Wendi Mancaku: Artistët e rinj duhet të jenë gjithmonë vetvetja

Wendi Mancaku: Artistët e rinj duhet të jenë gjithmonë vetvetja
Wendi Mancaku me zërin potent dhe interpretimin brilant live, duke luajtur njëkohësisht edhe në piano, rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve dhe fitoi në natën finale çmimin “Best News Artist”. Por kjo këngëtare e re, ka konkurruar që e vogël tek “Gjeniu i vogël”,  gjithashtu  edhe në Festivalin e Fëmijëve në RTSH me këngën “Motrës sime” krijuar nga i ati i saj si dhe krah babit të saj duke konkurruar në festivalin “Top Fest 9” në vitin 2012 me këngën “Përrallë pa mbret”.

Vajza me sytë blu është një artiste premtuese, ndoshta nga më premtueset e viteve të fundit. “Bijë arti” siç thuhet, ajo është mëkuar që në vogëli me muzikë të mirë nga babai i saj, kantautori i njohur Etmond Mancaku. Duke qenë se nuk mund të ecte larg gjurmëve të atit të saj, Wendi studion në Liceun Artistik dhe është një virtuoze e pianos, e cila kompozon meloditë që shoqërojnë

një zë mjaft të formuar natyror. Fituese e çmimit më prestigjioz për këngëtarët e rinj në festivalin “Kënga Magjike”, vajza e ëmbël me sy të kthjellët, arriti të ngrinte në këmbë jurinë dhe tërë sallën, duke emocionuar kështu një publik që priste prej kohësh diçka mbresëlënëse. Teksa rrufitëm një çaj pranë Liceut Artistik, mësueset e saja më afrohen duke më shprehur edhe konsideratën e lartë të tyre për faktin që vajza e re 17 vjeçare nuk mjaftohet vetëm me artin por është edhe një nxënëse shumë e mirë e mbi të gjitha, siç ma theksuan ato me këmbëngulje, një e re me edukim dhe sjellje ekzemplare, të mëkuar nga një familje me baza të forta. Ky është rrëfimi i saj i parë kaq i thellë mbi jetën e saj dhe rrugën e vështirë por të bukur të artit, ekskluzivisht për Albanian Free Press.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Po takohemi bashkë dhe të shikoj të veshur trashë, por mësova se ke kënduar dhe fituar duke qenë e sëmurë?

E vërteta është që ime ëmë më këshillonte shumë gjatë gjithë kohës, më thoshte të vishesha trashë e të mbulohesha, veçanërisht në pjesën e fytit. Por i përgjigjesha se sado që të ruhesha, gjërat i ka shkruar Zoti dhe se nëse ishte e shkruar që të sëmuresha, do sëmuresha. Dhe ashtu ndodhi, por ishte Zoti ai që më dha mundësi dhe fuqinë që pavarësisht se e sëmurë, të arrija të performoja në skenë.

Je një kantautore e re, por a ka një histori kënga që të bëri fituese?

Krijimi i melodisë është nga unë, teksti është nga Fifi, kantautorja e njohur kosovare. Unë kam parë një ëndërr një natë, nëpër ëndërr më vinte një melodi, një vijë melodike. Më vinte gjatë gjithë natës në kokë me përsëritje. Në një moment e kuptova që isha në ëndërr dhe hapa sytë dhe shikoj se ishte ora 3 e natës. Kisha edhe frikë se mos të zgjoja ata të shtëpisë. Mora në dorë celularin tim, dola nga dhoma tjetër dhe fillova, me pak zë të ulët që të mos zgjoja njeri, dhe e regjistrova vijën melodike aty. Siç isha ashtu e lodhur, shkova të fle përsëri. Të nesërmen u zgjova me mendimin nëse kisha qenë gjatë gjithë kohës në ëndërr apo vërtetë kisha regjistruar një vijë melodike. Kur e kontrollova pashë që e kisha aty mendimin tim melodik. E hapa dhe u ula në piano, fillova ta zhvilloj këngën me akordet e duhura. Kjo është e saktë historia e këngës time. Ka ardhur melodia nga një ëndërr.

Por ti përjetove edhe një dhimbje të madhe familjare, përpara festivalit “Kënga Magjike”...

Kënga është shkruar përpara se të ndodhte ndarja nga jeta e gjyshit tim të dashur, babait të babait tim. Ai u nda nga jeta si pasojë e sëmundjes së rëndë që i mori jetën, na erdhi e papritur, pavarësisht se ai kishte muaj i sëmurë. Por unë kisha aq shumë dëshirë që ai të më shihte në skenë. M’u duk sikur ma kishte sjellë Zoti atë melodi. Gjyshi im ka qenë gjithmonë një mbështetës i madh imi, edhe tek “Gjeniu i Vogël” ai vinte e më ndiqte, bashkë me gjyshen. Gjyshi im i dashur, me flokë të zinj e sy blu. Unë i kam marrë sytë prej tij, e vetmja nga të gjithë ne. Ne dilnim edhe për vrap nga Liqeni i Tiranës bashkë. Bashkë me gjyshen time, një ish balerinë,  më kanë mbështetur shumë, ndoshta edhe mbesa e parë. Kur dilja në skenë mërziteshin më shumë se unë kur më bëhej ndonjë padrejtësi.

Sa kishe pa dalë në skenë sepse e ke takuar suksesin që e vogël...

Rreth gjashtë vite. Unë bëra këtë pushim të gjatë edhe për t’u fokusuar në mësime dhe për të pasur një përgatitje më të plotë muzikore dhe jo vetëm. Nëse do të kisha qenë gjatë gjithë kohës me angazhime në skenë ose ekran, nuk mund t;i bëja dot të dyja siç duhet. Ende tani më duket e vështirë që t’i menaxhoj të dyja. Unë në këto vite hyra me forcë në mësimin e pianos dhe në lëndët e përgjithshme, por veçanërisht në piano. Unë kam mësuese Etleva Golikun dhe mësimet e saja janë në një mënyrë aq perfekte sa që do t’i jem mirënjohëse gjithmonë. Mësimi me të më kanë falur një vegël që e kam bërë timen. Nëse nesër unë jam e sëmurë e nuk këndoj dot, nëpërmjet pianos shprehem. Edhe kur nuk kisha zë e isha sëmurë, unë luaja në piano, atë që ndjeja e nxirrja në piano përmes tingujve. Unë e quaj pianon si zë të dytë, një “armë” të fuqishme në artin tim.

E kujton se në cilën moshë e ke nisur me pasionin për muzikën?

Im atë ka qenë kundra angazhimit tim në muzikë. Kujtoj se kam qenë rreth 5 vjeçare e normalisht dëgjoja këngët e babit tim (kantautorit Etmond Mancaku) dhe teksa i dëgjoja, rrija dhe i bëja terza vokale, instinktivisht, më vinin vetë sepse mendoja se ashtu vinin shumë bukur. Babi qëndronte pak indiferent, me frikë në këtë anë, nuk kishte shumë qejf. Një ditë, e kujtoj edhe sot, ka qenë një këngë e njohur e një këngëtareje të huaj, unë po e dëgjoja dhe e interpretova, bashkë me të që këndonte në televizor. Mami po më dëgjonte me habi dhe kur erdhi babi i tha menjëherë se unë këndoja dhe kisha zë. E këndova përsëri për babin, më tha një “bravo” por të ftohtë, ndoshta edhe i lodhur nga puna. Kur mami i tha se gocën do ta bëjmë këngëtare, ai nuk donte, ndoshta edhe nga eksperienca e tij. mendoj se donte që të bëhesha ose mjeke ose juriste, por me art jo. Por unë tërhiqesha mbas çdo kënge të re, në ato vite as kuptimin e fjalëve në anglisht nuk e dija, por kisha aftësinë që t’i memorizoja fjalët. Sot habitem shumë se si ja bëja që të këndoja në anglisht pa ditur anglisht.

Por eci paralel perfeksionimi i anglishtes me pasionin tënd për këngën?

Gjuhën angleze e kam pasur po aq qejf sa edhe muzikën. Unë jam rritur, nga im atë, me këngë të huaja, jam rritur me Dire Straits e me rrok, përveç këngëve në shqip dhe Radio Tiranën. Interesimi im për gjuhën angleze erdhi pikërisht kur u rrit edhe kurioziteti im mbi kuptimin dhe fjalët në atë gjuhë. Në fillim isha autodidakte dhe zura edhe shoqëri që e kishin pjesë të tyre kulturën e të folurit anglisht. Kur dëgjoja të huaj që e flisnin, ndihesha e pasigurt por me kalimin e kohës kjo kaloi.

Kur u dorëzua babai yt ndaj faktit se ti do të bëheshe artiste?

Babi u dorëzua kur mami vendosi që të më dërgonte në spektaklin “Një këngë për ty”. Kur doli reklama në televizor, ajo vendosi të më regjistronte që unë të merrja pjesë. Mami më regjistroi pa e ditur babi, sepse druhej se mos ai nuk pranonte sepse unë isha e vogël. Isha vetëm 6-7 vjeç atëherë.

Me vokalin je marrë në mënyrë specifike apo të është pjekur zëri me vitet?

Nuk jam marrë me ushtrimin profesional të zërit e për këtë ndihem pak fajtore.

Por ndoshta kështu e ke ruajtur atë...

Nuk kam punuar me teknikën, e vërtetë është që është pjekur vetë zëri. Kur e dëgjoj veten më të vogël, habitem se sa shumë kam ndryshuar. Por një teknikë duhet ta kesh por mendoj se jam ende në kohë që ta perfeksionoj atë. Siç kam perfeksionuar pianon ndër vite, ashtu duhet të punoj edhe me zërin. Por jam gjithmonë e mendimit që nuk mund të jesh perfekte në disa gjëra njëkohësisht, ndaj çdo gjë vjen me shkallë. Tani mund të fokusohem tek zëri.

Ti je shumë e re por je në rrugën e një kantautoreje, pra nesër ti mund të kompozosh edhe këngë për interpretues të tjerë. E mendon këtë?

E kam të madhe dëshirën që të kompozoj krijime për këngëtarë që sigurisht kanë dëshirë të bashkëpunojnë me mua. Faktikisht kam filluar të kompozoj që në moshën 12 vjeçare por në pamundësi të të pasurit të një mjeti profesional regjistrimi, kam humbur shumë materiale të miat. Më pas fillova t’i regjistroj punimet e mia në celular. Deri tani kam kompozuar për motrën time, që është më e vogël, në një pjesëmarrje të saj në Festivalin e Tiranës, me këngën “Ëndërro”. Ha ha ha pra nuk na ndahen ëndrrat si familje. Teksti ishte një poezi nga Etmond Mancaku, babai im. Kisha vite pa marrë pjesë në një festival fëmijësh dhe u ndjeva shumë e emocionuar. Pashë një brez të ri fëmijësh të talentuar. Ishte emocion i veçantë edhe kur shikoja kontratat e firmosura nga unë si kompozitore, ka një peshë shumë të madhe kjo fjalë. Unë kam qenë shumë rebele e vogël, tani jam shtruar shumë dhe për këtë më vjen mirë por koha ka ndikuar për mirë tek unë.

Je bija e një prej kantautorëve më të njohur shqiptarë, Etmond Mancakut, një artisti që ka punuar për pasion e që me artin nuk u bë kurrë i pasur...ti e mendon ndonjëherë këtë?

Kam takuar shumë artistë shqiptarë të këtij niveli, njerëz të zotë që stepen dhe përpëliten nga tregu muzikor shqiptar. Nga një anë mendoj se i gjithë suksesi që erdhi për mua nga festivali “Kënga Magjikë” erdhi sepse unë zgjodha të isha vetvetja.

Për ty u ngrit juria dhe salla në këmbë...kjo nuk ndodh shpesh...një juri aq profesionale...

Është vlerësim madhor, unë nuk po u besoja syve. Konkurrenca këtë vit ishte shumë e fortë, të rinjtë ishin mjaft të talentuar. Ne ishim tërë kohës të tendosur nga emocionet. Një juri aq profesioniste të vë përpara një përgjegjësie të madhe. Ne krijuam miqësi dhe bëmë humor shumë mes nesh, por skena të vë përpara një sfide shumë të madhe, me publikun dhe me veten Kur më pyesin shpesh se cilën këshillë do u jepja artistëve të rinj, unë gjithmonë them vetëm një fjali, të jenë vetvetja. Vetëm me këtë mund të ecin përpara. Kur kompozova këngën, i diktova vetes që të ishte një material i kthjellët, i thjeshtë, vetëm me dy komponentë. Ndryshimin mendova ta bëj duke interpretuar këngën duke i rënë pianos. Sepse në 20 vite “Këngë Magjike” nuk është e thjeshtë të gjesh diçka që të të përfaqësojë duke qenë origjinale. Një këngëtar që i vetëm të këndojë live e të interpretojë në piano unë aty nuk e pashë. Është një rrezik i madh për një artist, unë kam kënduar me frikë në zemër, jo kufjet, jo fonia. Këtu shtohet edhe dukja e mirë. Një presion i madh dhe stres por u përpoqa t’ia dilja sa më mirë situatës.

Kush u mor me pamjen tënde?

Të ishte për mua unë kisha dalë aty me xhinse e sportive. Nga ana vizuale u mor shumë mami, por në detaje me grimin dhe flokët  u mor Denisa Ymeri dhe Delina Tagani dhe ka pasur prej tyre një përkushtim të madhe dhe pozitivistet. Ndërsa veshja ishte në njërën mbrëmje nga Alketa Vejsiu dhe në natën finale nga duart e arta të Enada At’Nikolla. Mund të tregoj një detaj, që veshja ime e natës finale është qepur në moment të fundit dhe ajo është heroinë në këtë aspekt, mori masat dhe e qepi në moment. Mendoj se ka bërë një krijim shumë interesant për mua sa që kur e pashë nuk u besoja syve a isha unë ajo, një veshje jo ekstravagante por brenda thjeshtësisë dhe moshës time. Këtë e kisha kërkesë parësore, sepse ndërkohë kisha parë moshatare të miat që performuan, me veshje shumë ekstravagante dhe unë nuk e gjeja veten aty.

Mos mendo e dashur Wendi se edhe ky detaj nuk është vënë re....

“Kënga Magjike” dhe skena e kërkon të qenit glamour, në stil. Këtë unë e kuptoj por nuk kuptoj se përse duhet të ekspozosh asetet që të ka dhënë natyra. Unë dua më shumë të dëgjohem se sa të shikohem. Shpesh më kanë pyetur se a do të zhvishesha unë, në një të ardhme, për më shumë famë e sukses. Skena i kërkon disa detaje, ndonjë detaj edhe mund ta pranoj, por unë preferoj të jem stil më shumë se sa e zhveshur. Por mendoj se kjo ka të bëjë shumë edhe me natyrën e vetë njeriut edhe muzikën që bën. Unë nuk dua të dal nga vetja dhe natyra ime.

Është shpejt dhe ende jehona e fitores tënde është e freskët, por çfarë gabimesh nuk do të doje t’i bëje që të kishe një karrierë lineare?

Mbi të gjitha dua të realizoj dhe interpretoj muzikë të mirë. Unë edhe përpara festivalit kam filluar me aktivizime në muzikën live, bashkë me babin, në restorante prestigjioze ose ambiente të mira. Në çdo aktivitet të tillë që ja vlen, do të merrja pjesë. Për mua ka rëndësi cilësia dhe jo sasia. Po e them edhe që pjesëmarrja ime tek “Kënga Magjike” erdhi sepse e peshova mirë që është festival serioz, kënga e mirë, stafi profesional dhe e pashë si vendin më të mirë për të nderuar veten, pra jam shumë selektive. Jam e mendimit që çdo eksperiencë të jep diçka si mësim, nuk mendoj se do të them ndonjëherë obobo pse mora pjesë, është eksperiencë. “Kënga Magjike” uroj që të më shërbejë si një katapultë që unë të marr rrugën e tregut muzikor shqiptar dhe atij të huaj, pse jo.

Me menaxhimin e karrierës tënde kush merret?

Deri më tani është marrë familja, por kjo deri sa të diktojmë një menaxher shumë të besueshëm. Është një aspekt shumë i rëndësishëm kjo pjesë e karrierës së një artisti dhe uroj që një menaxhim i mirë të kompletojë të gjithë profilin tim prej artisteje, me kalimin e viteve.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: