtë me ta.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: