VRASJA E MARIO ISAK/ Reagimet e nxituara nuk i shërbejnë fqinjësisë së mirë

VRASJA E MARIO ISAK/ Reagimet e nxituara nuk i shërbejnë fqinjësisë së mirë
MEPJ e lidh rastin e të ndjerit Mario Isak, me krime të tjera, aludon për akte raciste dhe ekstremisto-politike. MPJ e Greqisë: Tirana zyrtare mos përgjithësojë ngjarjet

Pak orë pasi kryeministri Edi Rama foli për nevojën e fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve gjithnjë e më të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe pasi ai njoftoi një takim me homologun grek Aleksis Tsipras për përmbylljen e marrëveshjes mes palëve, ministria jonë për Evropën dhe Punët e Jashtme del me një deklaratë të nxituar për rastin e të ndjerit Mario Isak, i cili mbeti i vrarë dje nga një bashkëkombës i tij.

MEPJ nxori të mërkurën një deklaratë të posaçme për shtyp mbi humbjen e jetës së shtetasit shqiptar Marios Isak në Greqi. Por në të, tërhiqet paralele me krime të tjera, ku është raportuar në media se ishin të frymëzuara nga akte raciste dhe ekstremisto-politike.

Ministria fillimisht në deklaratë, gabon kur nxitohet të thotë se ngjarja po vonon të zbardhet, madje shpreh indinjatë të thellë. Në fakt, në rastin e të ndjerit Mario Isak, autori i dyshuar, edhe ai një shqiptar, u arrestua brenda 24 orëve.

Deklarata e MEPJ vazhdon të jetë e nxituar, duke mos i shërbyer fqinjësisë së mirë, kur përgjithëson teksa thotë se “dënon ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj”.

MEPJ më tej në deklaratë, “i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë apo segmenteve të tjera ekstremiste për të cenuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj. Nuk pranojmë kurrsesi të mësohemi as me thirrjet e tyre ksenofobe në kanalet e komunikimit dhe as me viktimizimin patetik e nacionalist të ndonjërit syresh që nuk lë rast pa sulmuar Shqipërinë në instancat evropiane”.

MEPJ shton se “në kushtet kur bashkëkombësit tanë po ndjejnë trysninë e një fushate të pashpallur urrejtjeje dhe dhune, MEPJ shpreh angazhimin e shtetit shqiptar për t’i dhënë viktimave dhe familjeve të tyre mbështetjen e nevojshme ligjore dhe financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si pjesëtarë të komunitetit më të madh evropian që jeton, studion dhe kontribuon prej dekadash ne Greqi.​

MPJ e Greqisë: Tirana zyrtare mos përgjithësojë ngjarjet

Zëdhënësi i MPJ së Greqisë, Aleksandro Gjenimata, i pyetur nga mediat lidhur me deklaratën e MEPJ për rastin e të ndjerit Mario Isak në Kavala, tha se “Greqia është një vend evropian, ku shteti i të drejtës funksionon. Autoritetet kompetente janë në shqyrtim e sipër të rasteve të referuara në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe ato tashmë janë zbardhur, siç thuhet edhe në njoftimin e policisë greke.

Policia greke është e vendosur për të trajtuar çdo krim

Vendosmëria e autoriteteve greke për të luftuar krimin në çdo formë të tij, është e qartë. Edhe ne, përsërisim dënimin tonë për të gjitha format e dhunës dhe racizmit, të cilat mund të kushtojnë edhe jetë njerëzore.

Përgjithësimet që përpiqet të bëjë Ministria e Jashtme Shqiptare që të lidhë çështje të ndryshme penale dhe duke ia atribuuar ato një "fushate urrejtjeje dhe dhune” nuk korrespondojnë me realitetin dhe janë të papranueshme.

Në pritje të konkluzionit përfundimtar mbi vdekjen e shtetasit grek, Konstantin Katsifas, nga qitja me armë zjarri nga forcat e sigurisë shqiptare, ftojmë Ministrinë e Punëve të Jashtme të vendit fqinj për të treguar përgjegjshmëri dhe të ruajë qetësinë e vetëpërmbajtjen.

Policia e Greqisë flet mbi ngjarjet

Në një komunikatë që lëshoi dje (e mërkurë) policia greke, flet mbi “çështjen e vrasjeve të fundit të shqiptarëve në territorin grek” dhe thotë: “Në të gjitha rastet, policia greke ka ndërmarrë menjëherë hetimin paraprak dhe ka ndërmarrë të gjitha hetimet e nevojshme procedurale - në bashkëpunim me autoritetet ndjekëse - me qëllim të sqarimit të rasteve, përcaktimit të kategorive të krimeve, si dhe identifikimit dhe kapjes së autorëve. Duhet të theksohet se të gjitha rastet janë zbardhur”.

Çfarë ndodhi me të ndjerin Mario Isak

Mbrëmjen e së martës, në Kavala të Greqisë, 18-vjeçari nga Leskoviku, Mario Isak, ishte në një kafe me shokun e tij moshatar, që akuzohet se i mori jetën pasi dolën nga kafja, sepse u grindën, për motive që zyrtarisht nuk jepen nga policia.

Viktima dhe autori i dyshuar kanë qenë shokë të vjetër dhe autori i dyshuar i cili u arrestua dje, disa orë pas krimit, tha në policinë greke se nuk donte ta vriste Marion, por në konflikt e sipër vrasja ndodhi gabimisht.

I ndjeri ishte në ekipin e futbollit të Heracles në Greqi. Ai ishte rritur në Kavala ku dhe kishte ndjekur shkollën dhe nuk ka pasur kurrë probleme me policinë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: