“Lufta e Vlorës një kryengritje barinjsh?! Italianët mbushën anijet me të plagosur”

“Lufta e Vlorës një kryengritje barinjsh?!   Italianët mbushën anijet me të plagosur”
INTERVISTA/ Flet ish-diplomati Hasan Luçi: “Gjeneral  Piaçentini u mburr disa herë për fitoren në Vlorën e 1920-tës, por disfata i tregoi se atje la pas qindra ushtarë të vrarë, qindra të plagosur, qindra robër, si edhe humbje të mëdha materiali luftarak”

 

“Lufta e Vlorës një kryengritje barinjsh?!

 Italianët mbushën anijet me të plagosur”

“Për ta do të ishte vetëm një kryengritje e vogël barinjsh...”. Kështu e kishin parashikuar Luftën e Vlorës në 1920-tën forcat italiane, por që koha tregoi se për ta ajo rezultoi një disfatë e vërtetë. Kështu pohon në rrëfimin e tij të radhës për “Albanian Free Press”, ish-diplomati Hasan Luçi, duke dhënë edhe detaje konkrete rreth zhvillimit të saj.“Dy herë në javë anijet italiane çonin të plagosurit në Itali...”, është njëri prej tyre, duke dhënë përmasat e vërteta të humbjes së italianëve në betejën e Vlorës. Gjithçka mbi mënyrën si u zhvillua ajo, vendet, heronjtë, por edhe shifrat mbi të vrarët, të plagosurit dhe armatimet që u përfituan prej italianëve të mundur...

 

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Zholi

 

 

 

Si nisi kryengritja?

Në mbrëmjen e 4 qershorit, në errësirën e natës, u prenë linjat telefonike të Vlorës me garnizonet në terren, duke paralizuar ndërlidhjen italiane. Së dyti, u prishën urat e rrugët dhe u çarmatosën pa luftë të gjitha postat e karabinerisë, duke i mbajtur robër forcat e tyre. Vetëm në Smokthinë, forcat e Kurveleshit ranë në pritë me 70 karabinerë. Po atë natë,

kryengritësit nisën lëvizjet drejt objektivave luftarakë. Ndërsa më 5 qershor, këto çeta rrethuan e sulmuan forcat italiane në Gjorm, nga disa drejtime. Sulmi i tyre ishte i fortë. Pasi kaluan telat me gjemba dhe llogoret, u bënë përleshje trup me trup, ku u vranë oficerë, ushtarë dhe një nënkolonel që hiqej si i sëmurë. Pas luftimesh të ashpra dhe pas qëndresës së dëshpëruar prej 2-3 orësh, armiku u dorëzua, duke lënë 40 të vrarë, shumë të plagosur dhe 80 robër; u zunë edhe dy topa, 7 mitroloza, pushkë e municione etj. Këto fitore e ngritën moralin dhe besimin e luftëtarëve në forcat e veta për çlirimin e Vlorës.

 

Si vazhdoi kryengritja pas çlirimit të Gjormit?

Pas çlirimit të Gjormit, çetat vullnetare, u nisën në Kotë për të luftuar. Gjatë rrugës po shtoheshin vullnetarët si ortek nga fshatrat e Lumit të Vlorës dhe forcat që vinin nga Tepelena. Kryengritësit mbërritën në vijën e sulmit, pa u parë nga armiku, nga ora 22-23 e datës 5 qershor 1920. Të gjitha ato, pasi morën urdhrin, u hodhën në sulme të befasishme nga të gjitha anët mbi garnizonet armike, nga Llogoraja në Sinanaj. Sakaq, komisioni drejtues i luftës u nis pas forcave mbi Kotë dhe u vendos në Brusnjë, në juglindje të Kotës afër qafë Dushkut. Luftimet më të ashpra u bënë për marrjen e Kotës, si nyje kryesore që kontrollonte rrugën Vlorë-Gjirokastër dhe ishte furnizuar mirë me ushqime e armatime, për qëndresë të gjatë edhe në rrethim, për arsye të terrenit të ngushtë mes kodrash, ku dy lartësitë ishin rrethuar me disa radhë telash me gjemba. Në Kotë  drejtonte gjeneral Goti me një regjiment artilerie, bateri topash, fortifikata të mbrojtura me mitrolozë të rëndë, automjete etj. Armiku bëri qëndresë të ashpër, por nuk pati rezultate në terrenin real, pasi luftëtarët i kaluan telat me gjemba me lesa e guna mbi ta, pushtuan llogoret, duke i vënë italianët në grykën e zjarrit të dendur tërë natën e deri në mëngjes, ku zunë shtabin e garnizonit armik. Më tepër qëndroi komanda e spitali, por sërish luftëtarët u futën njëlloj dhe italianët ngritën flamurin e bardhë. Kur u futën në oborrin e komandës, plagosën rëndë kolonelin e artilerisë, Kavalo. Ndërkohë kur gjeneral Goti, po i përgjigjej thirrjes për t’u dorëzuar, u vra sa doli nga dera. Vdekja e tij i demoralizoi krejt forcat italiane, të cilat i hodhën armët. Kështu pas 8- 9 orë luftimes të rrepta, Kota ra në duartë e kryengritësve.

Përse këmbëngulnin italianët në Kotë?

Forcat e armikut qenë të shumta për mbrojtjen e Kotës dhe komandoheshin nga gjeneral Goti, i cili qe shquar në luftën e parë botërore, por forcat vullnetare i sfiduan shpejt italianët në Kotë. Ata patën humbje të rënda: 80 të vrarë, shumë të plagosur, rreth 400 robër, mes të cilëve edhe shumë oficerë. Materialet ushtarake qenë të shumta dhe ranë në duart e kryengritësve, veç ushqimeve, ilaçeve, kafshëve, etj. Me këto armë u armatosën luftëtarët tanë, ndërsa gëzimi i kryengritësve qe i madh për këtë fitore në Kotë, ku fitoi trimëria labe mbi armatimin modern të Italisë. Fitore kjo e cila e rriti guximin dhe besimin për çlirimin e Vlorës. Kjo fitore në e çau më dysh frontin e mbrojtjes italiane, se nuk mund t’i vinin në ndihmë njëra-tjetrës, Tepelena me Kotën dhe Vlora me Llogoranë e Himarën. Ku Tepelena e Vlora mbetën në darën e rrethimit nga kryengritësit. Pas Kotës, çetat e Kuçit etj., asgjësuan edhe garnizonin e Mavrovës, ku u kap rob shtabi italian. Pastaj luftuan në urën e Drashovicës, ku u luftua 10 orë dhe u çlirua në mbrëmjen e 5 qershorit 1920. Italianët u detyruan të tërhiqen, vetëm pasi e dogjën urën. Gjatë, më pak se dy ditëve, u çliruan Vajza, Radhima, Jonufra e Matohasanaj që u dorëzuan pa luftë. Kurse Llogoraja u mor 2-3 ditë më vonë. Humbjet e armikut qenë 180 të vrarë dhe një gjeneral, mbi 1.000 të plagosur dhe mbi 1000 robër, e rreth 200 oficerë. Armatimet u kapën në sasi të mëdha. Forcat kryengritëse arritën në 4.000 luftëtarë, kurse ato italiane qenë 20.000 ushtarë, nën komandën e gjeneral S.Piaçentinit dhe 12 gjeneralëve të tjerë.

Mësymja

Mësymja filloi në të gdhirë të 6 qershorit 1920, nga të gjtha drejtimet. U luftua me heroizëm, ditë e natë, më 6 dhe 7 qershor, por armiku i pengoi të hynin në qytet, me zjarrin e dendur të artilerisë dhe të gjitha llojet e armëve, përfshirë artilerinë dhe mortajat. Kurse më 8 qershor, në të gdhirë, luftëtarët sulmuan me furi dhe e detyruan komandën italiane, të regjimentit 72 të këmbësorisë dhe grupin 157 të artilerisë malore, ta braktisnin pjesën perëndimore dhe të strukeshin në qytet dhe pak më vonë në kala, ku qëndruan të rrethuar edhe nën goditjet e kryengritësve. Në pamundësi shpëtimi, italianët u detyruan të dorëzoheshin. Kështu, më 21.06.1920 ora 18.30, në Tepelenë u ngrit flamuri shqiptar. Atje u kapën robër 270 ushtarë dhe 30 oficerë, mes të cilëve edhe komandanti major Kalcibi. U kapën edhe sasi të mëdha armatimesh, municionesh e materiale luftarake. Pas kësaj fitorje, forcat vullnetare, përfshirë çetën e Kuçit, u nisën në Drashovicë, ku u bashkuan me forcat e tjera për çlirimin e Vlorës. Për luftimet në Tepelenë, Jaho Gjoligu shkroi kujtimet e veta ku  ndër të tjera thotë: “... iu betuam Ismail Qemalit se do të mbronim nderin e kombit tonë ... Nën udhëheqjen e Halim Xhelos dhe të Selam Musait, u përgatitëm të hidheshim mbi pushtuesit dhe ta marrë vesh breshkamadhi se shqiptarët janë gjallë dhe se Shqipëria është bërë varr për të huajt”.

Rezultatet e luftimeve

Nga totali i luftimeve dyjavore rezultoi se kryengritësit patën 25 të rënë dhe mbi 150 të plagosur. Kurse armiku pati 200 të vrarë, mbi 1.000 të plagosur dhe rreth 1.500 ushtarë e oficerë robër. Por edhe humbjet në armatime ishin të mëdha. Disfata italiane qe e shkurtër dhe vendosmëria e kryengritësve e madhe, për besimin në fitore e liri. Këto fitore i hapën rrugën e bisedimeve me pushtuesit, por Roma nga ana e saj i refuzonte me kokëfortësi. Në këto rrethana të vështira, në pamundësi për t’u marrë vesh me pushtuesit, shqiptarët ishin të detyruar të vepronin, siç thotë kënga popullore: “Atje ku nuk shkon dot fjala, për shqiptarin vendos palla”. Ndërkaq,

nga fundi i muajit qershor, në Va të Tojës, në lumë të Kuçit, u bë sërish një kuvend i popullit, ku M.Peçi  foli mbi nevojën e daljes rishtas të vullnetarëve të rinj për në luftë. Mbedhja pati rezultat, se u ngrit besimi dhe numri i vullnetarëve në 150, 180 dhe mbi 200 vetë, sipas historikut të fshatit. Ndërsa në Kurvelesh u hodh parrulla: “E mbrojmë me gjak, s’e lëshojmë aspak”, (fjala është për Vlorën).

 

 

ETAPA

Përgatitjet, për fazën e

dytë të çlirimit të Vlorës

 

“Përgatitjet, për fazën e dytë të çlirimit të Vlorës u bënë në Drashovicë, ku u grumbulluan luftëtarët. Komiteti i mbrojtjes kombëtare, më 9 qershor 1920, i dërgoi ultimatumin e dytë  gjeneral Piaçentinit, për të dorëzuar Kaninën dhe  Vlorën. Italianët përforcuan qëndresën në qytet dhe kërkuan ndihmë nga Roma. Ajo dërgoi reparte arditësh, mes të cilëve edhe kriminelë të marrë nga burgjet, të gënjyer se “do të shuanin një kryengritje të vogël barinjsh”, si dhe armatime, municione e autoblinda. Por në Vlorë vajti edhe regjimenti italian nga Himara, si edhe reparti nga Saranda. Sakaq, Komiteti i mbrojtjes kombëtare në Drashovicë bëri planin e organizimit të administratës së pushtetit si prefekturë e Vlorës në Drashovicë, organizimin e sulmit mbi Kaninë e Vlorë, teksa shpalli edhe shtetrrethimin për një kohë të pacaktuar në Vlorë, Himarë dhe Tepelenë. U bë ndarja e forcave, të cilat, më 9 e 10 qershor 1920, zunë vijat e frontit të luftimeve. Sipas planit, komisioni ushtarak, një çetë e Kuçit, ajo e Bolenës dhe e Kallaratit, në bashkëpunim me atë të Vranishtit rrethuan kalanë e Kaninës dhe zunë të parat vijën e anës lindore  e verilindore dhe të tjerat anën veriore e jugore të kalasë. Kurse çeta tjetër e Kuçit, çetat e Shullërit dhe e Cmokthinës zunë kodrat e Qishbardhës e Kallafetit, me drejtim sulmi majën e Veshtave të mëdha. Sulmi filloi në të gdhirë, më 11 qershor 1920 në Kaninë, Babicë e Panaja. Armiku volli zjarr të fuqishëm me mitrolozë, nga fortifikimet dhe prozhektorët e bënë natën ditë. Artileria e rëndë italiane qëllonte nga kalaja e Kaninës, maja e vreshtave e qafa e Koçiut. Bateritë e topave të flotës detare shtinin nga kryqëzori i madh San Marko. Ky zjarr i madh nuk i trembi luftëtarët, të cilët i shkulën italianët nga llogoret, nga maja e Vreshtave të mëdha deri në gropën e Derrit, duke kapur pikat zotëruese të terrenit. Disa çeta përparuan dhe u futën në thellësi të mbrojtjes italiane. Afër mëngjesit, këto mbërritën tek shtëpitë e para të qytetit. Selam Musai, me një grup luftëtarësh, pa pritur çetat e Kurveleshit të Sipërm, që u vonuan pak, duke kapërcyer me guna pengesat me tela me gjemba, në vijat e mbrojtjes italiane, në qafën e opit e në Vreshtat e mëdha, arriti në Kucbaba, mbi qytet. Atje u vra, duke luftuar trup me trup me armiqtë në llogore.

 

 

 

REAGIMI

 

19 qershor, italianët

 nisën kundërsulmin

 

“Italianët përgatitën kundërsulmin e tyre me forcat sulmuese arditësh, bersalierësh, aviacion luftarak, autoblinda, artileri tokësore e detare dhe nisën planin, më 19 qershor 1920, për të sulmuar Drashovicën, në disa drejtime. Ajo ditë qe Bajram dhe italianët menduan se luftëtarët do ishin kthyer në shtëpitë e tyre për festën fetare, pra do t’i zinin në befasi. Luftëtarët nuk ishin të gjithë në front, por kishin lënë roje dhe nuk u kapën në befasi. Italianët e nisur natën, u diktuan në rrëzën e Shashicës, ku u luftua me rreptësi deri nga mesi i ditës. Aty ata patën terren të favorshëm dhe me sulm i detyruan italianët të tërhiqen në panik, me humbje të mëdha, aty e në qafën e Brumbullit, kundër karvanit të kuajve, me material lufte, pranë një burimi. Po kështu, rreth 1.200-1.500 arditë, të shoqëruar nga autoblindat, që ecnin të shkujdesur, për të sulmuar Drashovicën, ranë në kurthin e kryengritësve, të cilët i lanë të futeshin midis dy krahëve të tyre dhe u kapën si miu në çark. Në kthesat e Sherishtës ranë nën zjarrin e fuqishëm, nga të gjitha anët. Sipas italianëve, kjo betejë u kushtoi rreth 100 të vrarë e të plagosur. Po kështu, u goditën fuqishëm gjatë tërheqjes nga çetat e Kuçit, Bolenës, Kallaratit e Rrëzës, në shpatët e grykën e Kallafetit, ku u futën në çark, pa mundësi tërheqje, duke i asgjësuar krejtësisht arditët atje. Sakaq, arditët mbanin këmishë të zeza e thika me dhëmbë dhe ishin zotuar, sipas planit sulmues, “të hanin drekën në Kotë, darkën në Tepelenë”, por u thyen në të gjitha drejtimet. Kjo shëtitje u kushtoi rëndë dhe Piaçentini, që u mburr disa herë, urdhëroi tërheqen e tyre në Vlorë. Kjo disfatë ua vështirësoi më shmë gjendjen italianëve, pasi atje u vranë qindra ushtarë, më shumë të plagosur, qindra robër dhe humbje të mëdha materiali luftarak. Dy herë në javë anijet italiane çonin të plagosurit në Itali...”

 

 

QERSHOR 1920

 

Avni Rustemi Ndërkohë

asgjësonte në Paris...

 

“Avni Rustemi asgjësoi në Paris, më 13.06.1920, tradhëtarin Esat Pashë Toptanin, si agjent i Italisë, një rrezik ky për pavarësinë e Shqipërisë, nën qeverinë e Durrësit. Më e rëndë u bë edhe gjendja e pushtuesit në Vlorë, të cilën gazeta italiane ”Picolo giornale d’Italia”, më 12.06.1920, e përshkruan kështu: “Po jetojmë orë të tmerrshme.Të ngjethet mishtë nga pamja e mjerueshme e qytetit. Disa thonë se kryengritësit janë 5.000 vetë, të tjerë thonë 10.000 vetë, por asgjë nuk dihet me siguri. Është e pamundur të vërtetosh shumën e saktë të humbjeve  tona dhe ato të kryengritësve...”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: